Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xhafka: Dallëndyshet…

184

Sot te pishina notova me dallëndyshet. Fluturonin grup, ua ndieja flatrat si frymëmarrjen time. Vinin aq pranë sa më dukej se diç donin të më thoshin te veshi. Më kapi dalldia dhe i pyeta:
-Hë? Edhe një herë se nuk të dëgjova.
Sa mbarova këto fjalë ia nisën në kor:
-Ciu, ciu, ciu!
Fillova të notoj ngadalë e po shtrydhja trurin që të përktheja ciun e tyre. Ndërkohë më e madhja erdhi vrik e nisi të notojë krah meje. Dashka të bëjmë garë, mendova, rrita vrullin. Rrëshqisnim së toku. Nga shoqet e saj te dega e kumbullës u shtuan cicërimat. Qenka lojë, po gëzohen dhe po bëjnë tifo për notaren e tyre.
Kështu deri në fund të korsisë. Pastaj u rrethova nga gjithë zogjtë. Gëzimi i rrëmbeu dhe nisën vallen e fluturimit rreth meje. Gruaja që po shihte këtë çudi, tha:
-Ua ka thënë dikush që je ti gjysh, andaj të duan kaq shumë. Se ti vdes për zogjtë. Kështu i thua përherë Fridës: “Zogu im!”
Nuk më dilej nga pishina,si në akuaparkun e Orlandos po gëzohesha.
-Mjaft,s e t’u nxi buza, -urdhëroi gruaja.
Dallëndyshet sikur e kuptuan dhe në çast u strehuan te degët e një jargavani aty pranë. Heshtën, sa dola gjinkallat më pushtuan veshët…