Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Shehu për librin e Petraq Ristos

598
Sigal

:…E lexova dhe u befasova. Po ndjehesha i dritësuar me brilante metaforash. I shfletoja përsëri faqet si për t’u bindur më saktë, e nga njëra fletë te tjetra ato më hapeshin të heshtura para syve, herë si sy Homeri, herë si flutura në lëvizje. Më ndalën sytë te vargjet

Ëndrra ime – e vetmja njësi matëse…

Kush ëndërron i pari, vdes i fundit”.

U buzëqesha me një mall të largët diku në Tiranë apo në Durrës, si të njohur të hershëm: I riu i çiltër që në oborrin e gjimnazit kish ditur t’i hapte udhë ëndrrës, e në librin më të fundit atë e kish ngritur në piedestalin e poezisë më të mirë shqipe…Tani doli në dukje pakrahasueshëm poeti Petraq Risto, dhe fjala e parë sot është e tij. Nesër vjen tjetri… Te vepra e re e tij dëgjojmë zërin e qytetarit ngritur në lartësinë e hijshme të poetit, sa shqiptar dhe universal.

Një zë ku lexohen thellësi me dritë, po aq dhe lartësi me humnera pranë, të vendit të tij. Një poezi me ndërgjegje të fuqishme, e ushqyer në këtë shkallë gjer nga nënndërgjegjja e njeriut. Si në poezinë më të mirë shqipe, përmbledhja “Lojë shahu e shekullin XXI” të rrit përmasat e mendimit ngaqë të vinë me bukuri të veçanta përfytyrimesh ku ideja dhe figura kanë harmoninë e planetit me orbitën ku ecën.

Ndjek mendimin e vargjeve dhe nuk e ndjen se ku ndërhyn figura, e cila i jep vitalitet dhe bukuri mendimit si dritë hëne brenda valëve. Në këtë vëllim autori shfaqet kalorës virtuoz që di të zotërojë “harbimin” e kalit të bukur siç është metafora në poezi.

Kjo është e domosdoshme veçanërisht për një krijues i cili jetën me ngjarjet e trazuara i vëzhgon si qytetar, i gjykon si filozof dhe i shpreh si poet. Të tria këto përmasa i gjen te libri, si të lexoje Uitmanin, Eluarin apo Migjenin. Je në shkëlqimin e mendimit dhe brishtësinë e figurës, e në gjykim të parë të duket si i pagjetur emërtimi “Lojë shahu…”. Por mbaron librin së lexuari, e me vlerësimin e saktë të së tërës kjo hamendje bije. Autori del i ndërgjegjshëm se ç’e ka shtyrë në motivet e kësaj përmbledhjeje vargjesh.

Është i lexueshëm dhe tepër i hijshëm misioni i tij. Për ngjarjet e sotme në botë, veçanërisht në popullin e tij, ai ka ndjeshmërinë e busullës së përsosur shigjetat e së cilës mbeten të drejtuara kryesisht në dy pika kryesore, dashuria për njeriun dhe dhimbja për fatin e tij. Ky humanizëm ia afron natyrshëm figurën si poet dhe ia ngre lart mendimin si qytetar. Poezia shqipe ka gjithçka, por unë nuk di ku ka të tillë margaritarë me ulërimë brenda për shqiptarët e ditës:

“…Veshim kostumet e të vdekurve të Evropës,

këpucët e të vdekurve të Evropës

dhe dalim rrugëve tona si evropianë

…Kostumet e të vdekurve na rrinë mirë,

këpucët e të vdekurve nuk na shtrëngojnë

pavarësisht se rrugët i kemi me plagë.

Duke ecur, ndjejmë se të vdekurit e Evropës

 na ndjekin pas”…

Poeti dëshmon se dhe në poezinë moderne vargjet rrjedhin si një rrëfim i lirë bisede, thua gjethet e një peme pëshpëritin me njëra-tjetrën. Është qartësi mendimi dhe çiltëri shpirti që flet. Në botë çdo objekt, edhe më e rëndomta, ka diku të ngjashmen e vet të krahasueshme me të. Kur puqen bashkë sipas ligjeve të harmonisë, të dyja tok krijojnë figurën, plani kthehet në reliev me faqe rubini.

Takimi bëhet nga jashtë (si krahasim etj.) apo nga brenda (si metaforë, mbretëresha e figurave). Figura mbetet kështu figurë kur të krahasuarat, qoftë si objekt apo përfytyrim më i gjerë objektesh, kanë ngjashmëri dhe harmonia përmban edhe simetrinë që ka bota. Secila nga anët e krahasuara i rrezatojnë vlerat e veta shoqja – shoqes. Ato janë kështu lëvizje mendimi me rrezatim të gjatë radiumi.

Nuk thuhet kot që poezi e mirë është ajo, e cila përmes ndjenjës të nxit mendimin, e poet i mirë është ai që di të ndërtojë figurë dhe nga gjërat më të zakonta – “poezi e veçantë”, “figurë befasuese…”. Poeti Petraq Risto e ka këtë laborator, mrekullia e të cilit duket te figurat që krijon me lehtësinë që dega krijon lulet apo ngrica kristalet. Sheh në trotuar një shitës farëzash të lule-diellit (të tjerët do kalonin asnjanës); poetit i dhimbset si njeri e i këndon si poet për fatin e pasigurt në një imazh kaq sugjestionues:

“Ai ka një privilegj, – mund të vdesë në rrugë

i rrethuar nga zogjtë”…

apo

“Në kufirin mes ditës e natës

ke ndjesinë se Zoti qëron një portokall”.

Brenda imazheve të tilla, si hipur mbi meridianët e globit, shkon në Nju Jork tek e bija e dashur, të cilës i jep metaforën kozmike, si dhuratën më të bukur:

“Kur vij tek ti: më ndihmon Toka në rrotullim

dhe kur iki: rrotullimi i Tokës më pengon”.

Në një poezi tjetër të kësaj përmase – “Zogjtë e Pikasos”:

“dolën nga telajot e fluturonin drejt Pikasos;

Ai u merrte pendët e luante rolin e engjëllit

;u merrte kthetrat e luante rolin e djallit

…vdiq pa mësuar sekretin e ngjyrave…”

(te cili poet i shquar në botë nuk do ndalnim me adhurim mbi vargje të tillë, nëse do t’i shihnim në libra të tyre!)