Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Hushi: Ullishta

682
Sigal

Tregim

Në kohën e verës kur ishim të vegjël dy ishin argëtimet tona, deti dhe prapësitë. Unë mund të shtoja dhe librat, por që, për t’iu ruajtur emërtimit “çun mami” , i lexoja ato fshehurazi me një etje të çmendur; pothuajse e gdhija duke lexuar dhe përfunduar një libër në natë.
Por kjo nuk më pengonte të shijoja lojën dhe prapësitë me bashkëmoshatarët e mi gjatë ditëve të ngrohta të verës.
Qyteti ynë i vogël rrethohej në perëndim nga deti dhe në lindje nga ca kodra të ulëta, të veshura kryesisht me ullishte por dhe me mollë, fiq dhe qershi pafund.
Stina e verës ishte një parajsë e vërtet në këto kodra të bekuara me gjelbërim dhe fruta të shumëllojshme.
Ne bëheshim tre katër djem dhe të pajisur me llastiqe, të bëra me degë pemësh në formë y-je dhe rripa gomash, dilnim të gjuanim për mullenja dhe harabela që mbushnin kodrat. Në të vërtet, asnjëri nga ne nuk kishte arritur të vriste asnjë zog! Por ama ktheheshim të ngopur me fiq, dardha apo rrush që vilnim kodrave…
Edhe atë ditë fund korriku vendosëm të shkonim kodrave të gjuanim për zogj; gjë që nënkuptonte të hanim fruta.
E çuditshme se në ato kodra të begata s’kishte gardhe dhe, sidomos, qen shtëpiash që të na ndiqnin.
Por siç thoshte Nuri, shoku im i fëmijërisë, ne nuk vidhnim por konkurronim zogjtë se kush mund të hante më shumë fruta.
Në fakt hanim sa ngopeshim, por nuk merrnim kurrë me vete…
Qytetin nga kodrat e ndante një përrua i vogël ku dhe shpesh laheshim; brigjet e të cilit i lidhte një urë e vjetër e drunjtë që mbahej e lidhur në të dy anët e sajë me litarë të çeliktë.
Tundja mbi atë urë bënte pjesë në kënaqësinë tonë kur shkonim kodrave. Ura tundej aq shumë sa një person i pastërvitur mund të fluturonte në përrua poshtë, nga një distancë 20 metrash. Po ne as që na shkonte ndër mend një rrezik i tillë, në atë moshë kur gjithçka fluturonte.
Pasi kaluam urën e drunjtë dhe u tundëm derisa filluan të na merreshin mendtë u nisëm rrugës së ngushtë të fshatit. Gruri i ri sapo ishte korrur dhe tufat e zogjve fluturonin fushave të arta për të kërkuar kokrrat e grurit të rëna nëpër fushë.
Filluam të gjuanim por asnjëri nga ne nuk kishte nishan dhe zogjtë ngriheshin duke u rrotulluar në ajër para syve tanë si për tu tallur me ne…
Pasi i ndoqëm nëpër arë dhe të fshehur pas tufave të kashtës vendosëm të shkonim për fruta.
Arritëm në kodrën e parë ku hijet e ullishtave krijonin një fresk përkëdhelës. Bashkë me këngën e gjinkallave dhe cicërimat e ndryshme të zogjve ajo ullishte i ngjante një kopshti të Zotit.
U ulëm në një korije me barë të njomë nën hijen e ullinjve pasi pimë ujë në një burim të vogël por me ujë të akullt.
-Ka ca fiq këtu afër tha Toni… dhe u ngrit…
Ishin fiqtë e parë të verës dhe lëkura sapo kishte filluar tu plasaritej nga pjekja. I gjetëm shpejt fiqtë dhe u ngjitëm nëpër pemë. Dielli i fortë dhe vapa e verës nuk na ndalonin dot të hipnim në majë të pemëve për të këputur kokrrat e pjekura.
Ishin fiq të bardhë që ne i quanim draxh!
-Çuna, pushoni, thirri befas Iliri. Siç duket kishte parë diçka. E dinim se frutat që ne hanim dukeshin si mall pa zot por në të vërtetë ato i kishte dikush. Heshtëm të trembur për një moment dhe s’dinim ç’të bënim.
-Kam parë diçka që do t’ju iki mendja tha Iliri dhe zuri të zbriste… ne filluam ta ndiqnim instinktivisht.
Zbritëm në toke dhe po shikonim nga Iliri pa kuptuar asgjë!
Ai na bëri shenjë me gisht në buzë të mos flisnim dhe ta ndiqnim…
Ishim katër dhe nuk ndiheshim të frikësuar, por e gjitha kjo të ndillte një ndjenjë drithëruese.
-Ja- foli Iliri me zë të ulët dhe bëri shenjë me dorë drejt një ulliri të madh me kurorë të dendur…
U shtrimë pas një pjese të ngritur të kodrës dhe shqyem sytë andej nga bëri me shenjë Iliri. Ajo që pamë ishte e pabesueshme. Mësuesja jonë e biologjisë po puthej me një burrë!
Ishte sa tronditëse aq edhe e pakonceptueshme për ne…
Mësuesen tonë po e puthte një burrë megjithëse ajo po e shtynte me duar!
E urryem atë burrë të panjohur që po guxonte të bënte këtë tek mësuese Vera..
Mësuese Vera ishte një vajzë e bukur, brune dhe elegante që na kujtonte ca filma të vjetër italianë…
-Ç’të bëjmë, pyeti Nuri…
-Ta rrahim tha Toni… Ai po e puth me zor mësuesen dhe sytë iu përlotën…
-Mos u bëni budallenj, tha Nuri. Mësuesja ka ardhur vetë këtu… se ka marrë kush me zor.
-Qenka kurvë, tha Iliri gjithë pikëllim, teksa pamë se mësuese Vera iu var të dashurit të saj në krah dhe filloi ta puthte gjithashtu me pasion.
Ishte një trishtim i paprovuar. Ai burrë i panjohur po na puthte mësuesen, po na shiste karshillëk. Sikur po na çnderonte të gjithëve. Një ndjenjë e fortë xhelozie na mbërtheu të katërve.
-Me siguri ai e ka gënjyer, tha Toni. S’na besohej kurrë që mësuese Vera do vinte këtu në ullishte të bënte dashuri me një mashkull. Mësuese Vera ishte për ne modeli i një mësueseje të mirë, të butë dhe të bukur.
Djemtë e moshës tonë e shihnin atë si një model i femrës së tyre të ardhshme.
Kjo që po shihnim me sytë tanë ishte tronditëse, zhgënjyese!
S’mund ta urrenim mësuesen se ishim të bindur se ajo ishte e pafajshme. Por po fillonim të urrenim atë burrë që, për hir të vërtetës duhej thënë se, ishte shumë i pashëm…
Papritur ata u çuan në këmbë.
Ne shtangëm dhe po prisnin me ankth se çdo të ndodhte. Ishim gati t’i shpallnim luftë atij bukuroshi që gjithsesi na kishte marrë mësuesen. Ishte një karshillëk që s’e duronim dot…
Papritur ato zunë të putheshin përsëri dhe pastaj të zënë përdore humbën nëpër ullishtën e dendur, në drejtim të rrugës që të çonte në qytet…
Kishim mbetur të shtangur, të fyer, të lënduar dhe të pafjalë. Sikur dikush të na kish rrahur trupin dhe lidhur gjuhën…
S’dinim ç’të bënim…
Ajo dite e bukur vere u shndërrua në një ditë të trishtë. Kishte ndodhur diçka që ne si trembëdhjetëvjeçarë s’e dinim si ta përjetonim…
S’mund ta besonim se në atë ullishte të mrekullueshme do të ndodhte diçka kaq e tmerrshme.
U kthyem në qytet pa folur dhe secili prej nesh përjetonte në formën e tij ngjarjen tronditëse…
Secili prej nesh ndjente me dhimbje, se thellë nesh diçka ishte thyer dhe dikush na e kishte marrë një pjesë tonën, pa na përfillur…
Ishte koha kur besonim se gjithçka na përkiste neve…ashtu si frutat e verës, zogjtë dhe ullishta në kodrat e qytetit. Por ajo ullishte kishte marrë prej nesh një gjë shumë të dashur, mësuesen tonë.
Si djem që ishim, ndjeheshim të poshtëruar dhe teksa mbërritëm në qytet hodhëm sytë me urrejtje nga ullishta larg .. ullishta që na plagosi duke na marrë mësuese Verën!