Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Hushi: Sa herë rruga këtej të bjerë

528
Sigal

Sa herë rruga këtej të bjerë
Ndalu pak mendo për mua,
Përmbi degë zogj të tjerë
Do kenë ngritur foletë në ftua.

Ato lule që dikur i puthëm
Erë i morëm në çdo prill,
Larg në kohë diku u zhdukën
Edhe u tretën pa mëshirë.

S’ka më mbrëmje plot magji,
Zogj që fshihen pas çdo puthje,
Harabelat në fshehtësi,
Si fletë librash i hodhën tutje.

Sa herë rruga këtej të bjerë,
Ndalo pak dhe më kërko,
Të shkojn’ a vijnë prillet e tjerë,
Unë lule-buze do çel çdo kohë.

Të më puthësh sa herë ke mall,
Me afsh poleni e mbështjellë,
Si vello lulesh ftoi i bardhë,
Harabelat krushq do sjellë.

E aty, në prill të mbetemi,
Një drithërimë, dasmë a ëndërr,
Sa herë rruga aty të bjeri,
I përjetshëm të pres dhëndër…