Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Hushi: Do të pres…

556
Sigal

Agim Hushi

 

Do të pres…

 Përtej kohës do të pres,
Përtej jetës edhe vdekjes,
Korb mbi degë që çdo mëngjes
Qan me bulëzat e vesës.

 

S’do më tresë as dhe, as varr
Pa të parë dhe një herë,
Të të puth, në gjoks të marr,
Si dikur, atë pranverë!

 

Kur u deshëm dhe u dehëm
Yjet e lodhur i vum’ në gjumë
“Koha jonë këtu do mbetet”,
më thoshe , “Të dua”, të thosha unë.

 

Por ti shkove e më s’u ktheve!
Më le si korbin përmbi degë!
Të kërkova në tokë e qiejve,
Në çdo yll, në çdo pikë ves’.

 

Do të pres përtej kohës
Me trupin nga motet thar’
Si shenjt a mëkatar i botës.
Një korb plak, mbetur pa varr…

 

Përtej kohës do të pres!
Përtej gjallesës edhe vdekjes!
Korb, që qan çdo mëngjes
Dashurinë e tij të jetës.

* * *

 

Do më mungosh

 

Do më mungosh e dashur kur nata të bjerë!
Yjet pa ty larg, ftohtë do më vështrojnë,
Do më mungosh si majit poleni në erë,
Mëngjeset e shkreta, pyjet pa zogjtë.

 

Do më mungosh e dashur, këtu larg
Dhe malli si kosë zemrën do ma presë!
Si qelqe do thyhen vjershat, çdo varg,
Kështjellë e rrënuar, shpirti im do vdesë!

 

Dhe do të mbetesh diku si statujë e harruar,
A një vjershë bosh pa dedikim!
Do ta mendosh një ditë se në një kohë të shkuar,
Ke jetuar dikur me shpirtin tim…!

 

Dhe do të shkrihemi të dy në asgjë…
Një përrallë e vjetër “Na ishte dikur!”
Si lule të vyshkura këto vargje do t’i le…
Koha pa mëshirë do të na vërë ca gurë!
* * *


Dashurisë

Të fola në të gjitha gjuhët

Dhe kurrë përkthyes nuk na u desh

Si Ciceronë ligjëruan drurët

Gjethet pëshpëritën magji mes nesh.

 

Të kuptova në çdo skaj

Kur bota në terr a mes ditës ish,

Yjet më folën gjuhën e saj

Dielli me rreze, përktheu, sërish.

 

Të mora vesh dhe nuk gabova

Nga skaji në skaj të botës ia dolëm

I sfiduam të gjithë fjalorët

Me rrahjet e zemrës, dashurisht folëm