Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Si mund të më thuash?

115

Si mund të më thuash: Ditë të bukur!
Kur ke frikë gjumin që ta zgjosh,
Kur del në rrugë vështrim përhumbur
Dhe brenda vetes ndihesh bosh?!

 

Me shpinë kërrusur nga rëndesa,
Ti lëviz hapat gjithë përtim
Këtu rrugët kanë dhjetëra adresa,
Por të gjitha çojnë në një drejtim.

 

Në kafenenë ku zien ekspresi
Dhe gjithë tryezat i sheh plot,
Të ngjan i dehur dhe mëngjesi
Që “përrallis” profka, kot më kot.

 

Urbani që lëviz si breshkë
Me dy hajdutë që rrinë në derë,
Mjafton pak mendjen mos ta kesh
Dhe xhepat zbrazen menjëherë.

 

Në trotuar ku vijnë vërdallë
Lypsarë dhe mostra te çdo lloji
Si mund të më thuash: Ditë të mbarë!
Kur këtu dhe dita del me drojë?

 

Tek kioska ku blen një gazetë,
Por dhe atë s’e çon në fund,
Në ballë të saj lideri “mbret”
Që me inat kokën të tund.

 

Ndaj ty s’të mbetet të bësh tjetër,
Veç të vazhdosh pa ndjerë në udhë,
Një ditë e re, “kostum” i vjetër
Dhe përmbi ballë, një tjetër rrudhë.