Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Pranverore

622
Sigal

U mbushën qiejt me harabela
Nga gri e ftohtë çdo pemë u zhvesh
Pranvera si një vajzë plot ledha
Na shkel qerpikët dhe buzëqesh.

Në breg tani ka më shumë njerëz
Shumica s ‘veshin më xhaketë
Ata mbajnë në duar nga një gjethe mëngjesi
Për t’u ndjerë më të blertë.

Dhe unë e hoqa dje xhaketën
(Pulovrin nesër mund ta heq)
Përndryshe stina do të fyhej
Dhe dita do të ndihej keq.

Ka ditë që gjumi s’më merr fare
Dhe kur më merr më del shumë shpejt
Një valë më vjen shpesh nën dritare
Dhe mbrapa xhamash më troket.

Me siguri është ftesë nga deti
Që vdes t’më flasë njëherë me gojë
Mes nesh ka shpesh një kod të heshtur
Që vetëm unë e transkriptoj.

Janë mbushur qiejt me harabela
Dhe trupi im me gjelbërim
Pranvera sytë më shkel plot ledha
Dhe rend drejt meje në takim.