Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Njëherë e një kohë

922
Sigal

Njëherë e një kohë, të kam dashur shumë,
Njëherë e një kohë, ti ke qenë ajri im,
Por kohërat kalonin, dhe unë
Asnjëherë s’mora guxim.

 

Njëherë e një kohë, unë dhe zemra,
Bëmë një pakt, që veç për ty të kish vend,
Veshmbyllur nga koret, që vijnë nga sirenat
Dhe Çirçet që të lenë pa mend.

 

Njëherë e një kohë, në çdo stinë,
Unë i ngjyrosja qiejt me ngjyrën e syve të tu,
Ata dhe kur qeshnin, dhe kur shfaqnin mërzinë,
Ishin gjithmonë blu.

 

Njëherë e një kohë, unë i kisha zët kalendarët,
(I shihja me sy neverish),
Ata ishin mbushur me ditë dhe data,
Por kurrë me një kohë dashurish.

 

Njëherë e një kohë, pritja jote u fye
Dhe s’di, ku u zhduke pastaj?
Dhe pse për këtë ti asnjëherë nuk je ndier,
Unë ndihem vërtet, me shumë faj.