Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Fjalë imzot, veç fjalë

91

Shaluat kolltukët
Si kuajt me shalë,
Me premtime mbushur,
Fjalë imzot, veç fjalë.

Do ta bënit vendin
Të ndrijë si kristal,
Amerikë me lule
Fjalë imzot, veç fjalë.

Dhe vërtet e bëtë,
Lloji juaj s’fal,
Me fusha kanabis,
Fjalë imzot, veç fjalë.

Një milion të ikur,
Në botë ilegalë,
Dritë e shpresës fikur,
Fjalë imzot, veç fjalë.

Kapërce një gropë,
Bjer në një kanal,
Po shkojmë në Evropë,
Fjalë imzot, veç fjalë.

Spitalet si hale,
Gjykatës kanibal,
Plehrat bërë si male,
Fjalë imzot, veç fjalë.

Copë ekonomia,
Nga dy këmbët çalë,
Të na rroje partia,
Fjalë imzot, veç fjalë.

Nga ajri helmuar
Po vdesim ngadalë,
Mushkëri copëtuar,
Fjalë imzot, veç fjalë.

Ngado kriminelë,
Zarbo dhe vandalë,
Dil o shpirt, pse s’del?
Fjalë imzot, veç fjalë.

Plumba nëpër rrugë,
Tritol në lokal,
Vdekja qesh nën hundë,
Fjalë imzot, veç fjalë.

Me veting të rrjepur
Dhe mutin nën shalë,
Presim negociatat,
Fjalë imzot, veç fjalë.

Dhe nëse s’i hapin,
Të dalë, ku të dalë,
Ne s’e çajmë fort trapin,
Fjalë imzot, veç fjalë.