Suplementi Pena Shqiptare/ 4 vëllimet e “Kalendarit Kombiar”- Rexhep Qosja: “Kjo vepër ka pasuruar vetëdijen kombëtare”

494
Dhimitër Shtëmbari

Në kuadrin e 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë
Paraqitet një nga veprat më madhore të Rilindjes Kombëtare:
“Kalendari Kombiar”
Fondacioni arsimor – kulturor – humanitar ‘Alternativa për të Ardhmen’ (ALSAR), në kuadër të 105-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë paraqiti më, 23 nëntor 2017, në Hotel Tirana Internacional (salla “Balsha”), një nga veprat më madhore të Rilindjes sonë Kombëtare, “Kalendari Kombiar”, realizuar ndër vite nga një grup intelektualësh të shquar të kësaj periudhe, si Kristo Luarasi, Kosta Jani Trebicka, Mit’hat Frashëri dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë të jashtëm. 

Veprimtaria promovuese u organizua nga vetë botuesi, ALSAR, në një konferencë të mirëfilltë shkencore, me kumtesa dhe trajtesa nga studiues të fushave të ndryshme, kryesisht historike dhe filologjike, si Prof. dr. Ferit Duka, Prof. dr. Hysen Matoshi, Prof. dr. Seit Mancaku, Prof. dr. Zeqir Kadriu, Prof. dr. Luan Maltezi, Prof. dr. Genci Luarasi etj. Në këtë veprimtari interesante u lexua edhe përshëndetja e ardhur nga Kosova prej Akademikut të shquar, Rexhep Qose. Botimi i ri i “Kalendarit Kombiar” me një tirazh prej 500 kopjesh është bërë në origjinal, pa i ndryshuar asgjë, me alfabetet e dikurshëm, me frontespicet, pikturat dhe grafikat e dikurshme. Të vetmet ndryshime, janë se nga 22 libra të përvitshëm është përmbledhur në 4 vëllime me letër dhe lidhje speciale për t’u bërë sa më praktik në të mbajtur dhe në të lexuar. 

Përshëndetja e Akademikut, Rexhep Qosja
I nderuari, z. Mehdi Gurra
Kam kënaqësi të veçantë që t’ju falënderoj për librat që më dhuruat, mes të cilave është edhe vjetari “Kalendari Kombiar”, i botuar në katër vëllime të mëdha.

Dhe, t’ju falënderoj për ftesën që të marr pjesë në përurimin e kësaj vepre, më 23 nëntor, në Tiranë. Me keqardhje po ju njoftoj se gjendja shëndetësore, ndërkaq, më pengon që të jem me Ju, me anëtarët e Bordit botues, me autorët e kumtesave dhe me gjithë të tjerët, që do të jenë të pranishëm në përurimin e Kalendarit Kombiar. Ju keni botuar dhe po përuroni sot një revistë të përvitshme, një revistë me emër në historinë tonë të çmuar kulturore, që kishte filluar të dilte në vitet e fundit të Rilindjes sonë të madhe Kombëtare, në vitin 1897, kohë kur ishin përforcuar e përshtrirë shumë përpjekjet për krijimin e shtetit kombëtar – Shqipërisë. Kalendari Kombiar me përmbajtjen, me idetë, me mendimet, me vlerësimet e ndjenjat e shprehura në të, ishte dhe mbeti dëshmi dhe frymëzim i këtyre përpjekjeve. Ju keni botuar dhe po përuroni të përmbledhur në katër vëllime një revistë, që do të vazhdojë të botohet, me disa ndërprerje rrjedhojë e vështirësive jo vetëm financiare, deri në vitin 1928, kur po bëheshin përpjekje të mëdha për krijimin e institucioneve dhe për qëndrueshmërinë e shtetit shqiptar, të shqetësuar prej mospajtimeve me pavarësinë e tij të fqinjëve dhe prej ballafaqimeve shpesh shpërbërëse të pjesëtarëve të parisë vendore!Ju keni botuar dhe po përuroni një vepër të madhe me karakter enciklopedik, në të cilën do të sillen të dhëna nga shumë fusha të jetës së përtashme dhe historike të popullit shqiptar, në të cilën do të sillen të dhëna nga fusha të ndryshme të historisë, kulturës, dijeve, arteve dhe të shumë popujve të tjerë. Dhe, duke e botuar “Kalendarin Kombiar” në katër vëllime, ju keni botuar dhe po përuroni një vepër të madhe që i ka rritur, i ka shtuar, i ka pasuruar: vetëdijen kombëtare, dijet, artet, letërsinë, kulturën, qytetërimin shqiptar dhe lidhjet e tij para së gjithash kulturore me shumë popuj të tjerë. Dhe, kështu, ju keni botuar e po përuroni një vepër të madhe, që kujtesës sonë të pakujdesshme sidomos gjatë dy dhjetëvjetëshave të fundit, po ia rikthen emrin shumë të merituar të botuesit të saj të parë, Kristo Luarasit, botuesit të saj të dytë, Mithat Frashërit, dhe të një vargu veprimtarësh të tjerë politikë, shoqërorë, letrarë, kombëtarë, që gjithë jetën e tyre, shpesh duke harruar veten, ia kushtuan Kombit të vet dhe Shtetit të tij, natyrisht në kufijtë etnikë. Ju uroj me shumë përkushtim për këtë vepër të madhe dhe Ju dëshiroj që me botime të tilla aq të rëndësishme si “Kalendari Kombiar” e si gjithë ato që më dhuruat të vazhdoni veprimtarinë tuaj të rëndësishme arsimore, kulturore e humanitare. Dhe, gjithëkombëtare.

Me përshëndetje të përzemërta, Rexhep QOSJA
Prishtinë, 22.11.2017
Sigal