Suplementi Pena Shpiptare/ Mimoza Çobo: Mbrëmje Poetike “Fllad Lirikash me poetët tanë të traditës”

150

Perëndimet vjeshtake në qytetin antik të Apolonisë se çkanë një të fshehtë që shndrit si nëpër mjegull, diçka magjepsëse dhe të ëmbël që rrjedh nga thellësitë e mistershme të shekujve,njëlloj si melodia shushuritëse ,që gurgullon nga fshehtësitë e këtij qyteti ,që për një çast të bënë të dremisësh në shtratin e purpurtë të perëndimeve.Çdo perëndim dielli në këtë qytet të madh e hijerëndë ,siç e ka quajtur Ciceroni ,është një poezi magjike e pashkruar.Por,kur ky perëndim ndjen pranë shpirtin e poetit, duket sikur shkund nga supet vellon misterioze të misticizmit,për t’i rrëfyer sekretet e ekzistencës së tij milionavjeçare.Sekrete që dikur ia pat rrëfyer patriarkut të letrave shqipe,shkrimtarit Jakov Xoxa.Magjinë e sekreteve  të perëndimeve apoloniane ,Xoxa e ka derdhur mrekullisht në veprat e tij të veçanta e të rralla,në llojin e tyre.E ndërsa perëndimi purpuroi faqet e vjeshtuara të fushave të Myzeqesë,flladi vjeshtak hapi ngadalë dyert e  Parkut Arkeologjik dhe të kishës së “Shën Marisë’’, që të mbajnë në gjirin e  lashtë, shkrimtarët, poetët, mësuesit dhe të rinjtë e apasionuar pas magjisë e madhështisë së poezisë.Pa filluar ende mbrëmja poetike ,për një çast ndjeva  të frynte nga deti një fllad i lehtë lirikash .Meqë më rrëmbeu ëmbëlsia e flladit ,hodha vështrimin në thellësitë e purpurta të perëndimit .Në afërsi të  vendit,që dikur duhet të ketë qënë porti i Apolonisë ,u ankorua anija poetike e shekullit të kaluar.Teksa hidhja hapat e ngadaltë mbi qerpikët e përgjumur të Pompeut të Ballkanit ,përmes tisit  vjeshtak,dallova për së largu siluetat e Mjedës,Fishtës,Asdrenit ,Konicës,Nolit,Ali Asllanit,Gurrës,Mosit,Poradecit,Kutelit,Migjenit,Petro Markos,Shuteriqit,Kokalarit,Mekulit ,etj.Nuk ka gjë më të bukur e hyjnore në këtë mbrëmje,se  të kesh pranë shpirtin e korifejve të letërsisë,që skalitën me penën e tyre dhimbjen kombëtare dhe ngritën në piedestalin e kohërave ,historinë,kulturën,traditat ,që lëvruan me kujdes gjuhën e kombit të vet, që lanë gjurmët e  humanizmit dhe njerëzores në art,që skalitën vlera të vërteta artistike e univarsale në historinë e letërsisë shqipe.

Është viti i tretë që poetët dhe shkrimtarët fierakë mblidhen së bashku në mjediset e Parkut Arkeologjik ,për të shijuar eliksirin që rrjedh nga hojet e mbrëmjeve  poetike apoloniane. Shpirti i poetit ka fuqi hyjnore të derdh në art jo vetëm dhimbjet e veta e të njerëzimit,siç shprehet Kuteli ,por dhe dhimbjet e natyrës e të universit,nëpërmjet fjalës artistike që përjetëson ekzistencën e njerëzimit dhe të gjithësisë. Ideuesi dhe realizuesi i kësaj mbrëmje poetike, profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, z.Frederik Jorgaqi, në fjalën e hapjes së mbrëmjes gala ,u shpreh i emocionuar para të pranishmëve:”Përherë ndihem i shqetësuar kur përgatis mbrëmje të kësaj natyre .Ndaj sonte ,ndryshe nga dy vitet e tjera ,në ambientet e Parkut Arkeologjik ,do të fryjë flladi i poetëve  tanë të traditës,të gjysmës së parë të shekullit të 20-të,të periudhës midis dy luftrave botërore.Kopshti poetik i kësaj periudhe është i larmishëm dhe mbresëlënës ,me lirika të përzgjedhura nga krijimtaria poetike e korifejve të kësaj periudhe poetike të begatë.Në vijimësi z.Jorgaqi ,u shpreh se poezitë dhe lirikat e kësaj periudhe ,janë botuar në  antologjinë e përpiluar me kujdes e përkushtim nga studiuesi serioz, “Mjeshtri i Madh i Punës”, z. Nasho Jorgaqi,i cili ka dhënë ndihmesën e tij të çmuar në realizimin e mbrëmjes së sotme dhe të të gjitha mbrëmjeve poetike ,të zhvilluara me sukses në Apoloni.Përmes një atmosfere të ngrohtë ,në këtë mbrëmje u prezantuan madhërishëm poetët e Rilindjes kombëtare si Mjeda,Fishta ,Asdreni,Konica dhe Noli.

U glorifikuan vlerat artistike të poetëve të viteve 20-të,si Asllani,Gurra,Mosi,poetët e viteve 30-të që përbëjnë një kulminacion poetik si Poradeci ,Kuteli ,Migjeni , poetët e fundviteve 30-të dhe fillimviteve 40-të ,Petro Marko,M.Kokalari,Esad Mekuli,Shuteriqi ,etj.Siparin e kësaj mbrëmjeje e hijeshuan dy poetët,Ndre Mjeda ,i cilësuar  si poeti i lirisë së njeriut ,i lirisë kombëtare ,shoqërore e shpirtërore dhe Gjergj Fishta,që mban kurorën e poetit kombëtar ,të cilët kanë vënë gur themeli në poezinë dhe kulturën kombëtare.Përmes duartrokitjeve të ngrohta ,poezitë e këtyre poetëve u përcollën me mjeshtri për të pranishmit, nga poeti dhe mjeshtri i fjalës artistike A. Xheka,si  dhe aktori e drejtori i teatrit “Bylis” ,Astrit Hasani. Kontributet e Faik Konicës janë të jashtëzakonshme në kulturë e letërsi .Figurë poliedrike ,mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe.Poezinë “Helena e Trojës “,të Konicës ,të pranishmit e shijuan me ëmbëlsi përmes zërit të butë e të kadifenjtë të znj.Silvana Braçe.Një tjetër personalitet i botës shqiptare që të rrëmben me ritmin dramatik dhe efektet akustike që krijon,i cilësuar si poet i toneve madhore ,Fan Noli ,prezantohet madhërishëm në këtë mbrëmje me poezitë “Rend or maratonomak” dhe “Anës lumenjve “,të recituara me tonalitet poetik nga A.Xheka.Një tjetër poet sa goditës ,demaskues,aq dhe i ndjerë,original e i butë ,që solli si rrallëkush psikologjinë shqiptare në letërsi , Ali Asllani ,u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit me poezitë e tij, që i shkojnë për shtat çdo kohe. Melodia e vargjeve të poetëve Hil Mosi,Milto.S.Gurra,Nexhat Hakiu,Ismet Toto,Dhimitër Shuteriqi,A.Pipa,G.Pali,E.Çabej,Vedat Kokona,etj,ngrohu ambientet e kishës së Shën Marisë dhe përkëdheli rrënojat e qytetit të lashtë.”Kur më vjen burri nga stani” ishte kënga e kënduar nga sopranoja e madhe ,Tefta Tashko Koço ,me tekst të shkruar nga i madhi Poradeci,  që mbajti të ngujuar  në vidioprojektor sytë dhe shpirtin e të pranishmëve.Lirikat e poetit më të pastër ,këngëtarit më fin të dashurisë dhe natyrës ,Lasgush Poradecit ,u përollën butësisht e ëmbëlsisht  nga aktori Ligoraq Riza ,i cili ka realizuar me sukses kohët e fundit një veprimtari me trashëgimin poetike të Lasgushit.Poezia “Si e dua Shqipërinë”,recituar me profesionalizëm nga aktori dhe regjisori  i teatrit “Bylis”,Klajdi Marku,solli  më pranë shpirtin njerëzor të të pavdekshmit Lame Kodra ,poetin që pati një jete të dhimbshme ,të cilin fierakët e kanë në kujtesë në rrugicat e qytetit të tyre tek bariste vetmuar .Një tjetër shkrimtar që provoi dhimbje e vuajtje ,por që mbijetoi falë talentit dhe mençurisë së tij ,ishte Mitrush Kuteli,rrëfimtari i shkëlqyer i letërsisë  shqipe ,por edhe poeti lirik me ndjenja të holla  e tone të larta,poezitë e të cilit u pritën ngrohtësisht nga krijuesit dhe artdashësit  fierakë.Prijësin e poetëve të viteve 30-të ,uraganin e ndërprerë,siç e ka quajtur Kadarea ,poetin me ndjeshmëri të lartë ,gati sizmike ndaj mjerimit të kohës ,Migjenin ,e glorifikuan në piedestalin e mbrëmjes vargjet e muzës së tij ,të recituara magjishëm nga Xheka dhe Riza. Në këtë mbrëmje gala nuk mund të mungonin poezitë e vajzës së mençur ,ambicioze e dinjitoze të persekutuar nga regjimi komunist ,Musine Kokalarit .Poezia e saj ,që mbart në brendësi, botën dhe psikologjinë femërore,u përcoll ngrohtësisht e dhimbshëm nga Silvana Braçe. Poezia e Esad Mekulit solli në këtë mbrëmje ,lypësin e Prishtinës së Mekulit ,që kishte imazhin dhe cilësi të përbashkëta me lypësin në Shkodrën e Migjenit,si dhe lypësin e ditëve të sotme.Përmes tingujve të magjishëm të këngës “Mora shoqëzën për krah”dhe flladit të ngrohtë të lirikave erotike të Lasgushit, të recituara me pasion të veçantë e drithërimë shpirtërore, nga artisti i fjalës ,Ligoraq Riza ,u mbyll me sukses kjo mbrëmje gala ,që përcolli vlera unikale të papërsëritshme për letërsinë,kulturën kombëtare,kohën dhe brezat,bukurinë e padiskutueshme të fjalës poetike,mendimin kreativ ,artistik e filozofik si thesare dhe dëshmi të një periudhe të ndritur të letërsisë shqipe .Kjo mbrëmje madhështore për nga rëndësia , arriti të përcjellë sinjalin e saj satelitor në univers ,duke përcjellë ngarkesë emocionale të fuqishme jo vetëm brenda vendit ,por anë e kend globit ,ku vegjetojnë përmalluar zogjtë e shqipes.  Teksa hidhja hapat në udhën e shtruar me kalldrëm,vura re se  siluetat e korifejve ,që u monumentalizuan në këtë mbrëmje ,u shndërruan në pëllumba të bardhë dhe fluturuan drejt diskut të verdhë të hënës ,duke mbajtur në sqep flladin e ëmbël të lirikave për të flladitur faqet e galaktikës planetare,kurse vargu i gjatë i të ftuarve të kësaj mbrëmje rendi drejt lindjes , drejt agimeve paqësore të së ardhmes me flladin e lirikave në shpirt e në buzë .Kjo mbrëmje u inçizua mrekullisht në hardiskun e trurit të çdo pjesëmarrësi  dhe askush nuk mund ta fshijë dot kurrë atë. Ja si shprehet  Najada ,nxënëse e profesor Jorgaqit  : E mrekullueshme gjithçka: përzgjedhja e poezive, interpretimi dhe organizimi.  Kurse Klodjana Gjata ,drejtoresha e bibliotekës publike “Dritëro Agolli” të qytetit të Fierit ,e pranishme në këtë mbrëmje ,duke i përcjell  përgëzimet e saj ,profesor Jorgaqit,shprehet: Ishte vërtetë një mbrëmje mbresëlënëse.Do  mbetet gjatë në kujtesën time.Fili  Mico, e shijoi këtë mbremje në rrjetet sociale dhe shprehet e emocionuar:Ju përgëzoj nga zemra , për këtë aktivitet kaq të bukur! M’u duk vetja për një moment sikur isha edhe unë e pranishme në këtë mbrëmje . Organizim i përsosur. Interpretim i shkëlqyer i poezive.Engjëll Zerdelia ,nga New Yorku ,midis të tjerave shprehet  :Ne, mësuesit e gjuhës dhe  letërsisë shqipe, i njohim mirë vlerat e  letërsinë shqipe dhe asaj botërore,ndaj mund të shprehem se  kjo mbrëmje e bukur me vlera për të gjitha kohërat ngre lart poetët tanë të traditës ,përkushtimin dhe punën e palodhur të të gjithë organizatorëve si dhe emrin tuaj ,profesor Fredi ,si moderator i talentuar e vizionar. Me këtë rast ju përcjell  urimet e veçanta të krijuesve shqiptarë këtu ,në New York, si dhe të Shoqatës së ushtarakëve ”Skënderbej”.

Eva Prifti : Megjithëse jo e pranishme në këtë mbrëmje,nga sekuencat filmike pashë një aktivitet dinjitoz, që risjellë në kohë vlerat poetike të poetëve tanë, për  t’i vënë në fokus të brezave që do të  vijnë. Janë thesare që aq shumë na duhen. Urime! Në lidhje me  këtë aktivitet ,Aida Azizaj,shprehet : Mbrëmje e mahnitëse  ,sidomos dy interpretimet e fundit. Shumë emocion…Albina Trebicka ,e pranishme në këtë mbrëmje shprehet: Kënaqësi për mua që e ndoqa nga afër këtë aktivitet të mrekullueshëm,që na mbushi me emocione e krenari! Valbona Llambrollari ,pasi e ka ndjekur mbrëmjen poetike në televizionin “Apollon “ shprehet:Kjo mbrëmje poetike ishte për mua, një mëngjes i mrekullueshëm zërash miqësor ,dërguar poetikisht për mua.Petrit Xhaferri : Sa dëshirë do kisha  ta ndiqja drejtpërsëdrejti këtë mbrëmje të rrallë poetike.  Ky është një  aktivitet që na nderon të  gjithëve.Merita  Haxhia  me çiltërsinë e shpirtit shprehet:Ah ,sa mbrëmje shlodhese ! Sa nevojë kemi për aktivitete të tilla! Irva Dafa : Urime profesor  Fredi, për këtë  mbrëmje poetike të veçantë ,që iu dhuruat brezave! E meritoni mirënjohjen e pakufishme të fierakëve! Në përfundim të këtij reportazhi ia vlen të evidentoj konsulentët e aftë e të papërtuar ,që me mendimet e tyre bënë të mundur realizimin e kësaj mbrëmjeje: shkrimtarin Nasho Jorgaqi,profesorin e letërsisë  Frederik Jorgaqi,poetin Fran Ukcama,piktorin e talentuar Pandi Lena,drejtuesit e institucioneve kulturore e arsimore,z.Agron Xoxa,Yllka Beci,Ornela Dyrmishaj,Enrik Mazreku,etj.Një falënderim i veçantë shkon për kryetarin e bashkisë së qytetit të Fierit z.Armando Subashi ,i cili ka mbështetur fuqishëm aktivitete të tilla ,që lartësojnë e glorifikojnë vlerat e artit dhe të kulturës kombëtare.