Suplementi Pena/ Ilir Topi: Një korb i zi në ballkonin tim

1964
Sigal

Nga Ilir Topi

Ishte mëngjes.  Si zakonisht isha ende duke fjetur, kur korbi erdhi në ballkonin tim.

-Krra, krra, ti do të vdesësh!

U zgjova i turbulluar.

-Çfarë the?!- e pyeta dhe e pashë me inat për këtë zgjim të mbrapshtë që më shkaktoi.

-Krra, krra, ti do të vdesësh!

-Unë?! Tani që më paralajmërove nuk do vdes!

-Krra, krra, gjithsesi ti do të vdesësh!

– Tani që e di rrezikun, do filloj të kujdesem më tepër për veten.  Do të ha vetëm ushqime të shëndetshme.  Nuk do të abuzoj me asgjë, Do të lë alkoolin, pijet e gazuara, madje edhe ëmbëlsirat.  Frutat dhe perimet do t’i marr biologjike dhe pa kimikate.

-Krra, krra, ti do të vdesësh!

-Jo nuk do të vdes! Do qëndroj i sigurt brenda shtëpisë.  Pothuaj nuk do dal fare.  Edhe aktivitetin fizik do ta kryej brenda këtyre mureve.  Do ta mbush ballkonin me bimë e pemë, që të më mbrojnë nga ajri i ndotur i qytetit.  Do zhduk gjithë thikat e mprehta, mobiliet me cepa e do të dezinfektoj çdo cep e më pas edhe veten, që të mos më rrezikojnë.

-Krra, krra, ti do të vdesësh!

-Ah, korb i keq se më lodhe! Nuk do të shkoj më në asnjë festë e as kafene.  Do ta ruaj veten nga njerëzit dhe streset që të shkaktojnë, duke i shmangur plotësisht. më mjafton vetja! Do ta përzë qenin tim besnike nuk do të pres më asnjë mysafir, sado i afërt qoftë. Nuk do të krijoj lidhje me asnjërën.  Lidhjet janë të lodhshme. madje do të shmang edhe marrëdhëniet, pasi me kaq shumë infeksione janë bërë diçka e rrezikshme. Do të rri i vetëm në qetësinë time.  Të gjitha këto do të më garantojnë një jetë të gjatë dhe ty nuk do të të dalë aspak fjala more korb i zi!

Korbi u largua pa lëshuar më asnjë tingull.  Unë zura të jetoj pikërisht ashtu siçiu hakërreva korbit në inat e sipër.  Shita makinën dhe një shtëpi, që mos kisha nevojë të punoja e as të kërkoja borxh.

Një mëngjes, pasi kishin kaluar shumë vite, erdhi sërish.  Më gjeti zgjuar kësaj radhe.  Unë nuk çohesha më vonë. . .

-Krra, krra, të thashë që do të vdisje!

-Si the?!Ah korb i zi! I mallkuar, ma punove!

Nuk më kishte mbetur më asgjë në shtëpi me çfarë ta godisja, por doja shumë ta kryeja atë veprim të natyrshëm hakmarrës, pasi më kishte ndjellë vdekjen.  Befas një ide më erdhi ndërmend.

  • O korb i zi unë nuk kam më miq. A do të bëhesh ti shoku im?
  • Krra, krra, unë nuk kam miq.
  • Po çfarë bën gjithë ditën ti, o korb?
  • Unë veç shkoj shtupo më shtëpi e u them njerëzve që do të vdesin. Asgjë tjetër!
  • Po ti qenke më i vdekur se unë. . . ,- qesha me ngazëllim.

Korbi nuk më tha asgjë.  Befas ngriu dhe u përplas për tokë pa jetë.

Korbin nuk e hodha, por e balsamosa dhe e mbajta si zbukurim, në një cep të shtëpisë.  E leva me bojëra të ndryshme e, më shumë se korb ngjante me një papagall qesharak.

Një ditë pas një feste të çmendur që organizova në shtëpi nuk e gjeta më.  Më duket se me disa të ftuar të dehur, e përdorëm si top në një lojë të sajuar.  Do ketë rënë nga ballkoni ose ndoshta ka përfunduar në plehra. . .

Shënim: Në tregimet e shkrimtarit Ilir Topi që vjen tek lexuesi me një botim të dytë me titull: “Mbretëria e çmendurve”, ku  ka demonstruar përpjekjet për të prodhuar një pikë aluçinative, në të cilën e shkuara dhe e ardhmja duket se bashkekzistojnë në të tashmen.” Për autorin duket se mjeshtëria e të shkruarit konsiston në teknikat surrealiste të përshkrimit të misterit të ekzistencës. Ngjarjet që përshkruhen mbeten në kujtesën e lexuesit dhe krijojnë mundësi për të hyrë në mendimet dhe ndjenjat e personazheve. Pas leximit të këtij libri, bota shpirtërore e lexuesit bëhet më e pasur.