Suplement Pena Shqitare/ Baresha Ujanë dhe vdekja e Skënderbeut

717
Tregim nga Gëzim Loka
Ujana sapo i kishte mbushur te tetëmbëdhjetat dhe kishte një bukuri përrallore. Flokët e verdhë e të dredhur lëshuar në dy bishtaleca të gjatë i shkonin gjer në fund ë këmbëve, beli i ngushtë e i harkuar si ura e Bruklinit, balli i lartë si Maja e Bakullenës, sytë e zinj e të thellë si dy funde liqenesh alpine, bënin që gjithçka në trupin e saj të këndonte. Por më shumë këndonte nga mirësia shpirti i saj i mirë e i bukur, i etur për dashuri e fisnikëri njerëzore. Ishte motra e vetme e katër vëllezërve dhe sapo ishte fejuar me Vildanin, kryegardistin e Skënderbeut. Valdani ishte nga Krej Lura dhe rridhte nga një familje e lidhur me Kryeprijësin për jetë a vdekje. Qe një djalë i fuqishëm dhe plot virtyte, i cili e pati dashuruar Ujanën me vështrimin e parë. Ujana kishte lëshuar delet në kullotat e gjëra e të bollshme të shpatinave të Lurës dhe po thurte në gjergjef një motiv me temë nga lufta e Gjergjit. I fejuari që ia kishte parë motivin e pati rrokur në krahët e tij të fortë, duke i thënë me një zë të ngrohtë dhe plot emocione: -Edhe ty Ujanë të ka përfshirë në valët e saj lufta e Kryeprijësit tonë. Të jesh krenare që je e fejuara e kryegardistit të Gjergjit të Madh! -Krenare jam, qe besa Vildan! Kështu i qe përgjigjur vajza dhe pati humbur në krahët e tij, si në humnellat e rrëmbyera të Mallës në dimrin zemërak. Delet po lodronin mes barit të njomë dhe ujërave të ëmbël që rridhnin nëpër kullotën e bollshme, duke bërë që bari që vdiste në dhëmbët e tyre të rilindte brenda ditës prania e ujit. Para iu printe dashi përçorë, Rrunaku ia kishte vënë ajo emrin, që hante duke tundur këmborën dhe lazdrohej pas dimive të saj me lule, qepur nga një mjeshtër në Ceren të Kalasë së Dodës. Ujana ëndërronte dhe bënte hore nëpër livadhin e mbushur me gjelbërim, duke shkuar pas deleve që qenë ngopur tashmë dhe më shumë mërzenin e lodronin sesa kullosnin. Befas një zë sikur doli nga qielli i thyer në blunë e tij të theksuar, sikur doli nga heshtja e drurëve dhe fëshfërima e barit, nga ajri i bymyer i asaj pasditeje dhe hyri në çdo grimcë ajri e dheu. Jehonën e atij zëri e përcolli mali i Bakullenës, e thërrmuan ujërat e rrëmbyera të Mallës dhe çuan tej fusha, bregore, livadhe, gryka e hone malesh: -O vdiq Gjergji oreee, vdiq Kryeprinci i Arbërisë! Kambanat nisën të bien me furi që nga Qidhna në Arras, në Reç e Dardhë, në Lis e Macukull, në Dibër e Mat, në Lurë e Mirditë, kishë më kishë e kullë më kullë po binin kambana dhe vendin e mbuloi një heshtje e kobshme. Ujana ra në gjunjë dhe bëri kryqin. Iu kujtua Valdani… Të nesërmen, do të bënin ceremoninë e fejesës. Ishin ftuar miq nga ana e anës e gostia do të zgjaste tre ditë e net. Por tani ndryshonte puna. Vdekja e Kryetrimit do ta zhvendoste fejesën e tyre për një kohë tjetër. Ujana hoqi shaminë e kresë dhe diku në cep të saj qepi një rreth me penj të zinj, në formë zie për Gjergjin e Madh. Pasi u lut për shpirtin e tij dhe për të ardhmen e Lurës dhe Arbërisë, ajo nisi delet drejt shtëpisë, duke vajtuar me ligje vdekjen e Komandantit. Vajet e saj u përcollën derë më derë të Lurës e gratë dolën në çardakë duke vajtuar me ligje në një kor të madh dhimbjeje humbjen e Njeriut që në Lurë pati lënë shpirtin e tij të madh, që fluturonte si një zog i lirë trojeve arbërore.
Sigal