Suplement Pena Shqiptare/ Xhevahir Spahiu: Hiqi syzet, Miçooo!

657
Sigal

Xhevahir SPAHIU

MBIJETESË
Ramiz Kelmendit

Ikin ditët një nga një
Nën kosë të kronosit mbarojnë.

Po ka dhe ditë të pavdekshme
Që prej të vdekurve jetojnë.
1989

“HIQI SYZET, MIÇOOO!”
Shkëputur nga libri i Ramiz Kelmendit
“Kapuç me mëngë”

Nuk e njihni Miçon?
E përsëris: është e pamundur të mos e keni takuar asnjëherë?
Miçon, ore. Këtë tonin. Të këtushmin e të atjeshmin. Të sotmin e të djeshmin. Edhe të pardjeshmin.
Më pyesni: si e quajnë: Si i thonë?… Miço?!
Ndaleni e mejtoheni: vallë cili të jetë ky? Sërish nuk ju kujtohet.
Ka të ngjarë se ju edhe nuk e njihni me këtë emër. Ka Miçoja një aftësi të çuditshme edhe kësodore: të ndërrojë emra. Mu si fytyrat. Tashti dhe para jush e quajnë Miço, mirëpo njëherit dhe para të tjerëve mund ta quajnë, ta zëmë, edhe Jusuf-
I tillë është shoku ynë Miço.
Diku me syze. (Nuk e njihni Miçon me syze!?)
Diku vetëm me sy. Syçakërr. Sygrifsh. Sykaçkë. Sykeq. Sylugat. Sygjarpër. ..
Ta besoj, vërtet, se nuk ju ka rënë ta takoni dhe ta njihni, aty, pranë jush, sot, edhe këtu, Miçon!!!?
Miçon: Sypërmbys?
Po të jetë se nuk e njihni nga afër Miçon me syze, e njihni atë të Xhevahir Spahiut?
Po tani ç’keni? Përse habiteni?
Nuk e njihni as Xhevahir Spahiun?
Ndodh edhe kjo.
Të ju them të drejtën, ndonjë vit më parë, jo shumë, vetëm ndonjë, nuk e njihja as unë.
Më thanë, kur isha për vizitë: mbajeni mend. këtë emër. (Po, po: pikërisht kështu më thanë: mbajeni mend këtë emër” po!). Cilin emër? Këtë, pra: të Xhevahirit. Xhevahir Spahiut.
Shtuan: alamet poet. Nga më të talentuarit. Ndër të xinjtë.
Dhe shikoni ç’koincidencë, pikërisht këto ditë. Tek po ballafaqohesha, nga çasti në çast, me një si Miço të mjedisit tim, pa syze, që po më vinte pusitë nga të katër anët të më zinte më ndonjë gabmi. me sytë gapërr dhe me sy katër, një Miço të cilit as ia di emrin me tamam por ia vërej shumë lehtë dhe shumë shpejt rrjetën e hapur për të zënë gabimet e mia, “takova” sërish Xhevahir Spahiun.
Në “Fjalën” e fundit. Edhe në të parën vjershë të atyre katër-pesë vjershave të tij të zgjedhura.
Xhevahir Spahiu dhe vjersha e tij me titull (ama ç’titull!): “Miço”. Bile bile, ata të “Fjalës” (u faleminderit shumë për këto vargje), e shkruan Miçon edhe me germë të vogël. Mbase edhe pa qëllim (mendoj: të keq). Një si lojë grafike. Lojë me shkronja (punë kjo që, jo njëherë, i habit ata që kanë mësuar të shkruajnë “emrat e përvetshëm” me “germë të madhe”!).
Vallë: mos “Fjala” (e me të edhe ju, mbase) mendoni se Miçoja është “miço” ngase nuk është i “përvetshëm”?
Përse?
Për të vetmen arsye se, fjala vjen, ky imi, për ¬të cilin ju fola më sipër, ky që provon të më hyje edhe nën lëkurë, të më përcjellë çdo hap, të më masë e shoshisë çdo fjalë, të më alkemizojë e të shkoklojë çdo mendim, e sidomos PRAPAmendim, timin në pritje të pareshtur të më befasoje ne gabime, të bëjë ç’të bëjë, e si ndonjë tokë e tharë e etur për shiun, të ushqejë shpirtin e vet me gabimet e mia po them, nuk është aspak i ndryshëm nga Miçoja i tij.
Miçoja im quhet, e thashë apo s’e thashë, më sipër: Jusuf. Edhe mjafton kaq. Të paktën për mua. Nuk e di vetëm vallë i thonë Jusuf, apo ndoshta ndryshe, atij tuajit. Sado që jam më se i sigurt se e keni edhe ju Miçon tuaj. Jusufin tim.
Si kryqin e Krishtit.
E Xhevahiri ynë sikur ndjen dhembje për të gjorin Miço. Tek i lexoj vargjet e tij, sikur çdoherë, gjithandej, sa vjen e më shumë më vijëzohet ironia e thellë, e hollë, edhe ai fshikullim aq i pavërejtur, por asgjëmangut i fuqishëm, që e rrah Miçon e shkretë. Gjahtarin e gabimeve tona. Peshkatarin e njerëzve mëkatarë, që si njerëz që bëjnë hije nën diell, megjithatë, bëjnë edhe gabime.
E Miçoja i Xhevahir Spahiut (Jusufi im, Sefoja juaj), “gjaton” gabime, vë kurtha për të zënë ga¬bime, zë pusi ta qëllojë shokun gabim mu në kokë (mos e qëlloftë në zemër), e peshkon dhe e përshkon tej e përtej.
Me syze a pa to.
E njeriu, ky i shkreti (edhe unë, edhe ju), pasi i gjallë (do mend?), edhe do të gabojë. Sa njerëzore është (do mend?), të gabojë i shkreti. Do të thoja, madje, shumënjerëzore, bile! Pikërisht ashtu siç edhe i thotë poeti i ri Miços, mu në vargjet e para: “Unë s’jam i vdekur që të mos gaboj. Hiqi syzet, Miçooo!”
Po Miçoja i tij (edhe Jusufi im, Sefoja juaj), vijimisht e prore diç përtyp, si ndonjë refren: “Ç’të raportoj? … Ç’të raportoj!… Ç’të raportoj?…”
Në mënyrë të veçantë e iritojnë Xhevahirin (edhe mua, edhe ju me siguri) sytë e Miços, ata sy të tij (edhe të Jusufit tim, e të Sefos tuaj), që djallëzisht shkëlqejnë, sapo gabon Xhevahiri me var¬gjet e tij, edhe unë me ndonjë përpjekje time të përvujtë, edhe ju me mundin tuaj për mirëqenie, madje edhe të miçove, jusufave e sefove të mjedisit tone!
Miçoja i Xhevahirit, “kinse rastësisht”, u tregon shefave të vet, tek u paguan kafetë në kafene: “Vjershat i kryen në orarin zyrtar. / Dhe… si shumë iu kundërshton eprorëve…”.
Ndaj, pasi e di “që kemi edhe Miço”, poeti rri zgjuar gjithë natën mbi letër, të mos i rrëshqasë as një peshk nga dora në gurmazin e Miços dhe, me bujarinë e tij të pafund, të murosur e të gllabëruar me shikimet e tij të vjedhura prapa syzeve, tek i thërret me cinazëm “Miçooo!”, i fal “selamin” e fundit:
“E ç’do të ishe ti, more i gjorë, / Po të mos gaboja unë?….”
Mund të më thoni edhe tashti se nuk e njihni Miçon?
Alias: Jusufin.
Sefon.
Ndaj: mbajeni në mend këtë emër: Xhevahir Spahiu.
Edhe, sidomos, këtë “mbiemër”: Miço…