Suplement Pena Shqiptare/ Xhevahir Cirongu: Kronikat e djeshme, sot udhërrëfyese plot dritë në histori

775
Sigal

Refleksion

Vështrim i shkurtër rreth librit të autores Gondula Ch. Poeplau dhe autorit Halil Preniqi e Friedemann Klages me titull “URAT E MIQËSISË”, E drejta e azilit – e drejtë e njeriut

Duke lexuar me vëmendje librin në fjalë, ndjeva diçka që më thirri me atë zë të fuqishëm i cili më thoshte: ‟Puthe atë cope tokë e atë flamur”, sepse aty janë rrënjët e të parëve tanë! Sigurisht, duke shfletuar hap pas hapi gjithë fletët e këtij libri modest, preka një pjesë të historisë sonë.
Ngjarjet vijnë hap pas hapi të shtrira në hapësirën kohore sipas viteve, e si rrjedhojë ato formojnë atë trung prej lisi që u bën ballë furtunave të kohës historike. Vërshimet e ngjarjeve historike të kohës, rrjedhat e tyre sipas interesave të çastit apo afatgjatë, por edhe loja djallëzore e disa shteteve ballkanike e evropiane ndaj kombit shqiptar në shekuj ndikuan që të zgjohej vetëdija kombëtare në Kosovë.

Kronikat në këtë libër jepen të qarta, mesazhet ishin konkrete, jetësore e shtronin zgjidhje para gjithë opinionit ndërkombëtar, që çështja e mprehtë e Kosovës dhe, sigurisht, e azilkërkuesve
kosovarë në Gjermani duhet t’i jepej përparësi e zgjidhje përfundimtare, sepse regjimi i asaj kohe ushtarak jugosllav po përdorte dhunën më çnjerëzore ndaj shqiptarëve të pafajshëm kosovarë. Edhe autori i këtij libri është pjesë i këtij gjenocidi, se e ka vuajtur mbi shpatulla, por mbi të gjitha i vrarë shpirtërisht, si gjithë të tjerët me mijëra shqiptarë azilkërkues shqiptarë të Kosovës që shkuan drejt Gjermanisë apo edhe në vendet e tjera evropiane, Zvicër, Belgjikë, Angli etj.


Kronikat e paraqitura në libër shpalosin hapur atë vendosmëri e guxim që kishin azilkërkuesit shqiptarë të Kosovës në Gjermani, duke i kërkuar shteteve evropiane e opinionit ndërkombëtar, se ka ardhur koha që padrejtësia shekullore ndaj tokave të copëtuara shqiptare e, në veçanti,
çështja e Kosovës kërkonte zgjidhje emergjente. Djemtë e vajzat kosovare azilkërkues, u bën zgalemë e çanë errësirën shekullore të tradhtisë, duke ndezur semaforët e dritës së lirisë në Kosovë. Atë që s’e bëri dot politika dhe diplomacia në tërësinë e saj, e bëri vetë populli kosovar, e sidomos rinia e saj atdhedashëse deri në flijim për çështjen kombëtare shqiptare e lirinë e Kosovës.

Në fillim të vitit ’90 filluan lëvizjet e azilkërkueseve kosovarë drejt Gjermanisë. Në Kosovë, qysh nga viti 1981, vit i demonstratave masive të studentëve të universitetit të Prishtinës e në vazhdim, jeta social-ekonomike dhe përndjekja nga regjim Jugosllav ndaj popullatës kosovare u ashpërsua shumë, saqë masakrat ishin teje çnjerëzore, madje deri te të moshuarit e fëmijët; pa shkolla, spitale, universitete, pa mjete komunikimi informative, televizor e radio; deri internime e vrasje ndaj intelektualëve shqiptarë.

Nga kronikat e shtypi i kohës, thuhej se ishin afër 100- 120.000 mijë refugjatë shqiptarë nga Kosova. Pikërisht, kur forcat militare dhe policia serbe reagoi në mars të vitit 1998 ndaj popullatës Kosovare duke kryer masakra, ish-Ministri i Punëve të Jashtme Gjerman, Klaus Kinkel, shprehej se nuk e sheh të nevojshme dëbimin e refugjatëve shqiptarë të Kosovës. Dëbimi i kosovarëve nga vatrat e tyre shekullore, kishte qëllime me prapavijë politike nga shteti sllav, shpërnguljen e mos kthimin e tyre në Kosovë.

Por, koha bëri të vetën, sepse rinia kosovare ishte ndërgjegjësuar tashmë, se gjuha, toka, flamuri janë një e të pandarë. Sheshet e qyteteve në Gjermani, Zvicër, Angli, Belgjikë etj, gjëmuan nga thirrjet e fuqishme: ‟Liri për Kosovën” duke valëvitur flamurin kombëtar shqiptar. Këto manifestime të shqiptarëve ndërkombëtarizuan gjithë opinionin në Evropë e në botë. Në diasporë u krijuan disa shoqata si „‟Skënderbeu”,‟Nënë Tereza” etj., ku rreth tyre u grumbulluan shumë shqiptarë emigrantë që vepronin e zhvillonin aktivitetin atdhetar e kulturor për çështjen e Kosovës. Autorët e këtij libri janë protagonistë faktikë të ngjarjeve të zhvilluara në atë kohë, si rrjedhojë lexuesi do njihet edhe me dokumentet e shtypin që shkruhej e propagandohej për refugjatët kosovarë, apo emigrantët ekonomikë.

Ky reflektim dhe imazhet e kohës, në libër vijnë si një ‟meteor” për te lexuesi i sotëm, por edhe për brezin e ardhshëm, që e djeshmja plot sakrifica e gjaku i derdhur për liri të mos harrohen kurrë. Ishin thirrje të fuqishme, të cilat buronin nga thellësia e shpirtit të përvëluar për liri e pavarësinë e Kosovës të shqiptarëve të diasporës duke iu drejtuar SHBA-së ‟Nato ku je ti!” Megjithatë, materialet e këtij libri janë bindës për lexuesin, ato përputhen me dokumentet, të cilat janë publikuar vazhdimisht nga organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Këto e të tjera fakte e bëjnë më interesant librin e shkruar nga këta autorë. Masakra e Drenicës, 28 shkurt e 1 mars 1998, përcaktoj dhe vulosi një herë e mirë fatin e Kosovës martire.

U desh ndërhyrja e NATO, dhe përkrahja e ish-Presidentit të SHBA miku i të gjithë shqiptarëve Bill Klinton që të vinte dita e shumëpritur: Liria e Pavarësia e Kosovës! Në libër lexuesi do gjejë të pasqyruar edhe foto të ndryshme duke filluar nga personalitet shtetërore e diplomatike botërore, deri tek njerëzit e thjeshtë atdhetarë që kontribuan për çlirimin e Kosovës. Të gjitha kronikat e kohës që gjenden të pasqyruara në librin me titull: ‟E dretja e azilit – e drejtë e njeriut”, janë shprehje kuptimplotë e dëshmi historike për të djeshmen, por edhe udhërrëfyese për të ardhmen plot dritë që e pret Kosovën martire. Duke lexuar librin, të thjesht në dukje, lexuesi do gjejë aty një pjesë të historisë sonë kombëtare, e cila lartësohet si bjeshkët e Rugovës. Autorëve Gondula
Poeplau Halil Preniqi e Friedemann Klages iu urojmë suksese!