Suplement Pena Shqiptare/ Vangjush Mio: Jeta dhe vepra

2555
Vangjush Mio ishte piktori i parë impresionist në Shqipëri. Ai njihet më së shumti për peizazhet dhe konsiderohet si peizazhisti më i përkryer shqiptar i shekullit XX. Temat e tij të parapëlqyera i merrte nga Korça, Pogradeci dhe rrethinat, por ai përjetësoi në punimet e tij edhe qytete të tjera 

Jeta dhe vepra
Mio lindi më 3 mars 1891 në Korçë. Në vitin 1908 për shkaqe ekonomike ai u detyrua që bashkë me vëllain të largohet për në Bukuresht. Ishte anëtar aktiv i kolonisë së artistëve shqiptarë në kryeqytetin e Rumanisë dhe në vitin 1915 filloi studimet për Arte të Bukura në Universiteti Kombëtar të Arteve në Bukuresht. Në vitin 1919 mbaron studimet me sukses dhe në të njëjtin vit hap ekspozitën e parë personale në Bukuresht. Në vitin 1920, në vendlindjen e tij ekspozoi edhe punimet e tij. Kjo ishte ekspozita e parë artistike për publikun në gjithë Shqipërinë. Në shtator të po të njëjtit vit ai u largua për në Romë. Si admirues i madh i impresionizmit italian të shekullit XIX dhe fillim shekullit XX, ai u regjistrua në Akademinë mbretërore të Shën Llukës. Problemet ekonomike e shtrënguan atë të ndërpresë studimet dhe të rikthehet në Korçë. Këtu ai u punësua si mësues arti në Liceun Francez. Falë një burse shtetërore, ai mundi të vazhdojë studimet në Romë, të cilat i përfundoi më 1924. Pas kësaj Mio u kthye në Korçë, e cila në atë kohë qe kryeqendra kulturore e vendit. Gjatë gjithë jetës ai mori pjesë në shumë ekspozita në mbarë vendin, madje në vitin 1942 edhe në Bari të Italisë. Ekspozita e fundit e organizuar prej tij, ishte një retrospektivë e punimeve e cila u zhvillua në nëntor 1957 në Tiranë. Pak ditë më vonë, më 30 dhjetor 1957 vdiq në Tiranë. Vangjush Mio ishte piktori i parë impresionist në Shqipëri. Ai njihet më së shumti për peizazhet dhe konsiderohet si peizazhisti më i përkryer shqiptar i shekullit XX.[1] Temat e tij të parapëlqyera i merrte nga Korça, Pogradeci dhe rrethinat, por ai përjetësoi në punimet e tij edhe qytete të tjera. Përveç peizazheve, Mio ishte brilant edhe në pikturimin e portreteve. Ai ishte njëkohësisht edhe skenograf i teatrit të qytetit të Korçës. Gjatë 40 viteve karrierë të lavdërueshme ai realizoi mbi 400 vizatime dhe 130 piktura. Rreth 60 punime të tij mund të admirohen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e të bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë e vet piktorit që tani njihet si Muzeu Vangjush Mio. 
Sigal