Suplement Pena Shqiptare/ Spiro Dine, Parathënie e librit Valët e detit

1259
Që të dalë njeriu në dritë e të duket në botë, lipset mend e dituri, jo si unë që nuk di nga ziret kalemi.
Po dhembja e shkretë edhe dëshira e madhe për Mëmëdhenë që ma ka ndjerë zemra që kur qeshë djalë 3-10 vjeç, kur mësova nga prifti Panajot në fshat tim, Vithkuq, që atëherë pra më kish hipur kjo ide dhe gjithnjë ëndërroja për këtë edhe thosha që nga zemra: Ah! Sikur të kishim edhe neve Shqiptarët të shkruanim e të këndonim me gjuhën e vet! – Po kur thonë “ ç’kërkon njeriu ja dhënka Perëndia”, kështu pra më ngjau mua, se, kur erdha në Misir (Egjypt) më 1866, djalë pothuaj 20-21 vjeç, dëgjova këtu se Thimi Mitkua është shqiptar, shqiptar them se vetëm ky përpiqej për të shkruar gjuhën e vet. Kështu pra m’u shtua shpresa dhe zemra ime m’u bë sa një mal. Kur e poqa herën e parë në Han Alil ku kish shkresëtoren, më priti si mëmëdhetar i vërtetë edhe e para fjalë që më pyeti, më than ë di ndo një këngë a përrallë të vjetër. Po mua kjo m’u duk si çudi dhe vura buzën më të qeshur, po më së fundi ma mbushi mendjen duke thënë për Kamarden, prift Af-himandrit filolog i madh shqiptar nga Livorno e Italisë dhe Panajot Kupitori nga Idhra e Greqisë, edhe shumë e shumë të tjerë filologë të mëdhenj evropianë, të cilët thonë: që me këngët dhe me përrallat e vjetra të një populli, ruhen zakonet, gjuha dhe Historia e vet. Kështu pra këngët tona sikundër shikojmë janë shumë të nevojshme e të vlefshme për kombin tone, se ndër këto do shikohen të ngjarat e çdo kohe, që ka shkuar si valët e detit dhe prej këtyre mund të dale një histori e plotë. Kjo pra më dha shkak edhe mua të mbledh jo vetëm këngët popullore, po edhe çdo fare gjë të vyer e të pa vyer dhe të ja u përmend atyre që i kanë dëgjuar dhe i kanë harruar, edhe t’i mësojnë ata që nuk i dine, po më tepër për ata që do vijnë pas, duhet t’ia u bëjmë të njohura- punët e prindërve, se pa mos mbledhur dhe shkruar humbasin edhe zhduken sikundër janë humbur edhe zhdukur gjer më sot. Kështu pra mora kalemin dhe kudo që gjeja shqiptar do t’i ngarkohesha dhe do t’i lutesha të më thoshte sa që dinte. Por edhe për fat të mirë atë kohë, ndodheshin dhe Shqiptarë shumë në Egjipt, nga do të shkojnë do të piqej Shqiptarë. Karakollët e Kajros qenë plot Gegë e Toskë. Këngët e valët nuk reshtnin; bozuku, tamburaja e baklamaja buçisnin në të katër anët, na dukej sikur gjendeshim në Shqipëri; tregu i armëve (çokshilah) përveç Shqiptarëve tjetër nuk kish, më të shumët Gegë myslimanë e të krishterë Mirditas; prandaj gjeta kohë të mbledh nga të dy anët(dialekte) prej Gegëve dhe prej Toskëve. Kështu duke mbledhur dhe duke dhënë Mitkos të cilat ky i shtypi në “Mbletën”, po më të shumat mbetën për “Mbletën e vogël” e cila është gati për të shtypur, por nuk ariu i mjeri; por besoj që djemtë e tij nuk do ta lenë pa shtypur, po shpejt do ta qitin në dritë. Pasandaj sa që mblodha i mbajta, nuk ja dhashë Mitkos. Pas kohe më ra në dorë dhe Historia e Skënder-begut të cilën as që e dija as e kisha dëgjuar fare, kur e këndova mbeta shumë I mahnitur, dhe mund të them që kush prej Shqiptarëve s’ka kënduar Historinë e Gjergj Kastriotit( Skënder-beut) nuk mund të bëhet mëmëdhetar i vërtetë, se këtu do të shohë e do te çuditet e do te mahnitet me mendjen e me trimëritë që kanë rrëfyer stërgjyshërit tanë, dhe kështu ka me lavdëruar Zonë që u lind Shqiptar, dhe kur të sjellim këtë emër ta kemi për lëvdatë, e jo si ca qurravecë dhe të humbur që humbasin në lëkurën e tyre, edhe e kanë për turp të quhen se ç’janë, po fshihen si miza nënë bishtin e kalit! Duke kënduar pra këtë histori dhe duke qarë dhe duke derdhur lot psherëtima dhe thosha: ah! e varfra Shqipëri ! o vatra e trimërisë; ku paske qenë dhe ku gjendesh sot ! Që ahere pra o vëllezër, m’u mbush shpirti me mallëngjim dhe që ahere zura i shkreti të shkruaj hidhërimet e zemrës, jo si vjershëtor, se nga vjershëtorët jam larg nga qielli me thënë, po shkrova psherëtimat që më dilnin nga zemra, dhe me çdo kohë që kam shkruar kam shënuar vitin edhe vendin; në atë kohë siç dihet s’kishim shkronjat tona po shkruanim me të botës ashtu si dinte gjithkush. Kur pra doli Abetari ynë shqip në Stamboll prej shoqërisë shqiptare më 1879, – dhe më pastaj në Bukuresht, që atëherë zunë Shqiptarët të shkruajnë gjuhën e vet, e cila në pakë kohë u përhap me të katër anët të Shqipërisë dhe gjetkë, dhe që ahere çdo shqiptar shkruan dhe këndon shqip, përveç ca të humbur që janë edhe në gjumë dhe nuk hapin dot sytë. Oh ! sa qenka e nevojshme gjuha e vet në njeriu! Kjo pra ende pak kohë bëri Shqiptarët të njihen njëri me tjetrin; kjo them për pakë kohë shfaqë mëmëdhetarët dhe vjershëtorët e flaktë që u rrjedhin vjershat si ari i kulluar, dhe të tjera, e të tjera. Unë pra që të nderoj këtë libër, shumë here shkruan dhe lutesha të më bënin gjithë-kush nga një vjershë, dhe ata që më patën nderë e më dërguan ja u di për të mire, dhe gjith’ kujt i kam shënuar emrin nënë vjershën e bërësit, po nga këto 5-6 vjersha me emrin Th. K. më kushtojnë plot 15,379 franga e 60 q !!….
Pas këtyre më ra ndër mënd të mbledh të thënat, fjalë të vjetra të popullit, si dhe ca lodra e zakone etj. Siç duken në libër. Më së fundi bëra dhe ca mendjake (γνωμικά) me sa që ma preu mëndja: pas këtyre mblodha dhe emrat që kanë përdorur dhe përdorin gjer më sot populli Shqiptar. Si pashë që u mblodh dhe u bënë shumë, vura ndër mend t’i shtyp dhe t’i qit në dritë, po, kur mendoja turpin që një si unë qysh mund të dalë përpara të diturve, u hoqa dhe i plasa më një anë edhe kurrë do mos shikonin dritën, po, pas kohe më kuptuan ca mëmëdhetarë të vërtetë, vjershëtorë me mënd, këta zotërinj, them më ngutën që ta shtyp dhe të mos kem turp fare, se kjo libër, më thanë, është popullore edhe e vlershme, në mos po t’ia u jap ta shtypin ata vetë. Unë pra me gjithë këtë kurajë, përsëri nuk më mbushej mendja, po më së fundi mendova edhe një tjetër gjë, thashë më mënd e mija: unë këtu nuke shkruaj as Historinë e Piros as të Lekës së Madh, as trimëritë e Babës tonë Gjergj Kastriotit ( Skënder-begut), po shkruaj këngët edhe zakonet e popullit tonë që mund t’i shkruajë gjithë kush. Kjo pra më dha kurajë shumë dhe më nguti që ta shtyp e ta qit në dritë, pra, po në bëra mire a në bëra ligsht le ta gjykojnë ata që dinë, unë kaq munda kaq bëra, sa për gjuhën që është në ujem u-lutem këndueset, të mos vënë re, po të shikojnë vetëm qëllimin e zemrës se ku qëllon. Kështu pra them që do më ndjenjën të metat. Librin e quajta “Valët e Detit”, duke kujtuar popullin tonë që ka shkuar jetën e tij valë vale, kështu pra duke dhënë funt këtij libri, i lutem Zotit t’i falë kombit Shqiptar dëshirën e stër-gjyshërve tanë për mëmëdhenë e varfër që të arrijnë edhe ne si gjithë kombet e qytetëruar.
Sigal