Suplement Pena Shqiptare/ Sofokli Mekshi “Monolog Humoristik”

Unë populli , para dhe pas zgjedhjeve të qershorit 

- Unë populli jam aga, jam pasha, jam gjithçka …! E kush nuk më njeh mua, veçse ndonjë axhami ,ndonjë budalla, i cili ka hyrë në politikë, aksidentalisht, tash së fundmi, në politikë. Të tjerët më njohin shumë mirë mua,sidomos deputeti i listës ai edhe ajo,kryetarja e Bashkisë. Sa herë vijnë zgjedhjet e qershorit,unë,populli, marr forcë të jashtëzakonshme…, bëhem Promethe. Pa më vjen deputeti,( apo kandidati, si e quani ju zyrtarisht ), Kosta, e më kap në rrugë, më flet në emër si të më ishte vëlla nga nëna. Zoti Sheme andej,e shoku Sheme këtej. Gjithë ditën e ditës, deri ditën e votimeve, emri im lakohet në të gjithë rasat; në gojën e deputetit, të kryetarit të partisë dhe të koordinatorit të zonës sonë. Pardje erdhi,drejtë e në shtëpinë time, hyri pa trokitur fare dhe drejt e në temë: shoku Sheme vëllai, pasnesër vjen kandidati i partisë sonë, Demoni… Sa dëgjoj ketë emër, unë habitem. Diku e kam dëgjuar atë emër por as surratin dhe as hairin nuk ja kam parë në lagjen tonë. Ai e kuptoi habinë time,prandaj ndërhyri menjëherë duke më udhëzuar si të veproja.:ti përgatitu mirë, do hipësh në podium e do hapësh mbledhjen, pastaj do flas vet, se ti nuk di ç’të thuash para popullit tënd. Ti do thuash vetëm kaq: Shok dhe zotërinj votues, se ne jemi një, pa dallim. E ndërpreva duke i thënë: aman, o zoti deputet, ku di unë të flas me gojë. Por ai më ndërpreu menjëherë duke më thënë: S’di ti , të mësoj unë,- më yshti deputeti Kosta. Më hipi në podium, por unë me vështrim nga ai, nuk flisja dot, më ngecën fjalët në fyt… E mblodha veten dhe ja nisa ashtu, siç dija unë, popullorçe: shok e zotërinj, se ne jemi një , siç me ka mësuar deputeti,, ne do të votojmë në qershor. Ne i njohim mirë partitë, i njohim edhe kandidatët e tyre. T’u vëmë vulën , ashtu siç dimë ne vet. Aq thash unë dhe zbrita poshtë tek miqtë e mi popull. Në podium u ngjitën ata, të përhershmit, të dërguarit e qendrës, deputetët e shumë të tjerë, të cilët as nuk i kisha parë ndonjëherë… Filluan të flasin e të premtojnë gjëra që as në përrallat e Andersenit nuk i kisha lexuar” Të dashur Shqiptarë, ne vijmë para jush t’ju kërkojmë dorën, si shkuesit dikur që kërkonin nuse, ajo Dora juaj, me të madhe, është flori e pjell flori, o popull, por ju nuk e dini këtë mrekulli që del nga ajo votë. Ne, në këmbim të sajë do hapim 5oo vende pune në lagjen tuaj, 500 km. rrugë të reja në fshatrat nga keni ardhur ju. Do edukojmë dashurinë për punën , se ju, populli, nuk dini apo nuk doni të punoni. Për këtë jemi ne”. U habita kur dëgjova këto fjalë dhe bëra tutje, të largohesha nga mitingu, por nuk më lejuan disa të panjohur… “ Ku vete ti, ore milet, kthehu se për ndryshe… i shikon këto grushte?!” Isha futur në kurth dhe, desha s’desha, u futa në vathën e tyre duke dëgjuar… Ajo, kandidatja Dudumi, ma prishi mendjen fare. Sos që ishte nga krahina jonë, por ajo ishte edhe shumë e bukur! Nuk mbajta mend asgjë nga ato që tha, veçse atë fjalinë e fundit “ Rroftë populli, rrofsha unë, rrofshin kandidatët e partisë tonë!” Dreq o punë, fola më shumë me vete sesa me zë, për mua e kishte fjalën ajo, apo për veten e saj…(?)” Siç duket ajo e kuptoi habinë time dhe shpjegoi,” po, po, edhe unë popull jam, një nga ju, për ju do luftojë atje në parlament, të dëgjohet edhe zëri i grave të Bregut. i tronditur, por më shumë i entuziazmuar nga ato që dëgjova, i thash vetes: mbaju more burrë, na erdhi e mira tek dera, pse të mos ia hapnim atë?!! Grua është, nga zona jonë e kemi,pse mos ta votojmë, fundja ç’humbasim ne, një copë letër me vula është vota.!. U ngrita e fola përsëri, u zotova se lagja jonë do ta votonte, në mos 100 %, 98% sigurt.” Pas këtij zotimi, të gjithë ata të presidiumit, më ngritën hopa, më përqafuan e më shpunë deri në kupë të qiellit. Unë isha dehur pa pirë asnjë gotë. Më shëtitën me benza e fuoristrada luksoze, më dhanë verë e raki, dolli e mish keci nga do. Nuk po e kuptoja fare se ç’fare po ndodhte me mua, popullin. U ngopa me të mirat, u deha nga vera e nga rakia e Skraparit,por edhe ajo e Përmetit shumë e fortë ishte. Kisha katër vjet që e prisja këtë ditë, dhe ajo erdhi fare pa kuptuar. Vetë kryetari i madh i Partisë fliste për mua. Unë s ‘para i kuptoj fjalët e tija, por ato, më të shumtat i marr vesh. Ku ai e ku ne. Ai Kalorës e unë me këmbë, s’kam as gomar. Erdhi fshat më fshat, qytet më qytet e lagje me lagje, me fletoren e premtimeve në njërën dorë, e me gërshërën e inaugurimeve në dorën tjetër. Ama nuk do të harroj datën 15 qershor, kur vet ambasadori i Madh, më mori për dore e më ngriti aq lart, sa mua m’u morën mëndtë fare. Munda të dëgjoja këto fjalë- lapidare , siç i quajti gazeta e ditës,” Atë që nuk e bën dot politika, bëjeni ju, me votën tuaj! Shteti ynë i madh ka besim vetëm tek ju,populli. Pastrojeni politikën nga të inkriminuarit. Unë nuk e kuptova atë fjalë të huaj,por Lulashi që e shoqëronte, nuk më la në habinë time dhe shpjegoi” Ata me rekorde kriminale, hiquni vizë, nuk na duhen njerëz të atillë!” Përsëri nuk kuptova gjë dhe guxova ta pyes kryetarin tim: “O zoti kryetar, atje në fletën e votimit, nuk ka emra njerëzish, si të bej unë i padituri?! Dëgjo, o zoti Sheme!, -m’u përgjigj ai menjëherë, -E di Partia se ç’njerëz vendos, ju hidhni votën për të, më besoni mua!” Ma mbushi mendjen top dhe unë, me 21 qershor, shkova ta hedh votën time atje ku kisha vendosur. Rreth orës 7 e 30 minuta iu drejtova qendrës time të votimit. . Para derës më priste ai, koordinatori i partisë për zgjedhjet, më mirëserdhi buzagaz duke më thënë: “Erdhe popull vëllai, mbi siglën tonë, bëj një kryq nëse je kristian ose x nëse je mysliman, dhe aq mbaroi kjo punë!” Isha i kthjellët nga gjumi i natës dhe i thashë serbes – serbes: “ Po mirë, ore mik, unë ta dhashë votën time, po ti ç’farë do më japësh, ndonjë qerasje. Ai mori vrull dhe, pa e zgjatur, me solemnitet me tha:” do para, të jep deputeti ty, do ujë në çezmë 24 orë, të hënën, e shumta deri të shtunë, e ke te rubineti, do rrugë që të shkosh në fshat nga ke ardhur?; e shumta për dy – tre muaj bën gati makinën dhe nisu; do punë ti për djalin, ta nisim ne, drejt për Gjermani. Aman o Sheme se na vdiqe, shko hidhe atë copë letër te vendi dhe eja të marrësh zarfin me 100 euro. Hajde, hajde o Sheme, vota jote 140 mijë lekë. Rrofshin zgjedhjet, ishalla ç’do javë bëhen votime, se bashkë me ndihmën ekonomike, bëhen goxha lekë, e i them fukarallëkut tutje. Atë ditë, rashë për gjumë shpejt, isha shumë i lodhur; 180 ditë fushatë. Më doli gjumi të nesërmen nga dreka. Dola në rrugë, asnjë këmbë njeriu. Ia kishte filluar një shi, shoqëruar me breshër të ftohtë, lart binte dëborë e madhe. Nuk pashë kohë të mirë për shumë kohë, pale që dielli ishte zhdukur fare. Ç’ kishte ndodhur vallë? Gjithë ajo zamallahi! Gjithë ajo zhurmë e gjithë ato postera e biseda televizive me analistët e pavarur, ishte kthyer në heshtje varri, si i thonë. Dola një ditë, në mes të shiut të takoja kandidatin; ai ishte bërë deputet me votën time, kryetar i degës së partisë sime, ishte bërë zëvendësministër i jashtëm, koordinatorin e kishin bërë drejtor të OSHE-s, ndërsa aktivistja e lagjes sonë ishte caktuar , drejtore në …?! Madje edhe ai shoku im, Çimi, ishte emëruar zv. Kryetar në Bashki nga partia e opozitës. Ç’bëhet kështu more aman, pëshpërita me vete i dëshpëruar. Ai, Çimi, po po ai, më mbushte mendjen mua të mos e votoja kandidatin, dhe pikërisht ai ishte bërë i madh! Shkova ta takoj Çimin, më mbylli derën duke më thënë se atje poshtë shko, tek zyra me një takim, s’ka më si dikur, e hodhe votën, tani dimë ne ç’të bëjmë me ju. Andej shkova në fshat të mbillja ca rrënjë ullinj, por xhadeja ende copë- copë, s’kishte filluar puna për rregullimin e saj. Hap çezmën, pikë ujë nga ujë i premtuar non stop 24 orë që na premtoi deputeti. Shkova të marr hipotekën e sheshit te ndërtimit që e kisha paguar para 10 vjetësh, dhe atje asgjë. Mor shok, i thashë drejtorit të hipotekës, më 20 qershor kandidati më tha të vija të hënë e ta merrja, kanë kaluar dy vjet dhe asgjë nuk po bëhet?! Ç’të të them unë, o vëlla, janë bllokuar nga kontrolli i shtetit, …Hej medet ç’po ndodhte kështu në këtë vend! Ajo, shefja e kadastrës ishte shpirt njeriu dhe me tha të vërtetën:” More Sheme, se të kam edhe të njohur, po i besove ti të gjitha ato që tha kandidati? Unë të di të zgjuar. Që të plotësohen të gjitha ato, do duhen nja tre buxhete dhe të shohim, dalin apo jo. More 100 euro ti dhe kujtove se i mbarove të gjitha hallet? Durim Sheme, durim! I turbulluar dhe i tradhtuar,- ia ktheva”. i besova moj zonjë, si te mos i besoja, kisha djalin pa punë, kisha familjen pa bukë, ai më premtoi para gjithë qytetit, gënjen burri botes ashiqare?! I çoroditur dola nga zyra dhe u enda rrugëve të qytetit tim. Ç’dëm të madh i kisha bërë vetes me atë copë letër –vote, ajo paskësh qenë minë me sahat për mua, ndërsa për kandidatin paskësh qenë Telebingo. Bëra poshtë me ulërimë, por nuk më dilte as zëri. Mi kishin marrë të gjitha me atë votë, më kishin lënë pa fuqi, pa pushtet. Edhe zërin ma kishin marrë. Me gjysmë zëri munda të flisja e bërtisja: “Ç’u bë vota ime? Ai, miku i opozitës, ma bëri paq kur ma ktheu prerazi: “Kërkoje aty ku e hodhe!” Ishte vallë një ëndërr mashtruese si ajo e librit të Kadaresë apo unë isha personazhi i tij që vija nga koha e Babaqemos drejt e në demokraci, duke mbetur i njëjti njeri! Mirë ma bënë të gjithë, më ngritën për pak kohë, shumë lart, më dehën me verë e raki, më goditën me heshtë në thembrën e Akilit e pastaj më lëshuan të vdekur në tokë. Do më shohin në votimet e 18 qershorit, se kush jam. Që nga malet e Olimpit o Shqiptarë, do lëshoj gurë gjigantë, do ta mbys fare, këtë farë të keqe, me votën time do t’i shporr nga faqja e dheut tim. Në subkoshiencen time politike, do të ruaj urrejtjen e pabesisë së partive dhe do të bëhem vet zot i fateve te mia. Këtë radhë, nuk më mashtroni dot. Rrofshin zgjedhjet, poshtë partitë, rroftë Vota dhe populli ynë votues!