Suplement Pena Shqiptare/ Pozaet Qose: Hijet e vetëdijes dhe nënvetëdijes sonë

1024
Sigal

Pozaet QOSE

HIJET E VETËDIJES DHE NËNVETËDIJES SONË
-Shënime për romanin “Hijet kanë frikë të rrinë vetëm”, i autores Anita Zela Varosi-
Panairi i librit, në muajin nëntor, të vitit 2016, vendosi në stenden e botimeve të shtëpisë botuese “Dudaj” edhe romanin e Anita Varosit “Hijet kanë frikë të rrinë vetëm”. Jo vetëm për Anitën, por edhe për letërsinë gramshake, botimi i tij ishte një hap i guximshëm dhe i mirëpritur, për ta pasuruar dhe emancipuar prozën e kësaj treve dhe letrat shqipe, në udhëtimin e tyre të vështirë, për të përballur harresën e kohës.Për Anitën kjo nuk ishte përvoja e parë në prozën e gjatë. Pas romanit “Fat i çmendur”, që ishte një sprovë e romanit me shumë hapësirë kohe brenda vetes, romani që e pasoi ishte një sprovë letrare me format e shfaqjes së vetëdijes e nënvetëdijes sonë.Koha e veprimit të tij vendoset në të sotmen, në një mjedis urban, që i shtyn ditët pothuaj brenda kufijve të asgjësë, ose të gjumit të tij të pasosur, pa ndonjë përpjekje për zgjim. Pamja e tij mund të kundrohet si tabloja alegorike e një vendi, që ka hequr dorë nga kërkimi, për të ndryshuar diçka dhe s’bën gjë tjetër, veçse ndërron trishtueshëm fletët dhe numrat e kalendarit, të cilët vetëm formalisht paraqesin rrjedhën e kohës.Arturi dhe Danieli janë miq të vjetër; të dy të arsimuar, me një emër të mirë mes njerëzve që i rrethojnë, për shkak të pozitivitetit e mirëkuptimit që kanë me ta. Të dy pa jetë familjare; të parit i ka vdekur e shoqja, ndërsa i dyti është beqar, që e ka mënjanuar krijimin e famlijes, i harruar pas së përditshmes.Danieli e fton Arturin të bëjnë së bashku një investim të madh, i cili do t’u dhurojë shumëçka që nuk e kanë pasur deri më atëherë. Gjykoj se kjo nismë eshtë një shkrepëtimë e nënvetëdijes, si një sprovë, për t’u vetëpohuar në një kontekst të ri qenieje. Them kështu, pasi asnjëri prej tyre nuk e ka nevojë të domosdoshme financiare t’i futet një aventure të tillë, por e bëjnë për të testuar koeficientin e qendresës përpara sutuatave të vështira, të cilat do t’i japin një kuptim tjetër jetës së tyre e do t’u ngacmojnë adrenalinën, e cila, prej vitesh, duket sikur është mërguar larg nga ata.Pas kësaj duket sikur çdo gjë hyn në qerthullin e monotonisë, derisa rastësisht shfaqet ne jetën e tyre Natalia. Ajo nuk duket të jetë vetëm portreti i erosit, por dekodifikuesi i nënvetëdijes së Arturit, ashtu si ka qenë edhe më parë për Esrinin, nje tjetër personazh ky, me botën e tij komplekse. Ardhja e saj e beftë i gjallëron ngjarjet e personazhet, duke u dhënë një tjetër rrjedhë, e cila mundëson shfaqjen e plotë të të gjitha të fshehtave të shpirtit njerëzor. Veç kësaj, prania e Natalisë vjen si kumti i dashurisë së munguar, për të cilën kemi nevojë të gjithë e gjithnjë, jo vetëm si qenie biologjike, por si krijesa të një lloji të veçantë, pa të cilën bota na duket një ferr i pashoq dhe jeta një gur i tmerrshëm Sizifi. Pesë personazhe i japin frymë veprës, por jo të gjithë mbajnë të njëjtën peshë në rrjedhën e subjektit. Esrini dhe Hakiu, më shumë se sa rrjedhë e vetë rrëfimit, shfaqen si një lëndë lidhëse për të dhe si ngacmim, për të zbuluar më qartë fatet e tre të parëve.Meritë e Anitës është se secili prej tyre ka botën e vet, rrethanat e veçanta jetësorë, që i kanë formësuar si të tillë, për të plotësuar pazllën e së tashmes dhe të së shkuarës. Ata nuk jetojnë të kompleksuar, bëjnë atë që u duket më e përshtatshme, që të ndihen të plotësuar, duke i dhënë kështu shpirt njeriut, ashtu si ai është e jo si do t’i pëlqente shumëkujt prej nesh të ishte.Të tillë ata shfaqen edhe në mënyrën si komunikojnë me njëri-tjetrin dhe kjo është një vlerë tjetër e veprës, sepse autorja nuk ka krijuar paradokse mes veprimit e gjuhës së personazheve të veta. E veçoj edhe këtë gjë, si meritë të procedimit artistik në këtë vepër.Kërkimet psikologjike vijnë shpesh si shprehje e pamundësisë së shpjegimit të veprimeve që kryejne vetë personazhet ose të tjerët, që kundrohen prej tyre. Arturi paguan çmimin e guximit të vet, duke u bërë një i akuzuar i drejtësisë, së cilës i shpëton, duke dhënë rryshfet të majmë. E veçova edhe këtë moment, për të pohuar një të vërtetë tragjike të ditëve tona; atë të korrupsionit në drejtësi. Anita ia ka dalë mbanë si duhet që, nëpërmjet trillimit artistik të ngjarjeve, të na bëjë të pranishme problemet e shoqërisë ku jetojmë. Përsëri, edhe ky akt, është një shprehje e nënvetëdijes, pasi Arturi paguan, duke iu bindur institnktit të mbijetesës dhe për të kjo është zgjidhja e pranuar me kohë prej të gjithëve, së cilës ai nuk dëshiron t’i shmanget, duke dashur të bëjë heroin.Romani përfundon me dy aksidente dhe një vdekje; aksidenti i Natalisë dhe Arturit dhe vrasja aksidentale e Hakiut. Dy të parët mbesin të gjymtuar, ndërsa i treti largohet nga kjo botë, pasi nuk ka çfarë bën më këtu. Prapë është nënvetëdija ajo që i çon personazhet drejt këtij fati, sepse arsyeja do t’i kishte drejtuar drejt të tjerave zgjidhje. Shpesh pasioni e ka drejtuar jetën e tyre dhe po ai vendos se ç’do të ndodhë me ta në çdo hap të ekzistencës.Në përfundim të këtyre shënimeve do të thosha se në këtë libër bashkudhëtojnë pëlqyeshëm me njëri-tjetrin rrëfimi tërheqës dhe përshkrimi psikologjik, meditimi motivues e dialogu i këndshëm e i rrjedhshëm, të cilët, sipas meje, jo vetëm nuk e lodhin lexuesin, por bëjnë më të ndjeshëm të shqyrtojë portretin e vet, i cili i shfaqet gjithnjë i njohur dhe i panjohur, njëkohësisht.