Suplement Pena Shqiptare/ Partizan Myftari Gjak Deputeti

337
Plaku u zgjua herët si ditët e tjera. Futi dorën nën jastëkun e mbushur me lesh qengjash dhe mori pultin e televizorit. Flinte me atë te koka sa zihej edhe me nipin e vet. Nipi kërkonte të shikonte filma me kartonë, e, për të qeshur, plaku ngjitej të dëgjonte vetëm lajme…Plaku vinte i dobët, i hequr ca flokë të rralla dhe të pa qethur por i shndrinin me atë thinjat në një gri të ëmbël. Jashtë mëngjesi i fshatit hapte kraharorin me zhurmat e tij të zakonshme dhe mes lastarëve të pjergullave, si të ishin brinjë të stërzgjatura njerëzore rrëshqiste një ajër i pastër. Ajri kulloste mbi pemë e lule e arrinte nën hundët e plakut si një ngacmim që ia bënte shtratin ferr. – Kafenë! ,- thirri me gjysmë zëri. – Kafenë kur do të ma sillni?! Nuk u përgjigj askush. Dera e dhomës ishte hapur. Qeni në oborr lehu fortë e pastaj në korridor u ndjenë disa hapa të shpejtë. Ajo u fut në dhomë si një sorkadhe e shpejtë dhe me buzëqeshje të çiltër iu drejtua plakut. – Ke një qen budalla, o xha Hasimi! Plaku u hutua nga hyrja e papritur e infermieres së fshatit. Ajo nuk vinte kaq shpejt për ta vizituar dhe nuk vishje kurrë kaq bukur. Plaku u hutua. Infermierja kishte veshur një minifund të kuq, një palë atlete të kuqe me lidhëza të bardha, flokët i kishte rregulluar bukur, fytyra i shndriste prej kremit dhe parfumi i hedhur ia kishte zënë shtegun ajrit dhe luleve të ballkonit. Pamja e saj e bukur vajzërore sikur e lumturoi dhe harroi se kishte kërkuar kafe. Zgjati duart sikur donte t’i prekte fytyrën e bukur dhe të lante gishtat tek drita e syve të saj. I buzëqeshi, tundi kokën si me përkëdhelje dhe shtoi vargjet e një kënge të vjetër.”Nuse moj ma trembe qenin
Me atë çapin e lehtë
Qeni di ku e shtie dhembin
Ti moj mollë varur në fletë…
Infermieria qeshi si me delikatesë dhe i ra lehtë shpatullave të plakut i cili ndezi televizorin. – Do të bëj gjilpërën, do të mas tensionin dhe do të iki se jam vonë ,- nxitoi infermieria dhe prej çantës nxori mjetet e punës. – Ngadalë moj bijë! Kemi gjithë ditën përpara. – Do të shkoj në qytet e nuk kam kohë. – Po unë nuk ndjehem mirë, sot ,- tha plaku. – Ja të shikojmë tensionin njëherë ,- ia ktheu infermierja. – Tani kthehu të bëj gjilpërën. Plaku u kthye si i lodhur. Ajo i bëri gjilpërën. Televizori filloi nga lajmet. Spikerja dha lajmin se kishte filluar si një aksion i madh nisma e deputetëve të vendit se do të jepnin e dhuronin gjak falas për të gjithë qytetarët dhe spitalet e rretheve. Plaku u ngrit përsëri dhe lajmi i gjakut të deputetëve sikur iu ngul si gozhdë në tru. Ishte një haber i mirë. Të merrje gjak deputeti diçka shtohej edhe brenda organizmit të njerëzve të vobektë.. – Ma jep krahun ,- ia prishi rrjedhën e mendimeve infermieria. Plaku, i hutuar, zgjati krahun drejt saj por nuk ia hoqi sytë televizorit. Vazhdonte kronika me deputetët vënë në radhë që i buzëqeshnin njeri tjetrit, mjekëve, infermiereve që merreshin me rregullin e dhënies së gjakut. Mbi krevat ishte shtrirë një deputet i shëndoshë dhe këmishën që i rrinte si e ngushtë po ia zbërthenin dy infermiere të bukura me aq delikatesë sikur po gudulisnin atë dhe ky i fundit donte të kishte në ato çaste njëqind krah e njëqind këmisha që t’ia zbërthenin e rregullonin ato dy infermieret e bukura. – Nuk e ke tensionin mirë xha Hasimi ,- i tha infermieria. – Si?! – u habit plaku. – Duhet të bësh një kontroll të përgjithshëm. – Pse?! – vazhdoi plaku. – Duket sikur ke mungesë gjaku. – Kam mungesë gjaku?! Infermieria donte t’i thoshte se je pak anemik por nuk ia shpjegoi dhe vazhdoi: – Do të ishte mirë të bëje një kontroll të përgjithshëm tek specialistët. – Ku?! – Merr kembët me vete e shko gjer në kryeqytet. Atje i gjen të gjitha. Plaku u tremb. – Kur të shkoj?! Më pret sahati?! – Sa më shpejt, aq më mirë ,- ia ktheu infermieria. – Po iki unë, xha Hasimi se me ikën urbani tani që më shpie në qytet. Ajo iku dhe plaku i trembur mbeti vetëm. Televizori kishte filluar të jepte lajme të tjera. Plaku filloi të dridhej nga frika. Mori telefonin dhe i bëri një zile të birit që ndodhej emigrant. Nuk kaluan pak minuta dhe i biri e mori në telefon. Plaku i rrëfeu. – Dëgjo këtu, të keqen babai. Unë nuk jam keq, por një kontroll për merak dua ta bëj. Më tha edhe Trëndafilja e Karafilit, infermierja e fshatit ajo bukuroshja që i bën edhe lulet të ulin kokën kur ikën me rrobat e saj të kuqe. Kontrollin do ta bëj në Tiranë se atje i gjen të gjitha. Ka edhe gjak deputeti. Deputetët po ndihmojnë popullin dhe po japin gjak nga gjaku i tyre. Merr në telefon Faslliun, kryetarin e komunës të më shpjerë e marrë me makinën e tij. Një ditë gjë është ajo punë. Tërndafilja e Karafilit më tha, se kam nevojë edhe për gjak. Të marr edhe unë pak gjak të keqen babai, se tani në pleqëri nuk më ka mbetur gjak fare. Po mora pak gjak, nga ai gjaku i firaunëve, do t’ia marr edhe unë këngës nën hijen e shegës ku edhe e kuqja e Trëndafiles të harbohet. Të kam rixha, or bir, rregulloma edhe këtë hall. Ndërsa fliste plakut i shkuan mornica në trup. I biri i tha ta mbyllte telefonin se do t’i merrte ai masat që të shkonte për vizitë ashtu si dëshironte ai. Faslliu, djalë fshati ishte, mbasdite shkoi tek shtëpia e plakut. E gjeti duke pare televizorin dhe kronika për gjakun e deputetëve ishte dhënë në të gjitha edicionet e lajmeve… Fantazia e plakut lëvizte më shpejt se kronikat dhe kalonte nëpër tru të gjithë deputetët që njihte. Edhe ata të zonës. Votimet e fundit kishte qenë keq por e kishin hipur mbi një gomar dhe e mbanin anash dy persona. I treti tërhiqte gomarin për të mos humbur një votë. E kishte hedhur votën ashtu si i kishin thënë edhe pse me veten e tij thoshte: “Një m…t janë të terë këta!” E kishte thënë kështu apo jo?!… Kafshonte gjuhën dhe mendonte se nuk ishte sigurt për fjalën m…t. Nuk duhej ta kishte thënë se pastaj i ikte edhe dëshira të merrte pak gjak prej tyre… Faslliu , kryetari i komunës ia preu fillin e mendimeve. – Je gati?! – e pyeti. – Përse?! – ia ktheu plaku i hutuar?! – Nesër do të shpie të bësh disa kontrolle në kryeqytet.,- dhe u ul në krah të krevatit. Plakut i ndritën sytë, lëshoi pultin dhe përkëdheli krahët e Faslliut. – Faleminderit, or bir! Të tha Veseli në telefon? – Po. – Rrofsh! – Të rroj Veseli edhe ty sepse edhe mua më ka ndihmuar shumë. Më ka bërë një nder dhe tani dua t’ia shpërblej. – Eeeeh, more bir! Nderi me nder shpërblehet. – Ke qenë në spital ti? – Njëherë vetëm. – Të ka dhenë gjak Veseli im?! – Veselin e kam flori djalë! Nuk prishet me asnjë. Edhe kur ishte drejtor shkolle një sherr nuk më bëri. Ja, edhe ty të paska bërë mirë. Të paskan dhënë gjak… – Jooo,…po,… ,- kërkonte të shpjegonte Faslliu plakun por e mbajti gojën në çastet e fundit. – Familjet tona kanë shkuar mirë gjithmonë, – i tha plaku. Faslliu tundi kokën e tij të madhe, e cila kishte formën e një tunci të vogël të kthyer përmbys lidhur mbi një qafë që kishte filluar të trashej. – Nesër do të ikim shpejt ,- i tha Faslliu. – Mirë, or bir, mirë, kështu mbarojmë edhe punë. Më rrofsh! – Nesër do të kthehemi përsëri këtu ,- i tha Faslliu. – Kam shumë punë nëpër kembë. Plaku u përtyp. – Po nuk mbaruam punë?! – Do të mbarojmë, do të mbarojmë ,- i tha i sigurte Faslliu. – Edhe punën e gjakut?! – Cilit gjak?! – Gjak deputeti. Infermieria më tha se jam anemik dhe kam nevojë për gjak. Faslliut i erdhi një buzëqeshje ironike në buzë por nuk e lëshoi. Nuk e dinte këtë historinë e gjakut të deputetit.– Pse deputeti?! – Deputetët po u dhurojnë gjak spitaleve të vendit. Vendi është në krizë, hequr e dobësuar dhe vetëm ata për t’i ngjallur shpresat vendit po japin gjak nga gjaku i tyre. – Mmhm! – mërmëriti Faslliu dhe donte të ikte sa më parë për të mbyllur një pazar pune me një firmë ndërtimi që do të shtronte një rrugë me asfalt. – Djem të mirë, jo?! – tha plaku dhe shtoi: – Ti si mendon?!… Të kenë gjak të mirë ata?! – Pooossssiii! – ia ktheu Faslliu. – Të bëj gjaku i tyre për mua?! – Pooosssiii! – Jo se unë jam plak, jam brez i vjetër, jam ushqyer ndryshe… dhe… – Mos u mërzit, xhaxha! Të gjitha do të rregullohen. Nesër, herët, po vij vet të të marr dhe do të nisemi. – Më paç uratën, or bir! Më paç uratën! – Nuk ka gjë, xhaxha. Nderi me nder shpërblehet. Faslliu i rrahu shpatullat plakut dhe po dilte. – Se mos harron, or bir! – Jo. – Se ti e shikon vet mezi qëndroj në këmbë. Po të marr edhe pak gjak ndoshta do të rroj edhe ca ditë më shumë. Le të vdes edhe unë me gjak deputeti në trupin tim të vobektë. – Do t’i bëjmë të gjitha, o xha Hasimi ,- i tha Faslliu dhe iki me nxitim pa pirë edhe një gotë raki. Plaku e njihte familjen e Faslliut. Nuk ishte njeri i keq. Kishin qenë pak të prekur në biografi por i ati i Faslliut dinte t’i lëvizte gurët mirë. Fëmijët nuk ia shpunë në shkollë të lartë, por nuk i ngacmonin shumë. Thuhej se i ati i Faslliut ishte bërë edhe spiun i Sigurimit të Shtetit i kallëzonte, me shumë terezi, atje ku duhej për të gjithë gojë lëshuarit e djeshëm. Plaku ndezi televizorin dhe i thirri të shoqes të përgatiste teshat për rrugën e nesërme. Ai nuk e dinte saktësisht se çfarë nderi i kishte bërë Veseli, djali i tij, kryetarit të komunës. Kujtonte se i kishte dhenë gjak por në fakt Veseli, kur ishte drejtor shkolle i kishte përgatitur Faslliut një dokument fallco sikur ky i fundit pati mbaruar shkollën e mesme. Pasi mori dëftesën e shkollës së mesme u regjistrua në Universitetin e Shkodrës dhe vazhdoi të lartën. Sa mbaroi të lartën për veteriner iu fut edhe juridikut për të pasur një diplomë rezervë. Thuajse askush nuk e dinte këtë lëvizje të Faslliut por ai vazhdonte të hante dalëngadalë ashtu si po ngjiste edhe shkallët e karrierës. Po ia kalonte edhe të atit me marifetet. Veseli ia kishte lëshuar certifikatën thuajse falas dhe ishin betuar mes tyre se nuk do t’i tregonin askujt. Faslliu, i cili nuk i besonte shumë Veselit, me dy tre djem, në mesin e natës, pas dy tre muajsh, shkoi tek drejtoria e shkollës dhe vodhi regjistrat që ky muhabet të harrohej e varrosej përgjithmonë Faslliu ngjiste çdo ditë shkallë, Veseli kishte emigruar diku në një provincë të Gjermanisë ku merrej me punë bujqësi si vreshtar dhe xha Hasimi plakej në fshat me thinjat e tij, me merakun se mund të vdiste më shpejt se sa duhej… Gjithë jetën e tij kishte punuar me ndershmëri pa i hyrë në hak askujt. Të nesërmen u nisën herët. Plaku nuk kishte bërë gjumë natën. Më shumë se sa kontrollet e kishte merakun tek gjaku që i duhej për trupin e tij. Nuk do të kthehej pa gjak. Në ëndërr i shfaqeshin deputetët që i shihte në mbledhjet e kuvendit dhe shumë prej tyre i kishte fiksuar në fytyrë. Kujtonte kur diskutonin, grindeshin e rriheshin. I vinin në mendje ata që rriheshin me karrige e me rripa por edhe ata që flinin e gërhisnin nga fundi i sallës. Do të lutej t’i jepnin gjak burrash se gjak femrash nuk i duhej sidomos gjaku i asaj deputetes që varte burra tek palma e saj… Faslliu nga ana e tij i kishte mbyllur bisedat mirë me firmën e ndërtimit dhe nuk do të dilte pa gjë. Dora që do të merrte si bakshish do ta ndihmonte të mbyllte edhe ato pak punë tek vila që po bënte në kryeqytet. Me Veselin, djalin e xha Hasimit, thuajse nuk fliste kurrë në telefon por kësaj radhe vendosi ta ndihmonte… Nuk ia kishte më nevojën por po e bënte si një mirësi të munguar. Sapo kishin kaluar Beratin dhe po futeshin në qytetin e Lushnjes Faslliut iu prish makina dhe mbetën në mes të rrugës. Plaku nuk e kuptoi në fillim dhe kujtoi se po qëndronin për një kafe Sapo kishte zbardhur dita. Aty pranë nuk kishte asnjë lokal. – Na u prish makina, xhaxha! – i tha Faslliu. – Mooos! – u dëshpërua plaku. – Po tani?! – Mos u mërzit! Kam plot miq unë.. – Do të arrijmë?! – Patjetër. Ja po bëj një telefonatë një mikut tim këtu në Lushnje. Faslliu zbriti nga makina dhe formoi një numër. Zilja nuk zgjati shumë dhe iu përgjigjën menjëherë. – Selim! Ti je?! – Po! Kush flet?! – Jam Faslliu. Faslli Qerreti, kryetari i komunës së…. – Ooooh! Po si je? – Jam nisur për në Tiranë por mu prish makina këtu në Karbunarë. Kam me vete një plak matuf, plak budalla që do ta shpie në Tiranë për një kontroll mjekësor. – Kush?! Babai yt është sëmurë?! – Jooooo! Babai i një mësuesi që ka ikur emigrant dhe ka harruar pleqtë e tij. Plaku është bërë si budalla dhe ka frikë nga vdekja… – Moooos! – tha zëri nga ana tjetër. – Ka rrjedhur fare, pikë. Më ndihmon dot?! – Aty më prit se erdha ,- i premtoi kryetari i bashkisë së qytetit. Faslliu u ndje mirë. Hyri në makinë. Plaku nga lodhja po dremiste me kokën varur dhe gojën gjysmë të hapur. E vështroi ashtu për pak minuta dhe pastaj duke e prekur lehtë në fytyrë e zgjoi nga dremitja plakore. – Arritëm?! – pyeti plaku. – Jo. Jemi në Karbunarë akoma. Do të ndërrojmë makinë se kjo jona nuk shtyhet më tej. Plaku ishte ende përgjumësh. – Mos iu mbarua gjaku edhe kësaj ?! – tha plaku. – Të është bërë mendja, gjak, xhaxha… Plaku preku thinjat e bardha. – Nafta, nafta ,- tha dy herë si pa kuptim. Faslliu zbriti dhe filloi të shtynte makinën si të hapte rrugën më mirë. Pas pak arriti edhe bashkiaku i qytetit. Si u përshëndetën hipën në makinën e tij që ishte me e re dhe me luksoze. Plakun e hipën mbrapa. Faslliu hipi në vend të parë. Me plakun në krah ishte edhe një fëmijë aty tek shtatë – tetë vjeç që dukej se po flinte akoma. – Është im bir ,- sqaroi bashkiaku. – Gruaja ka shkuar me një delegacion jashtë shtetit për punë eksperiencash dhe unë nuk dija ku ta lija djalin kaq herët dhe e mora me vete. Plaku ledhatoi me frikë fëmijën, Faslliu u rregullua më mirë në sedilien e tij… Për më shumë se gjysmën e rrugës nuk folën sepse fëmija po flinte. Edhe plakut i erdhi gjumi mbi sy. Faslliu ia tregoi të gjitha bashkiakut i cili kishte hapur një firmë gurësh nga zona e malit ku ishte Faslliu dhe po bënte një tregti të majme. Faslliu e kishte ndihmuar shumë me ca parcela të reja ku blloqet dhe damarët e gurit kishin qëlluar të mirë. Bashkiaku kishte futur në lojë edhe një deputet zone, një shkurtabiq që bërtiste në parlament por se dëgjonte asnjë. Në kryeqytet arritën shpejt. Trafiku i madh i makinave i kishte futur në radhë dhe po ndjehej një shenjë nervozizmi tek të tre. Djali i bashkiakut u zgjua. – Babi! – foli djali dhe po shikonte i habitur pa e kuptuar se ku ndodhej. – U zgjove shpirti?! – ia ktheu i ati. – Ja tani do ta mbaj makinën babi dhe të pish një gotë qumësht e ne të marrim ndonjë kafe. Plaku vështroi djalin e ledhatoi dhe i foli. – Ooooo! Deputet i xhaxhait! U rritsh dhe deputet u bëfsh, të keqen xhaxhai! Djali buzëqeshi vetëm me sy. Faslliu dhe bashkiaku panë njeri tjetrin dhe ia dhanë një të qeshure paksa të përmbajtur. Arritën pranë një lokali, hapën rrugën dhe zbritën të katër. Zunë një tavolinë dhe u ulën. Faslliu u kujdes për gjerat që do të merrnin. Bashkiaku përshëndeti plakun dhe pastaj u mor me djalin. – Deputet bëje djalin! – i tha plaku bashkiakut. Bashkiaku buzëqeshi dhe ngriti supet. – Ta rritim me shëndet mirë pastaj të tjerat ,- ia ktheu plakut.– Deputetët janë njerëz me gjak ,- vazhdoi plaku,- janë të shëndetshëm. Bashkiaku tundi kokën. – E dëgjove lajmin se po japin gjak të gjithë? – Kush?! – pyeti bashkiaku. – Deputetët. -Po mbushin spitalet me gjak. Po u dhurojnë të varfërve, të dobtëve, të sëmurëve… Edhe për fëmijët mund të bëjë gjaku i tyre. Bashkiaku përsëri tundi kokën. – Edhe unë jam pa qejf. Trëndafilja, infermieria e fshatit më tha se kam nevojë për gjak. Do t’iu kërkoj këtyre të Tiranës ndoshta më ndihmojnë. Gjynah të vdes unë burrë plak për një pikë gjak. Bashkiaku e ndiqte si habitur. Faslliu solli kafetë dhe qumështin e djalit. Plaku vazhdonte:
– Ma merr mendja se edhe deputeti ynë do të japë gjak. Korroboç i shëndoshë është. Kemi votuar gjithmonë për atë. Edhe një thes me vota kemi shtuar si fshat për të gjithë djemtë e vajzat që kanë ikur refugjatë. Unë një pikë gjaku po kërkoj… Do të bëj edhe kontrolle të tjera, por gjakun e deputetit do t’ua lus si gjë të shenjtë. Filluan të pinin kafenë. Djali duke parë jashtë xhamave pinte qumështin ngadalë. Plaku mbaroi i pari sikur të mos e mbante vendi. U ngritën, paguan dhe dolën. Bashkiaku hipi i fundit në makinë. Futi çelësat për ta ndezur, por makina shfrynte si një ka i lodhur e nuk po ndizej… Faslliu me bashkiakun vështruan njëri tjetrin në sy. Plaku fliste me djalin. Bashkiaku e provoi edhe disa herë por ishte e kot. – Fat tersi sot! , – tha Faslliu. – Nuk ma ka bërë ndonjëherë këtë ,- tha bashkiaku. – Do gjak deputeti edhe kjo, – tha plaku. – Çfarë?! – u habit bashkiaku. – Naftë, naftë, – përsëriti plaku dy herë e lëshonte flokëte thinjura sikur nuk iduheshin më. – E mbusha dje në mbremje. Plot e ka serbatorin ,- shpjegoi bashkiaku. Ai doli nga makina. Faslliu po qetësonte plakun të mos mërzitej se do t’I rregullonin të gjitha punët. – Bashkiaku, hapi derën the tha: – Mos u mërzitni. Pak minuta na ndajnë nga spitali. Po marr në telefon një shokun tim ,- dhe mbylli derën duke i lenë të tjerët brenda në makinë. Bashkiaku formoi numrin e telefonit. Nga ana tjetër iu përgjigjën menjëherë. – Frrok! – tha bashkiaku. – Jam Spinelo! – -Spinoooo! Bërtiti tjetri. Bashkiaku, Selimi, kur kishte emigruar për herë të parë në Zvicër, pati njohur edhe Frrokun. Kishin punuar tre vjet së bashku me shpërndarje droge në sasira të vogla dhe kishin bërë para të madhe. Bashkiaku punonte edhe si korrier dhe ua sillte fitimet në Shqipëri. Sillte edhe fitimet e Frrokut që punoi edhedy vjet më shumë. Pastaj u kthyen të dy. Spinelua iu fut politikës, ndërsa Frroku mbaroi shkollën e policisë dhe kishte arritur të bëhej shef i Antidrogës në një nga komisariatet e policisë së kryeqytetit. Miqësinë me Spinelon e mbante akoma.– Frrok ,- vazhdoi bashkiaku ,- Kam ardh në Tiranë por makina nuk po më ndizet më. Kam mbetur në Kombinat. – Mos mor burrë. Po vij unë e po të marr nji tash. A je vetëm?! – Jo, jo. Kam djalin dhe dy budallenj brenda në makinë që më kanë zenë derën që herët në mengjes. – A janë gjallë?! – Njeri mbahet se tjetri kërkon gjak. – Aaaa! A të ka kërcënuar, or burrë se po i lajmë do hesape. – Jo, jo. Kërkon gjak deputeti. – Aaaaa! Qenka terrorist, or burrë. Mos e len të zbres nga makina. Po lajmëroj grupin e “Shqiponjës” unë. Kujdes bre burrë!. A ke kobure me vete?! Paralizoje. Qëlloje në kembë. Kujdes Spinelo! Po telefonoj “Shqiponjën” unë. – Joooooo! Plaku është duke vdekur e do ta shpiem në spital, se është anemik. Ka frikë nga vdekja dhe ka nevojë për gjak. Ka dëgjuar që deputetët tanë po dhurojnë gjak nëpër spitale dhe ai ka qejf t’i japin edhe atij pak gjak deputeti. Ja, kjo është e tera. Nxito se po më vdes në makinë dhe po më tmerrohet djali. 
– Erdha mos u mërzit ,- i tha Frroku dhe mbylli telefonin. Bashkiaku mbeti jashtë. Brenda plaku qeshte e bënte shaka me djalin, ndërsa Faslliu fliste në telefon me të motrën dhe i lutej të vinte ta takonte tek sipitali ku do të shkonte edhe ai. Edhe e motra e Faslliut kishte nevojë për gjak. Frroku erdhi shumë shpejt. Ishte me makinën e tij private, por kishte vendosur sirenën e policisë dhe nuk e pati të vështirë t’i hapnin rrugën. Hipën në makinën e Frrokut. Bashkiaku hipi përpara. Faslliu u ngjesh mbrapa. – Të lumtë, or djalë ,- tha plaku duke iu drejtuar shoferit që ndezi sirenën e policisë dhe me dorën tjetër u bënte shenjë makinave t’i hapnin rrugën. – Do të nxitojmë pak, – tha Frroku ,- që të arrijmë në kohë. – Jepi, jepi, ,- e nxiti plaku. – Po nuk vajtëm shpejt nuk mbarojmë dot punë. –Ti paske me të vertetë gjak deputeti. – Nuk është deputet, xhaxha ,- sqaroi bashkiaku. – Ky është një miku im i vjetër dhe punon oficer policie. – Hallall! Po gradat ku i ke?! – S’kemi nevojë për grada ne, o xhaxha! ,- ia ktheu Frroku. – Gradat i tregojnë edhe vendin burrit ,- kembënguli plaku. – Jo grada, por arka me spaleta të më japin, nuk i dua. Pasuria, leku, xhaxha, është grada që i thyen të gjitha gradat… Kush është i mençur i kupton të gjitha gjërat. – Ja, deputetët e popullit ,- tha plaku… – Trima dhe të zgjuar. Po i dhurojnë popullit të tyre gjak. Sa jetë njerëzish do të shpëtojnë vallë?! Cilën gradë mban deputeti?! Askush nuk u përgjigj. Makina arriti tek spitali me sirenë të ndezur. Rrruga ishte bllokuar para nga një makinë e zezë që nuk po i krijonte hapësirën e mundshme për të kalauar. Frroku zbriti i mërzitur dhe shkoi drejt saj për ta kërcënuar, por sa u afrua ,u hap dera dhe një grup televiziv u afrua duke filluar xhirimet. Gazetari u bëri shenjë kameramanëve të filmonin çdo detaj. Një grup njerëzish nga larg filloi të duartrokiste. Nga makina e zezë zbriti një deputet i shendoshë që po u buzëqeshte njerëzve edhe me një lëvizje të lehtë të dorës sikur u përcillte mesazhe mirënjohjeje. Prej spitalit u afrua një grup mjekësh. Pati shtërngime duarsh. Frroku mbeti si i ngrirë. Deputeti filloi të jepte arsyet për nismën që kishte marrë grupi i tij parlamentar për dhurim gjaku, këmbëngulja e tyre për të përfshirë edhe të gjitha grupet e tjera parlamentare. Edhe femrat. Jashtë shtoheshin kureshtarë. Plaku, i mbetur brenda në makinë, tashmë ishte i sigurtë që kishte mbritur në kohë. Mbështeti kokën tek xhami si i mallëngjyer… Pastaj dëgjoi disa trokitje në xham… Ishte një fëmijë lypës i veshur keq, i dobët që me dy sy të fshehur brenda kockave çuditej se si qëndronte në kembë. Ia bëri me shenjë Faslliut, i cili vazhdonte të fliste në telefon dhe nuk e kishte mendjen tek plaku. Mbi xham vinin troktije si disa lutje të mekura… – Faslli! – tha plaku. -Ky djali jashtë sikur ka nevojë për gjak…. Fashlliu formoi një numër tjetër telefoni, ndërsa Frroku u kthye dhe i ftoi të zbrisnin nga makina. Ishin përpara dyerve të spitalit.