Suplement Pena Shqiptare/ Murat Gecaj: Nderime e respekte, për të gjitha krijueset dhe veprimtaret tona…

211
Siç është sqaruar më parë, por po e nënvizoj edhe për këtë botim të ri për disa krijuese, poete e shkrimtare, artiste e veprimtare tonat, nuk kam bërë ndonjë përzgjedhje të tyre. Në të dy librat, shkrimet flasin për disa, nga qindra krijuese tonat të talentuara, që kam patur rastin e kënaqësinë t’i njoh ose të lidhemi përmes Internetit. Sigurisht, janë dhe mjaft të tjera, që e meritojnë të përgëzohen për krijimet e tyre, në gjini të ndryshme të letërsisë dhe artit, për punët e mira, që bëjnë dhe veprimtaritë e bukura, që zhvillojnë,kudo që ato ndodhen. Një gjë e kam merak ta theksoj edhe në këto pak fjalë hyrëse, në këtë botim të ri. Shprehi kënaqësinë e veçantë, se krijueset e artistet tona dhe veprimtaret e palodhura shqiptare, po i shpalosin dukshëm talentet e tyre të mrekullueshme dhe më ngjajnë si një ujëvarë, që zbret me vërtik nga bjeshkët e larta dhe hyjnë natyrshëm në mendjet dhe zemrat e lexuesve tanë. Prandaj, me plot gojën, i përshëndes, i uroj dhe i përgëzoj, sinqerisht, për çdo arritje të tyre, si në letërsi, arte e veprimtari të ndryshme jetësore. Se, kështu, ato dëshmojnë dhe e afirmojnë veten, pjesë shumë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, si për vullnetin e papërkulshmërinë ndaj çdo gjëje, për shpirtin e butë e të pastër, për ndjenjat e larta të atdhedashurisë e mirësisë njerëzore.
Pa u zgjatur, veçanërisht, i përshëndes nga zemra dhe u jam mirënjohës, të gjitha autoreve krijuese dhe veprimtareve, që janë bërë pjesë e këtij libri të ri, i cili do të shkojë në duart e lexuesve, me rastin e Vitit të Ri 2017. Do të veçoja, këtu, bashkëpunimin dhe ndihmesën, që kanë dhënë për botimin e këtij libri, krijueset: Albana Ponari (Milano-Itali), Lumturi Vladi (Tiranë), Oltjona Selamaj (Itali), Drita Lushi (Tiranë) e Luljeta Avdiu-Cura (Ulqin)…. Gjithashtu, falënderoj Edlira Kamen, administratore e SHB ”Edlora”!
Në mbyllje, dëshiroj që t’i uroj nga zemra të gjitha femrat tona krijuese, artiste e veprimtare, kudo që ato ndodhen, me dëshirën që të kenë përherë:
Shëndet të mirë, mbarësi e begati, gëzime e lumturi, vetjake dhe familjare!
Nderim dhe respekt i veçanta, për të gjitha ju! Nga: Murat Gecaj, Tiranë, dhjetor 2016”.