Suplement Pena Shqiptare/ Martiri i moralit idealist. Atdhetarizmi i tij

557
Akademiku Rexhep Qosja për Asdrenin

Asdreni si njeri e karakterizon përpjekja e pareshtur që të jetojë dhe të veprojë ashtu sikundër është i bindur dhe shkruan në veprat e veta. Ai u takon atyre njerëzve që kujdesen ta njësojnë moralin intelektual me moralin praktik. Për këtë shkak të flasësh për karakterin dhe cilësinë etike të Asdrenit do të thotë t’i nënshtrohesh rrezikut që për hirë të njeriut të idealizosh edhe krijuesin, ose për hir të krijuesit të idealizosh edhe njeriun, ndonëse ndërmjet njeriut dhe krijuesit mund të ketë mjaft mospajtime. Një rrezik i këtillë është aq më i madh në qoftë se bëhet fjalë për moralin atdhetar të Asdrenit, megjithëse në këtë mes nuk mund të vërehen ndryshimet ndërmjet njeriut dhe poetit. Si njeri dhe si krijues Asdreni është formuar në një kohë të vështirë, të vrullshme, të ngarkuar me probleme të shumta historike, shoqërore, politike dhe morale që, pikërisht për këtë arsye, hyn ndër periudhat më specifike të historisë sonë për –gjithësisht. Specifike përkrah problemet, kjo kohë ka krijuar edhe njerëz me sjellje dhe etikë specifike. Në atë periudhë provokimesh të mëdha morale, njerëzit kanë mundur të gjenden vetëm në skajin e të kundërtave; në mesin e artë atëherë ishte vështirë që mund të qëndronte kush. Shumica e atyre individëve të cilët nuk kishin ngurruar të përqafonin përgjegjësinë që u impononte ajo kohë, që kishin marrë mbi vete barrën e rëndë të prijësve dhe ideologëve, që kishin hyrë në luftën kombëtare qoftë me armë në dorë, qoftë me pendë, që kishin flijuar veten në përpjekjet e pareshtura për formimin e vetëdijes dhe çlirimin e shqiptarëve prej pushtuesit shekullor, na dalin sot shëmbëlltyra të mëdha të historisë sonë tragjike. Asdreni, padyshim, u takon këtyre shëmbëlltyrave të Rilindjes Kombëtare; ai hyn në radhën e prijësve shpirtërorë të kësaj lëvizje si kundër janë Jeronim De Rada, Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Thimi Mitko, Pashko Vasa, Dhimitër Kamarda, Petro Luarasi, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Ndre Mjeda, Andon Zako Çajupi, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, e të tjerë, që janë flijuar vullnetarisht vetëm e vetëm që të përmbushin sa më me nder misionin historik, që ua kishte ngarkuar koha. Edhe Asdreni hyn, pra, në radhën e atyre shëmbëlltyrave të historisë sonë të re , që janë bërë përfaqësues shpirtërorë të shprehjes së, dëshirave, idealeve të kombit shqiptar në një periudhë të caktuar të kësaj historie. Pavarësia e Shqipërisë për ata që u ka takuar fati i rëndë të jetojnë në fillimet e Lëvizjes së Rilindjes, ndërsa mirëvajtja e shtetit të pavarur, porse gjithnjë të rrezikuar prej armiqve të jashtëm dhe të brendshëm për ata që u ka takuar fati të jetojnë edhe pas shpalljes së pavarësisë, ishin ato idealet që i kanë drejtuar të gjithë mendimet dhe ndjenjat e tyre. Asdrenit i ka rënë hisja t’i jetojë të dy këto periudha dhe për këtë arsye të gjitha mendimet dhe ndjenjat e tij si atdhetar janë të drejtuara në varësi prej përpjekjeve për sendërtimin e këtij ideali të dyfishtë. Jeta e tij e vuajtur dhe përplot flijime të pandërprera është dëshmi e fatit tragjik të shqiptarëve në këto treva gjithnjë të shqetësuara të Ballkanit. Si jeta ashtu edhe vepra e Asdrenit, që janë të përshkruara kur prej dhimbjeve të mëdha e të gjata, e kur prej gëzimeve të vogla e të shkurtra, e kur prej hovit dhe entuziazmit veprues e krijues e kur prej dëshpërimit dhe dyshimit, kur prej lumturisë së njëmendët e kur prej pikëllimit të thellë, të sinqertë, janë lakorja që kalojnë shqiptarët në këtë kohë. Lëkundjet në mendimet dhe emocionet e Asdrenit, që vërehen, pra, si në jetën ashtu edhe në poezinë e tij, janë më pak të kushtëzuara prej rrethanave intime e më shumë prej rrethanave të fatit historik të popullit; valët nëpër të cilat kalon njeriu dhe poeti Asdren janë njëkohësisht, valë të shqetësuara nëpër të cilat kalon Shqipëria deri në çastin e vdekjes së tij. Në kohën e luftës për pavarësinë kombëtare dhe për stabilizimin e shtetit shqiptar, kriteri themelor me të cilin ishte matur morali morali i njeriut tonë ishte sinqeriteti atdhetar. Asdreni hyn në radhën e atyre idealistëve tonë, pa të cilët, në mënyrë fatlume, kurrë nuk kemi mbetur, që janë kujdesur ta plotësojnë vazhdimisht këtë kriter etik. Për hir të këtij morali atdhetar ai ka flijuar të gjitha gëzimet, harenë, të gjitha format e lumturisë njerëzore dhe, në përpjekje e sipër që ta përmbushë sa më besnikërisht, nuk ka mbërritur, as zërin e ëmbël të foshnjës, as paqen dhe qetësinë e nevojshme të pleqërisë. Për këtë shkak, sado qoftë e pasur me përpjekje dhe flijime, me ngjarje dhe lëvizje, jeta e Asdrenit është disi e njëanshme, e përshkruar prej një lloj emocionesh. E shikuar prej përjashta, jeta e tij është e thatë; e shikon prej përbrenda, ndërkaq, ajo është e pasur dhe interesante. Ndjenja e tij, e kjo është në radhë të parë ndjenja atdhetare, gjithmonë është shfaqur me një fuqi të veçantë. Për Asdrenin si njeri ka vetëm një të vërtetë së cilës duhet kushtuar jetën dhe kjo është , E vërteta e vërtetë është përmbajtja, kuptimi, gëzimi dhe qëllimi i jetës së tij dhe të gjitha rrugët jetësore e kanë shpënë në drejtim të saj. Në qoftë se kishte gabuar ndonjëherë në jetë , e dihet se kishte gabuar ndonjëherë në jetë, e dihet se kishte gabuar, atëherë ai kishte gabuar për shkak se nuk kishte ditur në një moment të caktuar të zgjidhte rrugën më të mirë për të mbërritur tek ajo e vërtetë. 
Sigal