Suplement Pena Shqiptare/ Kur gabon i mençuri, çuditet budallai!

746
Hyskë Borobojka
Kanë kaluar 36 vjet kur autori Shyqyri Fejzo u paraqit përpara lexuesit me librin e tij të parë në fushën e humorit “Vërejtje me shënim…në portofol”, në vitin 1976. Pas botimit të disa librave të tjerë, si “Ja ku e ka synë pleshti” më 1978, “Kur merr shtatë e shpenzon tetë, s’ke nevojë për kultë” ne vitin 1988. “Ta mendojmë” më 1991. “Bëhen pa rrëfehen” më 2004, “Nastradini në internet” më 2007, del përpara lexuesit me librin e ri “Kur gabon i mençuri, çuditet budallai”. Autori si një gjahtar i shkathtë e kërkon dhe e zbulon strofullin ku fle lepuri i satirës dhe humorit, kudo që fshihet, në mal, ne fushë, në mushatë e fshatit e në rrugët e qytetit. E ndjek këmba-këmbës me vite, duke i dhënë lexuesit një tablo me kolorit origjinal, me shprehje të bukura, e batuta të zgjedhura plot kripë, që jep gjuha shqipe.

Në librin e ri, Shyqyri Fejzo, e ka shëtitur kalin e ngarkuar rëndë me mjete të zgjedhura shprehëse, duke krijon tipa dhe karaktere, të veshur me gunën e humorit e të satirës, që kalojnë me radhë, si dhentë në shtrungë, Autori nuk bën përshkrime të tej zgjatura të personazheve, por karakteret dhe tiparet e tyre i jep me shprehje të zgjedhura, fjalë-pak e rrëfim-shumë si: “Nuk i ve fre gojës”, “e lëshojnë gojën veresie”, “qengji i butë pi dy nëna, servili pi gjithë kopenë”, “të pështyn në çorbë”, “ta rrëmben fjalën pa dalë mirë nga goja”, “nuk e niste preshin nga bishti”, “ e ndan qimen në katërsh”, “ajkë e ka gojën”, “i pjell kungulli që ka mbi supe”, që po t’i radhitësh të gjitha shprehjet e përshkrimet që u bën autori personazheve në rrëfimet e fejtonet e tij, do të duhej një libër i dytë.

Autori e përdor purtekën e humorit e të satirës nga një kohë në tjetrën, për të shkuarën e për të tashmen, herë në fshat, herë në qytet apo refugjat në dhe të huaj, duke iu qepur ngjarjeve e bëmave “me bukë në trastë” Ai kritikon ata që mohojnë traditën e sulen pas izmave të ashtuquajtura moderne, si në rrëfimin “Bëhen pa rrëfehen”. Autori e ka vendosur ngjarjen në një dasmë, ku krushqit hanë pinë e ngrehin dolli dhe ja në mes tyre hyn politika, që s’i le njerëzit të qetë as në gëzimet e hidhërimet vetjake, duke i përçarë e “armiqësuar”. Shumë i këndshëm e me humor është edhe rrëfimi “Gomari im me fajde”, ku autori, me humor të hollë kritikon ata njerëz që duan të pasurohen shpejt aq sa shesin, jo vetën shtëpinë por edhe gomarin e vetëm për t’i futur paratë në firmat piramidale dhe, në vend të venë vetulla, nxjerrin sytë, duke u detyruar ta ngarkojnë në kurriz barrën e gomarit, që shkoi për dhjamë qeni. Ai na prezanton edhe me ata miq, që kur vijnë nga qyteti në fshat, duan dreka e darka, të hanë e të pinë sa të denden, ndërsa kur miku nga fshati vete në qytet e sajdisin me çaj apo me kos, të hanë letë që të mos dëmtojnë stomakun. E gjetur si temë dhe e trajtuar me humor të hollë e situata komike është edhe edhe rrëfimi “Portokallet e portokallisë”, duke kritikuar humorin banal. Harrojnë se humori dhe satira gatuhen me fjalë të mençura dhe jo me zhargone fjalësh e shalësh.

Larmia e temave dhe thurja e tyre është jetësore dhe e veçantë në krijimtarinë e Shyqyri Fejzos. Humori dhe satira e tij i përngjasin bletës, e cila sa të ëmbël e ka mjaltin, aq të hidhur e ka pickimin. Shyqyriu në fushën e vështirë të humorit e satirës, ka arën e tij të krijimtarisë. Punon pa u lodhur në të, bën qilizmë të thellë dhe vjel prodhime të mbara për të gostitur lexuesit. 
Sigal