Suplement Pena Shqiptare/ Krijuesi letrar por edhe shkencëtar në gjuhësi

550
Safet N. Ramolli
Më shumë se një shekull më parë, pikërisht më 28 shkurt 1903, shuhet Eronim de Rada. Për nga kontributi që dha në interes të çështjes kombëtare shqiptare duke investuar me zemërgjerësi dhe dije gjithçka që Ai zotëronte, për nga vlerat intelektuale dhe patriotike të veçanta që shpalosi me guxim e kurajë të spikatur, pa asnjë mëdyshje mbetet ndër të parët, për të mos thënë i pari, që mori përsipër dhe realizoi me argumente bindëse historike, mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare, një problem madhor por edhe i ndërlikuar ky ndër shekuj, e sidomos në fazën e parashkëputjes nga sundimi i tejzgjatur otoman, shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e shtetit shqiptar.
JERONIM DE RADA : PËRFAQËSUES MADHOR I RILINDJES KOMBËTARE
(1814-28 shkurt 1903)
Diku, fare pranë ish-mapos së Lagjes Nr. 8 në Tiranë, sot “Sheshi Uillson”, ka qenë një bust i shqiptarit të madh Jeronim De Rada. Ashtu i mplakur, i rrudhur, i mendueshëm, por gjithsesi shpalosë dhe rrezatues i dijes, fisnik dhe human, i bënte nder kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë. Mjerisht nuk dihet se ku përfundoi ky bust, për t’u ngritur në atë truall të shenjtë një pallat disakatësh! Paradoks i paradokseve!!!
Një jetë e gjatë e mbushur me veprimtari dhe e nderuar
Më 28 shkurt 1903, do të shuhej jeta e Eronim De Radës, njërit prej përfaqësuesve kryesorë të elitës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, inspiruesi kryesor e autoritar i intelektualëve arbëreshë të kohës. Vdiq në varfëri, për të mos thënë në skamje të tejskajshme, por gjithsesi i nderuar, i respektuar, autoritar, famoz, krenar e dinjitoz. Njerëzit që ju ndodhën më pranë ditën që iu “shua qiriu i jetës”, shtangën të habitur kur në xhepat e këtij intelektuali të spikatur, në vend të të hollave, u gjet vetëm një cironkë e tharë në tym. Një absurditet që mund të matet vetëm me vetveten, sepse me personalitete si De Rada mund të nderohet e krenohet çdo komb, në mos për patriotizmin e kulluar që ai shpalosi, së paku për majat e larta që arriti si poet, si gjuhëtar, si publicist i thelluar dhe dijeplotë, si pedagog dhe jurist. Ja jetëshkrimi i tij përmbledhtazi. Lindi më 1814 në Maki të Kalabrisë, në Itali. Mësimet e para i mori në Kolegjin e Shën Mitër Koronës. Njëzetvjeçar shkon për studime në Napoli për jurisprudencë, ku dallohet për pjesëmarrjen aktive në lëvizjen politike e kulturore të kohës. Ishte 34 vjeç, një moshë krejt e re, kur botoi e drejtoi të parën gazetë shqiptare nën titullin “L’Albnese d’Italia” (Shqiptari i Italisë S. R). Ky akt i lartë flet sa për patriotizëm po aq edhe për dhunti intelektuale. Më 1848, i zhgënjyer nga dështimi i revolucionit të atij viti, tek i cili, si shumë bashkëshokë, pati shpresuar shumë për ndryshime të thella progresive, në trishtim të plotë e të thellë, e gjykoi të formës së prerë të mbyllë Gazetën. Shkoi në fshatin e lindjes për të qëndruar deri në fillim të viteve 1860. Për dymbëdhjetë vjet radhazi jetoi i shkëputur nga rrethet patriotike, gati i deziluzionuar, por jo i tërhequr nga veprimtaria intelektuale, si fushë pjellore dhe e begatë, tek e cila gradualisht gjeti motivim, shpresë e gjallëri. I entuziazmuar nga Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në l861 “rinohet shpirtërisht”, merr gjallëri të veçantë jo vetëm në lëmin e politikës, por edhe të krijimtarisë letrare. Boton librin “Parimet e Estetikës”, një botim i rrallë për nga zhanri e sidomos për nga mënyra se si e trajton këtë problem jo dhe kaq të lehtë, me të cilin nuk mund të integrohet kushdo. Pas tre vitesh botoi librin “LASHTËSIA E KOMBIT SHQIPTAR”. Më 1866 sjell në jetë librin “Rapasodi e një poeme arbëreshe”. Por më së shumti i kushtohet përfshirjes në lëmin e politikës. Mban koorenspodencë të rregullt me mjaft patriotë shqiptarë, me të cilët debaton për problemet që shqetësojnë kombin; hyn në lidhje të rregullta me personalitete kulturore evropiane, por dashamirës të Shqipërisë, bashkërisht me të cilët propagandon çështjen e drejtë shqiptare; merr pjesë aktive në rrethe të ndryshme kulturore e patriotike, duke shfrytëzuar kështu çdo hapësirë për të shpalosur historinë e lavdishme të popullit shqiptar. Jemi në një periudhë të jetës së De Radës, të tejmbushur me veprimtari patriotike por edhe shkencore. Bashkëkohësit pohojnë se De Rada harrohej pas punëve të shumta, humbte i zhytur në materiale dhe dokumente historike, në zhvillimet rajonale dhe më gjerë, duke sakrifikuar tepër nga jeta personale dhe nga kujdesi për shëndetin e tij. Në vitet 1883-1887 boton revistën e parë shqiptare “Fiamuri i Arbërit”, ashtu sikurse vijon lidhjet e rregullta me drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Njëherësh mbron si rrallë kush çështjen shqiptare duke evokuar jo vetëm të kaluarën e lavdishme të largët, por edhe qëndresën e gatishmërinë e popullit për të mbrojtur me çdo sakrificë trojet, nderin dhe lirinë e tij. Më l902 boton librin me titull “Testamenti politik”, përmes të cilit shpreh optimizmin e tij për të ardhmen e Atdheut të të parëve të tij. Vdiq më 28 Shkurt l903, në vetmi dhe varfëri të dhembëshme, kur ishte 89 vjeçar. Fundjetën e hidhur, trishtimin për këtë fat të helmët të mësuesit të tij të madhërishëm dhe të respektuar, e përshkruan nxënësi i tij Luigj Gurakuqi, në takimin e parë që pati me De Radën në Kolegjin e Shën Adrianos të Shën Mitër Koronës më l889, trembëdhjetë vjet para se De Rada të ndërronte jetë. Gurakuqi, që njihte dhe vlerësonte madhështinë e poetit, të intelektualit, të atdhetarit dhe të pedagogut të spikatur, kur u takua me atë mbeti i zhgënjyer pas atij kontrasti të madh mes madhështisë dhe veprës deradiane, dhe jetesës së përvuajtur të tij. Prandaj edhe shkroi me dhembje të thellë shpirtërore por edhe me revoltë krejt të bazuar dhe moralisht të qëndrueshme, përmes të tjerash: “…Realiteti i ashpër shumë larg nga ideja e lartë dhe madhështore që kisha krijuar për gjendjen e poetit të pavdekshëm, m’i mpiu për një çast ndjenjat dhe më errësoi kujtesën: nuk arsyetoja më, më dukej sikur isha në ëndërr…. Duke e parë atë të varfër e plak, aq të dërrmuar e të këputur, por gjithnjë krenar e të fortë e plot besim e guxim në zemër; duke parë syrin e tij të trishtuar e të lodhur të ndriste në çast dhe të lëshonte rreze drite të fortë, dhe fytyrën e tij të hequr e të zbehtë të gjallërohej e të ndizej,…u largova i mallëngjyer e plot admirim duke mallkuar padrejtësinë e njerëzve dhe ashpërsinë e fatit që kënaqej të merrte nëpër këmbë të mëdhenjtë e të ndershmit dhe t’ua mbushte jetën me vuajtje e hidhërime…”, përfundon patrioti Luigj Gurakuqi.
De Rada – themeluesi i publicistikës shqiptare.
Krijimtaria e De Radës është e gjerë dhe e pasur. Gjithsesi ajo mund të kategorizohet në tre fusha të rëndësishme: publicistika, gjuhësia dhe krijimtaria letrare. Në publicistikë bëri emër me botimin e një gazete dhe të një reviste, të cilat janë të parat e llojit edhe brenda vendit tonë. Kështu De Rada mbetet themeluesi i shtypit shqiptar jo vetëm si nismëtar, por edhe si profesionist në këtë fushë. Gazeta “L’Albanese d’Italia” u botua në tridhjetë e shtatë numra, por me ndërprerje nga 23 shkurti deri në 3 qershor të vitit 1848 në Napoli. Është e para gazetë në historinë e shtypit shqiptar me përmbajtje politike, shoqërore e letrare. Jepte informacion për ngjarjet e ndryshme politike të kohës si në Itali ashtu edhe në vende të tjera të Evropës. De Rada gjeti rastin të botojë edhe disa pjesë nga poema e Anton Santorit “Vallja e garesë së madhe”, por edhe nga poema e tij “Këngët e Serafina Topisë”. Hera-herës shtron problemin për njohjen e të drejtave të arbëreshëve për gjuhë dhe shkollë shqipe. Është me interes fakti, që gazeta pjesërisht botohej edhe në gjuhën arbëreshe. Ishte një gazetë e organizuar, profesionale, që argumentonte plotësisht problemet që trajtonte. Pikërisht për këtë arsye u bë mjaft e lexueshme dhe bindëse. Edhe pse gazetë, që i përket gjysmës së parë të shekullit XIX, u rreshtua krahas shtypit të kohës jo vetëm për problematikën që trajtonte, por edhe për nivelin e saj mjaft të mirë. Edhe me vonë ajo shërbeu si trase në të cilën do të ecnin simotrat e saj në të pastajmen. Në fushën e publicistikës De Rada kontribuoi edhe me botimin e revistës “Flamuri i Arbrit”, numri i parë i së cilës doli më 20 janar l883 për t’u mbyllur më l887. Ishte një reviste e përjavshme me rubrika politike, shoqërore, kulturore, letrare, e botuar në gjuhën arbërishte dhe italishte. Autori gjeti mundësinë të pasqyrojë në të mendimin e personaliteteve arbëreshe, të cilët luajtën rol të rëndësishëm për ekspozimin e Shqipërisë në Evropë, si një vend me popullsi dhe tradita të lashta: me ndjenja të spikatura patriotike për mbrojtjen e çështjes së tij, sidomos për të ruajtur tërësinë territoriale. Revista shërbeu si tribunë për mjaft intelektualë dhe patriotë shqiptarë për të thënë sa me patos patriotik aq edhe me argumente shkencore të vërtetën për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në rubrikën kulturore rrahu gjerësisht mendimin për përhapjen e arsimit dhe të gjuhës shqipe në të dy brigjet e Adriatikut, duke luajtur njëherësh rolin e misionarit të unifikimit të gjuhës së përbashkët sa më letrare. Revista u botua në Koriliano Kalabro, ndërsa nga shtatori 1885 në Kozenca. Për nga mënyra e paraqitjes së problematikës, nga ana e problemeve që merrte përsipër të trajtonte, nga profesionalizmi me të cilin shpalosej, e të tjera, mbetet edhe në ditët tona modeli i një reviste bashkëkohore, problemore dhe grishëse.
Jo vetëm krijues letrar por edhe shkencëtar në gjuhësi.
Në fushën e gjuhësisë De Rada dha kontribut jo vetëm si mësues i gjuhës shqipe në kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetëra vjet, por edhe përmes veprimtarisë së mirëfilltë si gjuhëtar. Në vitet l870-l884 boton punime shkencore mbi prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, si dhe për strukturat gramatikore të gjuhës shqipe. Janë dy punime të cilat japin të dhëna shkencore për të folmet arbëreshe. Punimet e De Radës në këtë fushë kanë shërbyer si argumente të besueshme për studiuesit e mëvonshëm të gjuhës shqipe. Krejt natyrshëm ata duhet t’i jenë mirënjohës autorit, për shërbesën e kualifikuar që u ka bërë, duke u vënë në dispozicion punime të mirëfillta shkencore. Me nismën e tij organizoi dhe drejtoi punimet e dy kongreseve gjuhësore të shqipes në harkun kohor 1895-1897, kur ai ishte i formuar dhe i pjekur plotësisht si gjuhëtar. Sentencat e De Radës për problemet gjuhësore mbeten edhe në ditët tona si pika referimi e studimi. Ai bëri përpjekje të lavdërueshme për të hartuar një alfabet të përbashkët të gjuhës shqipe, një domosdoshmëri e asaj kohe por edhe më vonë, problem i cili edhe në ditët tona nuk mund të konsiderohet i përfunduar. Por De Rada shkëlqen sidomos në fushën e krijimtarisë letrare. Është më madhështori dhe më elokuenti midis dhjetëra arbëreshëve, të cilët kanë botuar aq vepra letrare me vlerë për letërsinë shqipe. Filloi të krijojë që herët, dhe nuk rreshti së shkruari deri në ditët e fundit të jetës. Por u bë i njohur sidomos me veprat, të cilat i kanë rezistuar kohës dhe lexohen me dëshirë edhe sot. Më l861, kur ishte i pjekur si intelektual, botoi librin “Parimet e Estetikës”. Është një vëllim në të cilin shpalos mendimin e tij estetik për krijuesin. Është i rrallë dhe krejt origjinal në llojin e vet. Parimet që trajton me aq profesionalizëm, qartësi dhe kompetencë shkencore, por edhe krejt kuptueshëm, shërbejnë si metodë studimi e krijimi jo vetëm për studentët e kësaj fushe, por edhe për të tjerët. Me këtë vëllim ai zë vend të nderuar midis estetëve evropianë. Në vitin 1864 boton librin “Lashtësia e Kombit Shqiptar”, dhe pas dy vjetësh librin “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, me të cilat më së shumti si historian, publicist e atdhetar, synon të propagandojë çështjen kombëtare shqiptare. Por gjithsesi janë të rrallë ata që e mbrojnë çështjen kombëtare shqiptare me kaq këmbëngulje, guxim e profesionalizëm, sa ai.

Ishte vetëm 22 vjeç kur boton librin “Këngët e Milosaos”, një poemë lirike-epike me përmasa ndërballkanike. Kemi të bëjmë me një histori të thjeshtë dashurore të dy të rinjve, të cilët për shkak se vijnë nga klasa apo rende të ndryshme shoqërore, munden të bashkohen me shumë vështirësi. Poema përshkohet nga ideja se, mbi të gjitha qëndron detyra ndaj atdheut, dhe gatishmëria e shtetasve të tij për ta mbrojtur atë me çdo kusht e sakrificë, duhet të jetë gjithëkombëtare. Milosao, nën apelin e Kombit, shkoi në fushën e nderit, dhe i plagosur, pasi puthi Flamurin Kombëtar, u shkëput nga kjo jetë i kënaqur se kishte kryer detyrën kundrejt atdheut. Gjatë viteve 1838-1843 punon me këmbëngulje për të përfunduar poemën “Serafina Topia”. Në qendër të poemës është subjekti i njohur i dashurisë së dy të rinjve, një dashuri fatkeqe sikurse e ndeshim në mjaft botime të kohës edhe në vende të tjera të Evropës. Këtë subjekt autori e përpunon edhe më vonë, dhe në vitin 1898 boton librin “Pasqyra e një jete njerëzore”, ku përveç linjës së dashurisë midis dy të rinjve, fut dhe ngërthen edhe linjën e luftës kundër pushtuesit të huaj osman.

Vepra më e rëndësishme e De Radës, padyshim që është poema e gjatë “Skënderbeu i pafan”. Për këtë autori punoi mjaft gjatë midis vitit 1837-1896, pra gati 16 vite radhazi dhe sistematikisht. Në këtë vepër madhore përfshin edhe mjaft nga këngët dhe poemat e botuara më parë, duke dhënë një tablo të plotë të jetës së popullit shqiptar gjatë “Shekullit të Lavdisë së Madhe”, pra të Shek. XV. Autori evokon të kaluarën e lavdishme, një linjë e njohur kjo në vazhdën e Rilindjes Kombëtare; por shpreh edhe dëshirën e kombit të tij për të jetuar në liri dhe i pavarur. Figura e Skënderbeut jepet e plotë, ai është një Burrë Shteti i mençur e trim, cilësi që i krijuan mundësinë të bashkojë kombin në qëllime e veprime të përbashkëta, duke shpëtuar kombin për 28 vite nga pushtimi osman, si dhe Krishterimin evropian nga mësymja osmane.

Në përvjetorin e vdekjes është në nderin e kombit tonë që të përkujtojë Eronim De Radën; themeluesin e letërsisë dhe të kulturës arbëreshe; publicistin dhe themeluesin e publicistikës shqiptare; folkloristin dhe filologun e pasionuar të shqipes; poetin e talentuar e me diapazon të gjerë; patriotin që diti të bashkojë dhe jo të përçajë; “Mësuesin e Popullit”; mikun e intelektualëve dhe patriotëve të Rilindjes sonë Kombëtare; njeriun që u vlerësua dhe u çmua nga rrethet letrare e politike të Ballkanit e të Evropës; shqiptarin e vërtetë dhe të nderuar. Por, pa dashur që ta mbyll këtë shkrim me nota pesimizmi, desha të nënvizoj edhe një paradoks të shoqërisë shqiptare të viteve të fundit, si shumë paradokse të tjera. Lakmia për fitime maksimale në kohë të shkurtër dhe me çdo mjet, rrënoi bustin e shqiptarit të nderuar De Rada, dhe në vend të tij është ngritur një pallat disakatësh, i cili duket se e ka shëmtuar atë lulishte, ku ata që e ndjejnë veten shqiptarë të ndershëm, gjenin tek busti i De Radës frymëzim atdhetar. 

Por më mirë, le të sjellim në vëmendjen e lexuesit vlerësimin që i bën De Radës një tjetër shqiptar i madh. Faik Konica, posë tjerash pohon: “Më 1863, botoi të parin libër të tij “Milosa” përrallë historike në vjersha shqip; ish 22 vjetësh, më 1900; – 86 vjetësh!… Besoj se Rada edhe të kish njohur ndonjë Demir Obash, ndonjë prej atyre të pamoralshmëve që janë plaga e turpi i vendit tonë e që e bëjnë herë-herë më të vërtetin atdhetar, ta kthejë me ndot kryet prej një atdheu që s’i përpin të tillë qelbanikë, besoj se prapë Rada s’do të ish ftohur, me aq zjarr e donte Shqipërinë… Rada, pra, është ndër ata të rrallët e Italisë që mund të thuhen me të vërtetë jo vetëm shqipëtarë; por atdhetarë… Këtij shqiptari të vërtetë le t’i falemi, o Shqiptarë!”
Shkurt, 2017
Sigal