Suplement Pena Shqiptare/ Gaqo Veshi, për vëllimet me fabula të Gjikë Kurtiqit

1376
Gjikë Kurtiqi si fabulist, këtë gjini “lufte artistike” e mbush me mjeshtëri me “arsenalin e përshtatshëm të armëve” sarkazmën, ironinë, humorin, talljen, sepse fabula është një gjini me të cilën nuk bën dot kompromise, lëshime e tolerancë në realizimin e qëllimit të vet. E këtë “arsenal armësh” që s’kanë as barot e as plumba, por kanë të tillë vetëm fjalën, i drejton pa mëshirë kundër “armiqve” që pushtojnë shpirtrat njerëzorë e synon çlirimin e këtyre shpirtrave nga veset e sjelljet e këqija, që t’i çlirojë, t’u sjellë lirinë, emancipimin e demokratizimin e përhershëm të shoqërisë. Pra fabula e Kurtiqit synon triumf mbi këta “armiq” të shpirtit të njeriut që njollosin botën e bukur njerëzore. Pa këto vese bota do të qe shumë më e bukur, e ndoshta gjer te kjo bukuri kanë ndikuar edhe poetët fabulistë të lashtë nga Ezopi e La Fonteni. Misioni dhe mesazhi i bashkon poetët fabulistë të të gjitha kohërave. Kohët e fundit botoi vëllimin e fabula të zgjedhura. Këto fabula të përzgjedhura nga vëllimet e mëparshëm të Gjikës, në fakt, nuk janë lirika dashurie, nuk derdhin fjalë të bukura për dashurinë, por janë “thika” kundër të ligut, maskarait, hileqarit, hajdutit, të korruptuarit, kontrabandistit, qeveritarit mashtrues, kundër veseve që bota të bëhet e bukur, të jetë si trëndafilishte me trëndafila e jo dhe me gjuhënuse. E në këtë kuptim, edhe pse fabulat janë aq të ashpra, ato duke luftuar veset në thelb bëjnë thirrje për dashuri, për botë të bukur, pa vese. Kurtiqi është atje ku përthyet njeriu, ku veset e mposhtin atë dhe del jashtë shinave njerëzore e godet fenomenet e mbrapshta, kur vlertat njerëzore kthehen në antivlera: Aforizmat, sentencat, që sjell Gjika janë këshilla morale të domosdoshme dhe, sipas traditës, që nis që prej Ezopit, këto vese të njerëzve herë ua vesh drejtpërdrejt njerëzve e në të shumtën e rasteve, me gjuhën e Ezopit fshihen prapa kafshëve të pafajshme, edhe pse shpesh të egra. Ndonëse ai e ndien njëlloj si Ezopi kur thotë: “Në këtë kohë tranzicioni/ Çudia po ndodh me mua/Sa më shumë që i njoh njerëzit, aq më shumë kafshët i dua”. Dhe kjo se po ndodh një lektisje nga udha e drejtë. Fabulistika e Gjikë Kurtiqit ngrihet kundër çdo dukurie negative të kohëve edhe moderne e postmoderne e nuk bën tolerancë. Edhe pse operon me ushtrinë e ujqërve, gomarëve, maceve, qenve, bufëve, etj. ai sjell plot elementë të rinj bashkëkohorë si kompjuter, celular, komision Ad Hok, plastelinë etj, që bartin veset e gënjeshtrës, mashtrimit, hipokrizisë, kusarisë, babëzisë, pangopësisë, mendjemadhësisë dhe godet me ashpërsinë e thuprës së sarkazmës e humorit, ata që: përpara syve si dele të rrinë më këmbë, por prapa janë ujqër që të shqyjnë me dhëmbë. Gjika ka humor të hollë, është klasik në fabul, konciz e gjuhë popullor, që të bën të qeshësh me ato vese që vë në lojë. Por në fakt hollë-hollë të bën vijë keq e të qash për këto përthyerje, shtrembërime e shëmtira të njeriut, misioni i të cilit është të çojë botën përpara, drejt përsosmërisë shoqërore kundër veseve që, si puna e gjembave e ferrave, nuk e lënë shoqërinë të jetë qelibar. Në këtë kuptim krijimtarinë e fabulës së Kurtiqit e përshkon ideja e lartë e humanizmit njerëzor, dashuria për njeriun e mirë, shoqërinë e pastër. Ai do që njeriu të bëjë jetë të lirë, të qetë, të mos mashtrohet nga gënjeshtarët e mashtruesit, të mos mposhtet e poshtërohet nga më të fuqishmit. Si intelektual krijues zotëron edhe një “armë” të veçantë, guximin, që shumë nuk ngrihen dot mbi plogështinë intelektuale. Pa guxim nuk mund të shkruash fabula, prandaj si guximtar, ai ka zgjedhur të ndeshet me sukses në këtë fushëbetejë.
Libri përmbledh fabula të zgjedhura, ajkën e krijimtarisë së Kurtiqit kësisoj nuk është e vështirë të dallosh nivelin artistik të tyre, thjeshtësinë e të shprehurit e të komunikuarit me lexuesit, përcjelljen e mesazheve të qartë, herë të drejtpërdrejtë e herë të tërthortë dhe, nuk e teproj po të pohoj, se ky libër shënon kulmin e pjekurisë artistike të autorit, por edhe një kulm të fabulës shqiptare në përgjithësi dhe një kurm të shpirtit poetik të popullit tonë të lashtë e të ri.
Sigal