Suplement Pena Shqiptare/ Gaqo Veshi “Ai iku dhe s’u kthye”

Për dashurinë fal jetën.
Por për atdheun, fal dhe dashurinë
Shandor Petef

Ai mori rrugën e kurbetit, që kur ishte djalë pa shkuar brisk në faqe dhe kishte zënë vend në një nga shtetet e Amerikës Latine. Punoi e nxitoi dhe u dashurua me një vajzë shtathedhur si selvi. Krijoi me të familje si e gjithë bota. Atë ditë prilli të vitit 1939 u kthye në shtëpi pikë e vrer. i dërmuar e i këputur. Kapakët e syve i rëndonin dhe gojën e kishte zeher. U ul në tavolinën e dhomës së ndenjjes, nxori nga dollapi një shishe me pije të fortë dhe, si mbushi një gotë plot, filloi t’i kthente njëra pas tjetrës. Pinte dhe nuk i mbaheshin lotët. Lajmet që kishte dëgjuar atë të “Premten e zezë” të 7 prillit ishin plumb të rënda e pelin të hidhura. Një mbretëri, që e quante veten perandori, kishte sulmuar e pushtuar vendin e tij, Shqipërinë. Plumbat dhe gjylet e dushmanit nuk binin vetëm në baltën e vatanit, por edhe në shpirtin e tij të trazuar. Kishte zbrazur gotën e tretë e po mbushte të katërtën, kur në derën e dhomës u gjend gruaja e tij, e hollë dhe e gjatë, me sy të zi si qershitë belica në fshatin e tij. Sa mall e e dëshirë mbante në zemrën e tij për atë vend malor, aq të dashur e të shtrenjtë. Punonte e robtohej , duke kursyer për të fituar me djersë disa para që të kthehej në vendin e tij. -Edhe shpendi që është shpend. – thoshte ai, - ngado të fluturojë prapë do të kthehet në folenë e tij. Edhe lumi e le udhën e vjetër, por kujtohet e kthehet përsëri e jo njeriu, që nuk e harron kurrë vendin ku i ka rënë koka! Kur e pa e shoqja me shishen përpara gjysmë të zbrazur e gotën plot, u vrenjt e gati sa nuk klithi. Kishte disa vjet martuar me të, por kurrë s’e kishte parë në atë ditë. Qëndroi si mësuesia përpara nxënësit fajtor dhe i foli me qesëndi: -Oj, oj, burri! Ç’të paska gjetur kështu?! Kurrë nuk të kam parë të ulësh e të pish vetëm e të katandisesh në këtë ditë!

Ai ngriti me përtim sytë, sikur donte t’i kërkonte falje për këtë parregullsi, që po bënte dhe, ashtu zemërthyer e shpirtvrarë me lot të varur në qepallat e syve, iu përgjigj:

-Lërmë e dashur se sot kam hak të pi e të dehem, të humbas mendjen. Shqipërinë, atdheun tim të dashur, një e ashtuquajtura perandori po e bën varr e gropë. Populli kërkon armë ta mbrojë vatanin, ashtu si e kemi traditë ne shqiptarët, por ato ia kanë fshehur!

Ai fliste me shpirt të vrarë dhe shfrynte dufin e madh, që i qe mbledhur lëmsh në zemër. Ndërsa ajo qeshte e argalisej, sikur i shoqi të mos nxirrte nga goja pikëllime, por fjalë gazi e humori, duke bërë disa përdredhje pa kripë, që atij i vinte të pështirë.-Po nuk thua shyqyr, o burrë! – i tha ajo e qetë fare..Ai u drodh i tërë. Fjalët e saj e kishin rënduar e vrarë më tepër se plumbat e gjylet e dushmanit kundër vatanit e vëllezërve dhe motrave të tij atje në atdheun e largët. Dhoma filloi t’i vinte vërdallë si një rodhan. Tavani sikur po rrëzohej për ta qëlluar në kokë. -Si, si! – i thirri ai sa mundi. -Por ajo e qetë fare, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, sikur atij të mos i pikonte zemra gjak, por të ishte i gëzuar e plot qejf, vazhdoi: -Thonë se ju shqiptarët jeni gjaknxehtë, të egër e të sertë. Italia do t’u zbusë, do t’u bëjë qytetarë me kulturë! Ai u ngrit në këmbë. Mezi po merrte frymë. Zemra i kishte ikur dhe koka i buçiste si një kambanë e madhe. Balli iu mbush me djersë të ftohta. Shtrëngoi dhëmbët aq fort, sa krisma e tyre vajti deri te veshët e së shoqes. Topat e mitralozat që villnin zjarr nga deti e qielli mbi vatanin e tij tani i dukej sikur po qëllonin edhe mbi të. Gjithçka që ai kishte krijuar në atë shtëpi në dhe të huaj po shembej. Gruaja e tij nuk po nxirrte fjalë të ëmbla, por plumba e predha që po qëllonin pa mëshirë mbi të, më shumë se predhat e gjylet atje larg në vendin e tij.. Në zemër po ndjente edhe më thellë majën e thikës të prehtë të dëshpërimit. Gjaku i hipi në kokë dhe bëri dy hapa drejt saj. Rrëmbeu një karrige dhe e ngriti lart në ajër. Gruaja u lebetit dhe me njëherë vuri duart në kokë, duke pritur rënien e saj. Por ai e flaku tej, me aq forcë, sa pjesët e saj u bënë copë copë.. Pastaj hapi derën dhe me hap të rëndë, sikur donte të rrëzonte dyshemenë, doli jashtë. Vetëm kur krisi dera e shoqja u zgjua nga një llahtarë e pa treguar dhe largoi duart nga koka. Në dhomë kishte mbetur vetëm shishja e përgjysmuar gota e zbrazur dhe pjesët e karrigës së thyer. Ajo vajti te dritarja që shihte jashtë në oborrin e shtëpisë. Kishte rënë një vesë shi dhe në pllakat e oborrit dukeshin gjurmët e mëdha të këpucëve të tij. -Do të kthehet përsëri, kështu e kanë burrat! – i tha vetes ajo e lehtësuar. Por ai iku dhe nuk u kthye më kurrë.