TANKA
Ndër krahët e tu
ndjehem në orbitë.
Zemra dëng me dashuri
e biorryma në inde.
Në krahët e tu fluturoj me asteroidë.
Do desha t’ia plasnim
kësaj nate sytë e errët.
Me afshin e puthjeve,
nën lulet e pjeshkës,
t’i bënim shtroje yjet e vjeshtës.
Ara – djerrë, e pavrarë
me qilim lulekuqesh.
Po cinglat pse s’i gjej,
as pafkat ku gjakoseshim
këmbëzbathur dikur?
Gulçe ndajnate në breg,
një fustan i rreckosur në leshterikë.
Deti ngushëllon me gjëmime,
perçe e resë i fashon syrin
diellit të zbehtë.
Me nuancat e spektrit
çjerr mjegullën e topitur
ylberi i pritjes sime…
Ka pesë mijë vjet që të kërkoj
dhe ti më ikën ndër pendime…
Hajku
Kreshta zgjat krahun e blertë
teksa ngjitem me drerin
në Olimpin e Dëshirës.
Si mitër shtatzëne
bymehet tok’ e ëndjes,
pas vesës së puthjeve.
Trëndafili për ty m’u vyshk në duar,
bohçet m’u shkërmoqën nën këmbë.
Ndoshta kthehesh me bisqet e rinj.
Farfurijnë pishinat – copëza qielli.
Diej të vegjël idili,
lahen me pulëbardhat.
Kësaj nate me ty,
nën pjeshkën e lulëzuar.
Shtroje, copëza horizonti.
Kanistër, gërsheti i ciganes.
Dalldisur për t’ia kapur,
unë dhe dallgëlumi.
Shikimtretur kah perëndim’ i përflakur.
Ti, prej andej, me gishtrinjtë e erës,
më shkërmoq psherëtimat.
Në mol, spirancën hëna e vonë,
mbi të, heshtja memece e natës.
As britmat e kurmit tënd s’e zgjojnë dot.
Në bar e vesë,
sandalja e braktisur.
Fustanin e veshi qershia.
U zhvesh nata
si një vajzë e ndrojtur.
Ia fali freskinë mëngjesit.
Me gjemb t’i shkrova
inicialet në gjethe.
Mbi shkronja çel trëndafili.