Suplement Pena Shqiptare/ Fadil Kraja “Burrnesha”

E quajnë Shpresa Mati. Një grua vërtetë burrëreshë. Në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Jeton me familjen e saj në qytetin e vogël Talentino, jo larg Ankonës dhe shumë pranë Maceratës, qytetit që u capërlua dhe rrënua nga tërmeti disa muaj më parë. Mes hallesh dhe rrezikut për jetën, çau Adriatikun dhe, si mijëra e dhjetëra, mijëra të tjerë shkoi edhe Shpresa në Itali. Nëntëmbëdhjetë vite më parë. Me familjen e saj, bashkëshortin Samir, vërtetë njeri i mirë, i shkathët dhe praktik, si dhe me dy fëmijët e vegjël, Marselin dhe Marsidën, (i quajtën kështu, sepse të dy u lindën në muajin Mars). Shkuan me shpresën për të siguruar një jetë më të mirë, duke lënë Shqipërinë në përgjithësi dhe Shkodrën e tyre, në rrëmujë kolapsi dhe në prag të një lufte civile. Shpresa dhe burri i saj Samiri, si njerëz të thjeshtë dhe të mësuar me punën, ishin të bindur se edhe atje, në Itali, vetëm me punë dhe me ndershmëri mund ta siguronin mirëqenien. Ndaj që në ditët ë para, pasi futën kokën në një apartament të vogël, paguan me ata qyqe kursimesh që kishin sjellë nga vendlindja, qiranë e kripur për gjashtë muaj dhe siguruan fëmijët në shkolla dhe çerdhe, u vunë në kërkim të punës, sido të ishte, e rëndë, ditën apo natën. Samiri gjeti punë në një firmë ndërtimi, si murator, ndërsa Shpresa në një fabrikë këpucësh ku punonte nëntë orë në ditë dhe pasi linte punën në fabrikë vraponte të bënte edhe pjatalarësen në një piceri dhe kthehej në shtëpi natën vonë, kur Samiri kish ushqyer fëmijët dhe ata flinin. Dhe fëmijët takoheshin me nënën e tyre vetën ditën e diel, sepse Shpresa ngrihej më natë, u bënte gati mëngjesin burrit e fëmijëve dhe nisej për në punë, ndërsa tjerët flinin. Nisej herët sepse punën e kishte larg qytetit, ndaj vraponte të zinte autobusin për të kapur fabrikën fiks në orar…Përndryshe humbiste punën. Me këtë stërmundim, por duke mos u ankuar kurrë, për një dekadë vitesh, nisen, si të thuash ta "merrnin veten". Duke kursyer, (por jo për fëmijët), arritën të bëjnë një jetë disi komode. Samiri krijoi pas disa vitesh një firmë ndërtimi të vetën, ku punësoi bashkë kombas emigrantë nevojtarë. I mësoi të birit, Marselit zanatin dhe djali, që në moshën 14 vjeçare u bë mjeshtër për ndërtim skelash. Tani për familjen gatuante vajza Marsida…Shkollën, dy fëmijët e vazhdonin natën dhe shkëlqenin në mësime...Ëndërr e çdo emigranti në Itali është të ketë një shtëpi të vetën, të blejë një apartament apo të ndërtojë një shtëpi. Shpresa dhe Samiri e realizuan këtë ëndërr. Blenë një truall në Tolentino. Blenë dhe materialet e nevojshme, ndërsa shtëpinë e ndërtuan vetë, me krahët e tyre. Duke punuar të gjithë, edhe natën. Punonte edhe Shpresa, bile edhe Marsida….Dhe ngritën një vilë të mrekullueshme, me plot dhoma, me verandë, garazh , bile dhe me kopsht, ku mbollën shumë pemë frutore. Nuk harruan të gdhendin në murin kryesor dhe në kangjellat prej hekuri dy shqiponja dykrenore. Bile, kryelarti Samir stampoi në mur dhe flamurin tonë kuq ë zi. E mobiluan shtëpinë më së miri dhe ishin aq të lumtur, sepse kishin një shtëpi "të tyren" dhe nuk do paguanin më qiratë e kripura...Të lumtur se edhe gjendja e tyre ekonomike qe përmirësuar ndjeshëm. Por…..Një fjalë ë urtë shkodrane thotë "Nuk të lë Zoti rehat". Ra një termet i tmerrshëm që rrafshoi qytetin Macerata. Lëkundjet ogurzeza nuk kursyen as Tolentinon…As shtëpinë e bukur të familjes Mati. Muret u çanë, dheu u shemb…Për fat, pa viktima. Por trauma që shkaktoi ishte e madhe. Të shohësh se si shembet brenda pak minutash ëndrra kështjellë për të cilën je rropatur për dy dekada pune e stërmundimi është shumë e rëndë. Një peshë që të kërrus supet dhe shpirtin…. U strehuan për shumë kohë në diskon që kish ngritur në qytet Marseli i shkathtë dhe me shpirt biznesmeni. Barrën e rëndë, fatkeqësinë e madhe e duroi shpirti i Shpresës, por jo Samiri. Ai pësoi një traumë që e bëri të zërë shtratin. U sëmur rëndë. Shpresa deshi ta dërgojë në ndonjë klinike italiane, por Samiri ngulte këmbë ta dërgonin në ndonjë spital të Tiranës. Shpresa me dhimbje në zemër e kuptonte të shoqin. Ai donte të vdiste në Shqipëri. Dhe ashtu ndodhi. Vdiq pas disa ditësh në Tiranë. Një traumë e tmerrshme për gjithë familjen, por sidomos për Shpresën. Brenda pak kohësh, ngeli pa shtëpi dhe mbi të gjitha pa burrë. Në moshë të re, në kulmin e energjisë… Por shpirti i Shpresës ishte i fortë. Në të gjallonte ajo thënia biblike: "Bëje jetën të dobishme edhe kur ajo të bëhet e padurueshme". Se jeta vazhdon dhe ti duhet t'ia pish lëngun e saj deri në piklën e fundit… Pasi i bëri në Shkodër gjithë ceremonitë e zakonit, me "të shtata e të dyzeta" u kthye në Itali, tashmë në qytetin bregdetar Civitanova ku zuri me qira një shtëpi. Dhe ashtu, e veshur në të zeza mori frerët e shtëpisë, u bë burrëreshë mbi burrëreshat... Shkon çdo ditë nëpër shkollat ku mësojnë fëmijë shqiptarë, u rri pranë që të integrohen, të mos e ndjejnë veten inferiorë dhe të bëhen pre e bulizmit… Ndihmon shpirtërisht dhe financiarisht familjet shqiptare në nevojë, madje, kur varfëria e papunësia i shtyn ata në prag divorci, bën çmos t'i pajtojë dhe t'i ndihmojë, t'u gjejë punë…Ndihmon të birin, Marselin të vazhdojë punën e babait, në firmën e ndërtimit, i rri vajzës mbi kokë të përgatitet sa më mirë për provimet që e presin në fakultetin e drejtësisë në Universitetin "Luigj Gurakuqi" ku bën vitin e tretë, (Marseli e ka mbaruar këtë fakultet dhe po jep masterin), nxit Albën, bukuroshen vlonjate, të fejuarën e Marselit, të vazhdojë vitet që i kanë ngelur në fakultetin e gjuhëve të huaja, anglisht….Natën vonë, kur shtrihet të flerë, i hedh një sy dhomës si muze ku qëndron në ballë fotografia e Samirit. Me shpirt i thotë: -Zemër, ti nuk ke vdekur. Punën tënde, ëndrrën tënde do ta vazhdoj unë…Deri në fund…Shtëpia që ndërtove dhe na e rrënoi tërmeti…do të ngrihet në këmbë…Të betohem! Se janë shqiponjat dykrenore atje…. A nuk është një "burrneshë" Shpresa Mati?