Suplement Pena shqiptare/ Fabula nga Vangjush Saro dhe poezi nga Xhevahir Spahiu


Fabula nga Vangjush Saro


NDERIMET

 Frynte në pyll një erë e marrë,

por Ujku ndjehej në delir.

“Këta që po na rrinë pranë,

të m’i gostitni sa më mirë…

S’ka rëndësi, çakej a dhelpra,

nga një nderim shpejt ua bëni!

Kurora them, me gjethe e shpendra.”

“Imzot, patjetër, por na ndjeni,

se këto gjethet zverdhen shpejt

dhe mund të bien një nga një.

Kështu, kurorat… ah, medet(!)

nuk kanë për të shkëlqyer më…”

“Ne s’dimë a do të jemi vetë

deri atëherë, o trutharë…”

Iu vu pikë muhabetit,

ndërsa kuiste erë e marrë…

 

FAMA

 Dikush bën fjalë me një Skile,

për punë cipe, diçka e tillë;

(e hollë, e trashë, që s’pyet fare…)

Thotë zonja ftohtë:

“Sa herë jam sharë,

rrëfej trishtim për sy e faqe,

pra… vdes për drejtësi dhe paqe (!)

Por, nëse doni troç t’ua them,

nga ato fjalë s’më hyn një gjemb,

më e njohur bëhem,

për atë Zot;

sepse kështu e ka kjo botë:

të urrejnë edhe të duan prapë…”

Këtu u mbyll fjalimi i gjatë.

 

DORDOLECI DHE ARIU

 E mbrojti arën njëfarësoj,

i trembi zogjtë dhe trumba shkoi.

Por kur u duk andej Ariu,

e pa shumë pisk Dordolec ziu.

U tremb dhe vetë, zëri iu mek:

“Ah, unë i mjeri, që s’kam dyfek!”

 

REJA

 Reja që vallëzonte në qiell ishte

e vogël, e butë edhe e brishtë…
Papritur, era e shkundi atë;
dhe Reja u ngrys, u vrenjt, u bë gri,
e frikshme,
e dridhshme,
e madhe u bë,
në tokë, inatin e derdhi shi.
E ndërsa ajo bënte tiranin,
drurët edhe rrugët vetëm qanin.
Por pas një kohe (që askush s’e mat)
lule avujsh zu ngjiteshin lart;
dhe Qiellin e madh e la pa gojë,
teksa në vallëzim sërish e ftoi...

 

KORBI DHE ARRA

 Majë tarracës, po punonte Korbi;

edhe një copë herë paq u lodh.

(Kish një Arrë për mëngjes i gjori,

por s’e çante që  s’e çante dot…)

I thosh Arra

gjithë me qesëndi:

“Kot më vjen ti rrotull, o syshkruar!

Nuk ma gjen dot anën

kurrsesi…”

Korbi vej e vinte i menduar.

Befas e vërviti Arrën poshtë.

(Ra në trotuar, u bë fërtele.)

Zbriti edhe vetë, e zu t’i thosh:

“Ku e kishim fjalën, moj kotele?”

Xhevahir Spahiu

 



Xhevahir Spahiu

NATA E VITIT TË RI

O zemra ime, o vetmi, 
të pimë sonte, gjithsesi. 
Një mall, një dhembje dhemb atje 
ku jemi dhe nuk jemi ne. 
pas muresh kokë më kokë kurthojnë 
harrimin e harrimit tonë. 
Po qoftë në Dajt a Monparnas 
një shishe vere të ndjek pas. 
Sa vlen një gllenjkë e saj nuk vlen 
as fama, as froni që shkëlqen. 
E tha s'e tha Omar Khajami, 
stacioni i fundit: Varri i Bamit. 
O zemra ime, o vetmi 
Te pime sone, gjithesesi

 

 

BORXHET E MIA

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lum a në dhomat e gazit
I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit që s’ia hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën,
i kam borxhe krimit që s’i vura emër.
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
I kam borxhe fjalës që s’e pashë në ëndërr
i kam borxhe korbit që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit ’13 që s’ia mbylla plagët
i kam borxhe ardhmërisë që ia lashë tek pragu
terrin e një kohe të largët.
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxh të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve;
gurin e varrit e shes
të laj borxhet.

Dhe vë pikën këtu.
Tani mund të flisni
për borxhet që më kini ju.