Suplement Pena Shqiptare/ Eva Gavani: Tri net

611
Eva Gavani
Tri net
Kjo ndodhi në tri net vere. Në ato net të nxehta kur kërkoja diçka ndryshe nga lodhja e përgjatë ditës,. Ajo, një bionde e ndriçuar nga drita e hënës, e tëra në të arta, këndonte aty çdo natë. Ishte këngëtare nate a ndonjë e ftuar e stinës, nuk e di, se qëndrimi im aty zgjati vetëm tri net e më pas çdo gjë e mbuloi rutina. S’e kisha parë asnjëherë. Mbi takat e larta të sandaleve ngjyrë floriri, këmbët e gjata të nxira nga rrezet e diellit ndiqnin ritmin e muzikës së DJ-it. Ajo bënte sikur këndonte me mikrofon në dorë, sepse më shumë kërcente dhe ftonte të ardhurit që kalonin mbrëmjen në diskon e hapur verore të ndiqnin ritmin e saj. Figura e saj herë ngatërrohej me ngjyrat e pulsimet e dritave të diskos e herë humbiste mes ngjyrave të fustaneve të vajzave që kërcenin. Ato kërcenin, këndonin, iknin nga pista, ktheheshin prapë e ajo vazhdonte mes tyre hareshëm këngën e saj. Doja shumë të isha mes tyre, ta kapja për dore, për beli a ta puthja këngëtaren me linja të holla. Isha i pirë, gjysmë i dehur, në të tria netët njëlloj. Ishte e treta natë që ulesha në të njëjtin vend e ikja prej andej në orët e para të pasmesnate. Aty nga mëngjesi, kur më zinte një gjumë i rëndë, nga ata që të zënë zakonisht mëngjeseve të verës, shihja të njëjtën ëndërr sikur këngëtarja më mbulonte me muzikë e ngjyrim të artë, më zgjaste dorën e më ftonte në kërcim. Unë nuk dija të kërceja. Ajo më kapte duart e mbushura me byzylykë dhe më mësonte si t’i hidhja këmbët sipas ritmit…Pastaj më dilte gjumi. Unë shihja përreth i lodhur nga kërcënimi i mundshëm dhe i mërzitur që nuk e kisha mësuar ritmin edhe sepse mësuesja ime përpiqej e përpiqej për tri net radhazi të më thoshte të njëjtat gjëra, të thjeshta. Në ëndërr i bëja gjithmonë gjërat më thjesht. Atë natë kisha vendosur të mos rrija në vend. U ula si zakonisht aty nga fundi i tavolinave, aty ku pas kërcimit ajo çlodhej me të dashurin e saj dhe porosita birrë. Më vonë porosita edhe për ta. Më morën për ndonjë fans të muzikës së saj. Muzika më pëlqente, dëgjoja shpesh Sen Sans, Bah,”Marshin e Aidës” së Verdit, por këtë muzikë s’e ndiqja kurrë, më dukej e pakuptimtë. Kur porosita birrën e kushedi të sat, kamerieri u përkul në veshin tim dhe gati me pëshpëritje më tha se “asaj i pëlqenin paratë”. Ai më shkeli syrin. Kjo do të thoshte se asaj i pëlqenin paratë…Trupi i saj tejet i hollë, gjysmë i zbuluar, rrezatonte Hënën. Për mua ishte e panjohur, as emrin s’i dija. Ajo këndonte, kërcente, ftonte në vallëzim, ulej mbi takat e larta, ngrihej, Ia bënte DJ-it me shenja dhe unë ndiqja lëvizjet e saj i përqendruar me gotën e birrës në dorë, të cilën kamerieri ma ndërronte sa herë që zbrazej. Ajo s’ishte e bukur, ish tërheqëse apo e bënte të tillë shkëlqimi i hënor i flokëve…Pista e ndriçuar herë pas here me drita që shkonin e vinin sipas ritmit, ndodhej në qendër të diskos. Përreth, mes pemëve e gjelbërimit ishin vendosur tavolinat që hera- herës ndriçoheshin nga dritat. Ai djali apo i dashuri i saj, qëndronte në cep të lulishtes i zhytur në errësirë, nga ku dukej fare pak nga pozicioni ku ndodhesha unë. Në duar rrotullonte paketën e cigares që e ndizte rrallë. Dukej i pirë e i dehur njëkohësisht, madje ca më shumë se unë. Ajo pinte më shpesh, sapo ulej lëshohej mbi karrige, gëlltiste me gllënjka birrën dhe pinte cigare që e mbante në majë të gishtave elegant, duke e rrotulluar nga njëra dorë në tjetrën. Një cast vështrimi I saj u ndal tek unë. Kishte dy sy shumë të lyer me ton të ndritshëm në ngjyrë të hënës. Ndoshta i kishte të bukur, por s’dalloja gjë. Ia bëra me shenjë kamarierit dhe ai u çoi menjëherë dy birra të ftohta, kikirikë të pjekur dhe një paketë nga ajo që po u mbarohej. Ai më pa thjesht duke picërruar sytë për të parë markën e orës dhe të celularit tim . Unë s’dija as sa ishte ora dhe, sa për celularin e kisha mbyllur, që sa kisha vënë këmbën në atë lokal. Ajo buzëqeshi duke bërë një grimasë prej lozonjareje që nuk i shkonte për shtat pamjes gjysmë nudo. Muzika vazhdonte. Ajo më zgjati dorën tamam si në ëndërr e më ftoi të kërceja. Në atë qytet s’isha për herë të parë, kish nga ata që mund të më njihnin, por pija kish bërë të vetën dhe në ato orë të vona s’mendoja më asgjë. Ish një valle popullore nga ato më të njohurat. Ajo udhëhiqte vallen, duke u tundur krah meje dhe unë ecja ngadalë duke u ndalur hera herës për të mos penguar lëvizjet e saj. Ajo vazhdonte pa u penguar nga plogështia ime kur aty nga mesi i pistës vura re se po kërceja. S’ishte aq e vështirë. Ajo mundi të më mësojë njëlloj si në ëndërr, por pa prekur me dorë këmbët dhe pjesët e saj intime. ..
Kur mbaruam, ajo u mbështet në supin tim dhe, duke u ngjeshur pas trupit tim trupin e saj të zhveshur, nisi të thoshte diçka. Ndoshta s’ishte emocion, ishte diçka tjetër që lidhej me ëndrrën, me atë prekje elegante të duarve të saj të mbushur me byzylykë të artë. “Fiksim” do të thoshte G., shoku im i zyrës, po të mos shihte këto net. Me sa duket, ajo do të më kish thënë diçka që lidhej me natën. Do të ngrihesha prapë të kërceja. Këngëtarja kërcente duke tundur fort vithet e gjoksin e fryrë, që të bënte të kërkoje të zbuloje misterin, nëse ishte natyral, me silikon apo efekti i veshjeve intime me ngjyrë të artë. Shpresoja që në këtë natë ta zbuloja atë që më detyronte të ktheja njëra pas tjetrës lëngun e turbullimit tim. Aty nga fundi i natës, ajo kaloi përmes tavolinave pothuajse të zbrazura e m’u afrua duke më përshpëritur të mos pija më, se më ishin skuqur sytë. I thashë se më ishin skuqur nga dëshira për të fjetur me të. Ajo buzëqeshi natyrshëm dhe m’u duk, se tha diçka të ngjashme me “s’kishte si të ndodhte ndryshe”. Hodha një vështrim të shpejtë nga i dashuri që përgjumej aty në cep, duke rrotulluar paketën e panisur. I bëra një shenjë me kokë. Ai foli. Ajo më tha emrin e hotelit ku ishin akomoduar ato net. Me padurim hapa telefonin dhe rezervova një dhomë. Dhoma ishte me një pamje fantastike, më thanë, nga lindja, dhe binte tamam sipër dhomës ku flinte ajo. Derën do ta lë të hapur,- I thashë, duke i treguar ndërkohë shumën që di t’i lija në këmbët ë saj, taman në sandalet elegante me takë të lartë. Asaj i pëlqeu. Tamam si në ëndërr. Më vonë gjithçka qe muzikë, si muzika e saj, përzier me zhurmat e natës, e ngjashme me erën që fryn në det ngatërruar me takat e sandaleve të saj. S’mbaj mend më asgjë. Në sandalet e përmbysura mbi dysheme lashë shumë që i pata premtuar. Ajo u largua me një puthje të shpejtë në faqen time të djersitur aty nga mëngjesi dukë lënë pas kurorën me dritë hënore në sytë e mi. Atë natë nuk pashë më ëndrra e fjeta gjatë, më shumë se zakonisht, tamam aty mbi dhomën ku flinte i dashuri i saj. S’e mora vesh kurrë dhe as kam për ta ditur ndonjëherë, nëse ai e dinte fundin e asaj nate aty i ulur gjysmë i menduar e gjysmë i tundur në cepin e tavolinës së cepit, ku lëshonte aromë një degë jargavani.
Sigal