Suplement Pena Shqiptare/ Ese nga Xhevair Lleshi për librin e ri të Ndriçim Kullës ‘Apostuj të dashuruar’

868
Sigal

Nga libri “Apostuj të dashuruar”

NDRIÇIM KULLA – NJË ZEF VALENTINI I RI

E sotmja është vetëm një ditë nga të gjitha ditët që do të vijnë në vazhdim. Por, ajo që do të ndodhë në të gjitha ditët e tjera që do të vijnë, mund të varet nga ajo që do të bëni sot.

Ese nga Xhevair Lleshi

Është një mik i mirë, sidomos me letrat. Paksa i emocionuar dhe i përmbytur nga mendimet, sa herë takohemi, efekt i drejtpërdrejtë i krijimtarisë, gjithnjë duke belbëzuar diçka të madhe nga takimet, shkrimet, krijimtaria në librin e fundit, mërzia kalimtare nga një mosarritje e rastit, i shqetësuar për shëndetin dhe rruga sizifiane e ngritjes eruptive në botën e letrave. Po, mik me Ismail Kadarenë. Ringritja e fuqishme, madhore e Zef Valentinit. Edhe sikur vetëm kaq të kishte bërë do të thotë se e ka përmbushur misionin e jetës. Bota e tij është mendimi shqiptar, atdhetar, i kultivuar, i zhvillimit, e i shoqërisë, i qelizës ku ndërtohet jeta, i ekonomisë. I pranishëm çdo ditë në shtypin e përditshëm dhe atë periodik, në portalet online. Me një fjalë ky njeri i heshtur është mik i gjithë dijetarëve shqiptarë sot e të djeshëm, po na lë pas një bibliotekë fantastike, të lakmuar nga çdo njeri të paktën me sedër atdhetare, nga të gjithë ata që e duan Shqipërinë tonë. Me fjalë të tjera më duket sikur ka hedhur zhgunin e Faik Konicës supeve. Dhe flet për një sfidë të paepur dhe të papërsëritshme të dijes, duke zhvilluar zejen e hollë të krijuesit. Aq të holla duken fijet e arta që ngërthejnë thurjen e hatashme filozofike dhe të mendimit shqiptar sa zor e ke ta dallosh nga filigrani. Një ditë, nga fundi i qershorit, më tregonte veprën më të re: «Atlasi i shkruar i Kadaresë», pas botimit të suksesshëm të veprës tjetër «Ylli i shkrimtarit» një biografi e shkrimtarit në veprat e tij, si një sfidë me të gjithë ata që donin të interpretonin krijimtarinë e jashtëzakonshme të shkrimtarit tonë të madh. Rëndojnë me peshën e duhur fjalët e shkruara nga Ndriçim Kulla, sepse përballë kanë krijimtarinë e madhe të Kadaresë, e si mund të ballafaqoheshe ndryshe me lexuesit nëse nuk do mbështeteshe tek gjetjet e mrekullueshme që të afrojnë me veprën? Ballë përballë e sy ndër sy. Më pëlqeu shumë kompozicioni, përplasja e mundimshme me qëndrimet e lakuara bukur, kishte mjaft freski. E vuri re emocionin tim Ndriçimi dhe më në fund pashë të qeshurën e tij që iu ndeh në fytyrën eshtërmadhe dhe trupin që rrezaton energji të fuqishme. E kapi vëzhgimin tim dhe iu nënshtrua përfundimisht të qeshurës…, po nuk shtoi asgjë të veçantë. U krodh në meditimin e tij. Kryet e kthyer ndaj meje dhe vështrimi i veçantë vezullues, me një prirje të hapur në ballin e lartë, ndërkaq sytë i kishin marrë një hijeshi të ëmbël, miqësore, ngaqë fill do të kalonim tek i madhi Zef Valentini, aty ku buronte një mirësi e mirëfilltë, një dritë e pakuptueshme nga sytë e errët, kur as që mund ta kuptoje vështirësinë artistike dhe estetike të mendimit të këtij njeriu vërtet të madh sido të pavlerësuar nëpër majat ku shkel. Ndriçimi shfleton veprat. Jo, nuk është zbulim imi. Ai aty ka qenë dhe unë këtë e kam thënë gjithnjë, por vetëm sa i hoqa pluhurin, e nxora në dritë ku mund të përthyhen rrezet e diellit, ua dhashë të gjithëve ta kenë në duar, sikur edhe thjesht ta përkëdhelin me sy. Eh, patjetër që ka qenë një mundim sizifian, kuptohet. Pa lënë pasdore një lloj intuite të hollë, ku bie në sy veçanërisht ajo filozofia e ndritshme e Zefit tonë të madhërishëm, se deri në ato maja e ka ngritur veten, duke na dhënë shumë diell, zjarr miqësor dhe dashuri të vërtetë. Sigurisht të gjitha kthehen në fjalë boshe sikur të mos ia kuptojmë lëngatën e vetmisë, sepse ai rronte me dijetarët e mëdhenj të kombit e të historisë, të vdekur, që ka njohur njeriu shqiptar sidomos. Përsëri më ra në sy buzëqeshja e vuajtur e Ndriçim Kullës. Nuk do të kujtonim asgjë nga e kaluara, nga vitet e tmerrshme të Sizifit, nuk do të bënim asnjë paralele me vitet e shkollimit e të studimit, por ama s’kishim pse të mos shihnim kolanën e mrekullueshme të Zef Valentinit, pos krijimtarisë së madhe për mendimin e kultivuar shqiptar, antalogjinë e tij, për tendencat, huqet, shprehjet butaforike, lëmitë e sajuara dhe ato të patjetërsueshme, penën e hollë, gjykimin e shëndoshë. Dhe kjo është bërë, ekziston tashmë, e ke në duar. Atëherë ktheje pak kokën ndaj tyre, vështroji në sy, merru pastaj me to dhe sa të mundsh përfito. S’ka gjë më të madhe se kaq. Ec përpara dhe vrapo në fushën e dijes, rrugët janë të hapura. Fundja, t’i ka hapur dyert kanat ja, ky burrë, që herë-herë ecën i menduar rrugëve të Tiranës. Ai ka punë me Zef Valentinin dhe ju këtë duhet ta besoni. Po nuk pate këtë përfshirje kaq totale s’mund të kesh një arritje aq të madhe. Edhe të mos duash është ai që të mban afër, të bën që të ndihesh si i verbër dhe të ecësh sipas disa skemave të papara ndonjëherë. Punë të përkora, të zhdërvjellëta e prej mjeshtri. Duke qenë se ishim të vetmuar në lokal, e ndieja se biseda jonë nuk do ta kalonte dot cakun e Zef Valentinit. Dhe me siguri që s’kishim për ta hedhur aq lehtë lumin. A ishte ai një klasik shqiptar i mendimit? A ishte ai një fisnik i madh i botës së panjohur jo vetëm të mendimit? A mbetej thjesht një bohem disi i shkëputur nga morali jo i bekuar edhe sikur kjo të kishte dimensione kombëtare e pothuaj familjare? Ai, si mjaft të tjerë të shkollës së tij, u dashuruan me filozofët dhe mendimtarët e mëdhenj të shekujve si prurje e madhe e ajkës njerëzore, duke shtyrë mënjanë kohën dhe mënyrën e jetesës, por duke hedhur poshtë veset, ritualet e padobishme njerëzore edhe në kohën kur ecën drejt caqeve që kanë perënduar. At’ Xhuzepe (Zef) Valentini! E pabesueshme! Ta them hapur: stili i tij më ka pëlqyer në detaje dhe padashur është bërë vetiu edhe stili im, doja apo s’doja! Por ama pa shkuar deri tek përshtatja me jetën e përditshme, apo edhe deri te vdekja madhështore. Shenjë kritike e të ikurve të mëdhenj, e vërtetë ngushëlluese, që sikur të ysht të bëhesh pastaj pjesë e një jete vërtet sizifiane. Të duket pa kuptim? Jo, aty është edhe kuptimi, duke krijuar ekuilibrin e duhur me zgjuarsinë. Duhen këto, por mbi të gjitha duhen fuqi prej titani, që i kam njohur te Zef Valentini. E, ndalu pak tani, të lutem. Janë të rralla rastet kur të gjitha trashëgimitë bëhen të tuat! Aq më tepër kur është fjala për fuqi të tilla, një energji gati-gati e pasosur dhe me cilësi të epërme. S’e përtyp dot. Mund të ndodhë, po, që të paraqitesh aq thjeshtë në shoqëri apo në një darkë të shquar edhe mund të jesh Zef Valentini, sepse ai s’ka qenë snob as i vetvetes dhe i dijeve që zotëronte, as edhe i rëndësisë së dukshme dhe të vetvetishme, duke rrezatuar autoritet dhe një komunikim të mrekullueshëm. Sa do të doja, megjithatë… Kam veçuar disa thënie të çmuara nga Valentini. Njëra prej tyre më e goditur se tjetra, ashtu si e gjithë vepra e tij. A flasim shpesh për fisnikërinë? Po. Mos e mbaj po të duash si postulat mbi tryezën tënde të punës. Nuk ka asgjë fisnike kur tregohesh superior ndaj shokut e mikut. Fisnikëri e vërtetë është të jesh epran ndaj asaj që ke qenë ti vetë! Më tej, jemi ne që udhëtojmë dhe kjo modë na kërkon domethënien e duhur. Edhe Zef Valentini çuditërisht ka arritur në të njëjtin përfundim: Është mirë që udhëtimi të ketë një fund, por në fund është vetë udhëtimi ai që ka rëndësi. Në jetën tonë të përditshme ne shqetësohemi jo pak, atëherë shqetësohuni nga pak çdo ditë, do të humbisni dy vite nga jeta juaj. Por mësojeni veten që të mos shqetësoheni sepse me të nuk zgjidh dot asgjë. Kishte të drejtë Zef Valentini i madh kur shtonte se shqetësimi të burgos e të bukos! Të dëgjosh të tjerët është një cilësi e rrallë, madje aty duket e gjithë mrekullia e mendimeve të tua. Më pëlqen të dëgjoj me kujdes. Kam mësuar shumë nga kjo gjë. Mirëpo shumica e njerëzve nuk dëgjojnë kurrë! Po kur jep idenë e shkrimtarit? Nëse një shkrimtar di mjaftueshëm në lidhje me atë që po shkruan, ai mund të evitojë atë që di. Guximi? Ky është gjithçka për njeriun, karakterin e tij dhe shpreh thelbin e personalitetitMadje ai e quan lavdi nën presion. A mund të jetojë një gjatë një njeri i ngrysur e pa humor? Jo, dhe nënvizon se një burrë duhet të jetë shumë herë i dënuar nëse nuk i qeshin edhe një herë vetme sytë! Pastaj jeta! Dihet se jeta e çdo njeriu mbyllet njëlloj tek çdo njeri, por atë e bëjnë vetëm detajet si jetojmë e si vdesim, gjë na largon nga njëri-tjetri. Kur je me mendimet e Zef Valentinit mund të zgjedhësh mendime për librin dhe ja ç’nënvizon: Gjëja e përbashkët e librave shprehet te fakti se ngjarjet e tyre janë më të vërteta, sa po të kishin ndodhur realisht. Por mund të kthehet fare mirë çdo thënie e çmuar e tij në një lajtmotiv. «E sotmja është vetëm një ditë nga të gjitha ditët që do të vijnë në vazhdim. Por, ajo që do të ndodhë në të gjitha ditët e tjera që do të vijnë, mund të varet nga ajo që do të bëni sot.» S’më duket e nevojshme ta komentoj, se është edhe një devizë pune. Kaloj shpesh në kufijtë e punës sime, futem edhe brenda, herë me hap të shpejtë dhe herë ngadalë. Kur eci nuk mbaj asgjë nëpër duar e as mbi shpinë (boll kam mbajtur! Dhe qesh pak duke përvijuar një ironi therëse…), përherë i mbushur tej mase përbrenda, duke kërkuar me sy: të njohur, miq, shokë. Vjen kamerieri dhe pyet nëse duam t’i shtojmë diçka tjetër asaj që bëjmë, ndërkaq Ndriçim Kulla, që rrezaton mirësi dhe seriozitet kthen mënjanë veprën e tij të fundit «Kush jemi ne shqiptarët» Kjo mund të thuhet edhe thjesht si portreti dhe personaliteti i individit shqiptar. Ai nuk i thoshte me zë ato që mendonte, rrinte i rëndë dhe kuptohej që mendja i lëvizte gjetiu, edhe pse unë doja shumë që ai të buzëqeshte dhe si përherë të luanim gurët e miqësisë. Të peshon shumë lodhja kur shkruan? Jo, nuk lodhem, ndiej vetëm kënaqësi, por më pas, sigurisht, e ndiej peshën do të thosha edhe dhimbjen, gati si gruaja që vuan gjatë lindjes e megjithatë ne e dimë që ajo lind sërish, ashtu edhe unë përsëri filloj nga e para. Sikur të ndodhte, mik i dashur, të të jepja një kumt, të të thosha për shembull, pse jo edhe me një shndritje gëzimi po edhe ironie po të duash: Po e shkruaj atë që të kam premtuar… Një çast kërkon ndjesë dhe ikën papritur dhe pas pak vjen disi më i qeshur, sikur kjo të ndodhte në një ditë tjetër, tashmë me fytyrë vërtet të endur prej një gëzimi që i buronte vetiu, të kthyer nga drita, që duket se i krijon një profil mjaft interesant, të mbushur me një lloj magjie ngacmuese, edhe pse një sy i zakonshëm do të thoshte se e gjithë kjo ishte një gjë që ndodhte përditë me të. E kishin botuar. Nuk e prisja, sepse do të më bëhej sikur do të shkreheshin armë! Mos, mos e thuaj, ç’ne armët! Armët e fjalëve. Ja, a nuk i mprehim çdo çast ato? I bëjmë gati ato të mëngjesit tjetër. Dhe do ta çmoja shumë të qeshurën e tij që s’kishte asgjë të keqe, por nuk e di pse më bëhej se e torturonte veten kur qeshte ashtu. Ndoshta fajin e kisha unë që nuk po e kapja dot fillin, sepse një çast më parë m’u bë sikur po falte mëshirë, ngaqë ai e kishte mendjen tërësisht te librat. Ç’më fsheh? – e pyeta. Ah, lëre mos e pyet, miku im, më duhet t’i jap fytyrë tjetër Zef Valentinit, do ta pajis me tërë tertipet e nevojshme. Kam frikë se nuk ia kam dhënë brendësinë e duhur dhe lakmia, sa më shumë mëson nga kjo zeje, më tepër të detyron të bësh! A nuk është lajm i bukur? Sigurisht, lajm i mirë, por pret, sepse nesër do të kërkosh gjëra të reja dhe kjo e dyta nuk bëhet më. Apo jo? Bën sikur do të nxjerrë një libër mbi tryezë për t’ma treguar, mbushet me djersë që i mbu¬lojnë ballin, ndoshta prej emocionit. Balli i gjerë shkëlqen, i qesh si asgjë tjetër në fytyrën e tij, ndërsa sytë e thellë e ngulmues të shohin drejt pa iu dridhur qerpiku, sikur ta rrihnin dritat e jetës. Kjo gjendje, ky çast do t’i mjaftonte për ta kujtuar gjatë. Ja, kam me vete «Binjaku i Nënë Terezës», një biografi e plotë e At’ Xhuzepe (Zef) Valentini, misionar kulturor jezuit në Shqipëri. Do të mjaftonte vetëm kjo pa e dhënë gjithë veprën e tij? Kurrë. Por kjo erdhi pas veprës, pasi unë vetëm atëherë isha gati. Përherë më është dukur i fundmi i klasikëve të mendimit të fuqishëm, si një Spinozë që shkel në shtigje të reja, të tjera, i pavdekshëm, që kur¬doherë sfidon. Dhe kjo sidomos më duket mjaft e këndshme. Po, patjetër, duhet mjeshtëri tjetërsoj, jo vetëm i fjalës së zgjedhur shqipe, po edhe në përshkrimin e hollësive me anë të një qëmtimi plot dashuri dhe përherë intuitiv, plot ritëm dhe gjithnjë besnik i veprës së shkruar, natyrisht i papërsëritshëm si ai, mag i përgjegjshmërisë së lartë, famë e dyfishtë e njeriut mjaft aktiv të ditës. Ai di ta bëjë edhe politikën dhe si me të qeshur shton se i duhet patjetër të jetë pjesë e politikës, për një mjeshtëri tjetër, jo më ata shtiranikët e të papërgjegjshmit, të lodhur për më keq, që përpëliten të dalin nga këneta ku janë zhgërryer, nga loja prej karagjozësh, që duan të shpallen të famshëm për faktin se do të marrin nesër një pension të lartë! Ndoshta nuk do ta gëzojnë këtë fat të turpshëm… Nuk kam parë tjetër njeri që t’i përngjajë një cope shkëmbi: trupi, fytyra, muskujt, po ama edhe karakteri i fortë si një frymëzim spartan. Pikërisht karakteri i tij e shpreh talentin në punë, shí karakteri dhe talenti s’e kanë lënë kurrë në baltë. Gjithnjë e ka pasur të brendshëm hedhjen e hapit, për vete dhe për miqtë dhe kjo s’mund të ndodhë asnjëherë rastësisht, por me shije të përkorë, si bryllësi më vete e plot tharm, që e shndërron gjithnjë deri në mahnitje. Karakteri i tij e ka këtë trill, ndonëse herë-herë gabohen me të. Sepse e marrin si një gjë hipotetike. A nuk u mjafton miqve ajo ngrohtësi që ai fal? A u duket i tepërt zjarri miqësor që i shpërthen disa herë edhe në trajtën e eseve në gazetat e përditshme, apo në portalet e shumta online? Alo? Pas një telefonate ai gjithnjë hesht pak, me një frymëmarrje të nxituar. Ku nuk donte të hynte ky njeri. Dhe mbeti përkrah vetes, bashkë me italianin e nderuar At’ Xhuzepe (Zef) Valentini, albanologu i shqiptarizuar, duke drejtuar me dinjitet synimin e jetës së tij, siç ndodhte zakonisht në gjërat e pa jetuara, duke protestuar fuqishëm brenda veprës së tij, si zbulim i veçantë i Ernest Koliqit dhe shprehje karakteri e krijimtarie nga ana e Ndriçim Kullës. Karakteri i fortë dhe këmbëngulja kërkimore i dha fuqi të madhe dhe kjo u realizua si arritje dhe shenjë e mirë për më tej. Për fat nuk pati dështim dhe në hapat e hedhur kjo merr rëndësinë e nevojshme, pos së cilës do të mjaftonte edhe një përqafim me dashuri. Çfarë personaliteti fitonte fjala e Valentinit në botën shqiptare, tek e cila guxojmë të themi se sa e bukur ishte! S’mund të hiqte dorë, edhe po t’i luteshe. Por mbi të gjitha kjo tërheqje s’mund të ndodhte bash tani, edhe po ta kërkoje si një të ashtuquajtur pafajësi të madhe. Kjo është çështje e mendimit shqiptar dhe e filozofisë gjithashtu. Më në fund, mund të ecnim më të çlirët, s’mund të ktheheshim gjëkundi, as do të harronim shpejt, se nuk na linte të humbnim shija e lartë e të shkruarit! At’ Xhuzepe (Zef) Valentini thuhet (atje lart!) se ka mbetur i kënaqur prej botimit të veprave të tij dhe ashtu i trallisur nga kënaqësia ka bërë disa shënime… Ëndrra në diell, ma sy hapur. Ne, sigurisht e dimë që kjo s’ka ndodhur e ndërkaq kënaqemi, madje edhe ndihemi shumë mirë që At’ Zef Valentinin e ri e kemi këtu, në tryezën tonë, duke bërë përpjekje titanike për të arritur stimën e tij të lartë, brenda portretit burrëror. Për t’u bërë edhe më i madh! Ndriçim Kulla qesh. Qesh më bukur se gjithë herët e tjera, me gjithë shpirt. Ah, ja ku qenka sekreti i të qeshurës së madhe. Po ne e dimë se kjo do të ndodhë. Qoftë e afërt dita. Amen!

Tiranë, më 21 gusht 2016