Suplement Pena shqiptare/ Ernest Koliqi- Tregtarë flamujsh

Ernest Koliqi

TREGTARË FLAMUJSH

Fragment

-Posi.... u ba Shqipnija. Dalin të marrët e vikasin rrnoftë Shqipëria! Ti i mençëm përgjigje tue bërtit në kupe të qiellës : rrnoftë, po, e shpejt me porositë flamuj. Na shkyeju rrnoftë, e ti shit, ban pare tue tregtue mbi ndiesit tona. Lojë e bukur, por s'të ka dale....
Gaspër Tragaci, lëshoi shtizën e u avit kërcënueshem kah djali.
Flamuri ra për tokë. Hilushi s'luejti vendit. Shikonte sytë e ftohtë qi lëshojshin shkëndija idhnimi. Tregëtari u ndal para tij. 
- Mos me kenë hatri i miksis sëe moçme qi kam me shpinë t'ante, dij unë...
I riu ia priti
- Për hater t'asaj miksije tash qes bejte me t'u shit flamujt..
Me za qi i dridhej prej pezmit tjetri ia kthei:
-Po, zati ti s’din veç me qit bejta. Jeto me prralla, bieru mbas andrrave. Me vjen keq per gjind tuj se tash i qet ne rruge te madhe, me shka shof une. Hajt, hajt, qit bejta e duaje Shqipnin: bejtat e Shqipnija kane me të qitë në dritë....
U afrue edhe ma tepër e pëshpëriti si në një fishkullimë:
- U shitne a s'u shitne flamujt, qendroi a s'qendroi Shqipnija, unë kam mjaft shyqyr, me jetue, a more vesh e tash jashtë....
-Kadalë... ia priti djaloshi me t'egër e syt i vetuen- dal vetë e s'asht nevoja me më qit jashtë ti.
Por edhe një fjalë due me t'a thanë e të lutem vire në vesh si at kshill që me dhae par në dugajë. 
Ti thue se jeton, por rrehesh. Ti je shlye prej numrit të gjallëve qyshse je ndry në kët dugajë mbushëme mall. Ky asht vorri yt. E sa për Shqipni, po të siguroj un se ka me qindrue. Prandej mos ban merak se edhe flamujt kan me t'u shit krejt, por rueje shpirtin tand mos tia shitish dreqit.
E Hilush Viza doli, lehtësue në zemër nga ai shfrim, me thith ajër të kulluet n'udhë sepse era e asaj dugaje i mirrte frymën.