Suplement Pena Shqiptare/ E bukura Kejti

609
Shpendi Topollaj 
Ja erdha – iu përgjigj të atit Kejti dhe vrullshëm u ngrit nga tavolina. Teksa shkonte tek ai, unë e shihja nga prapa dhe ngazëllehesha prej formave të përkryera të trupit të saj. Flokët e zeza që i vareshin deri te beli i jepnin një hijeshi të veçantë. Si bisedoi diçka me babanë, atje pranë banakut, u kthye përsëri në vendin ku qe ulur me dy oficerë të policisë rrugore. Tani unë që nga banaku e shihja fare qartë fytyrën mahnitëse të saj. Me një vështrim të vetëm, ajo të bënte për vete. Ajo mesa dukej e vuri re dashamirësinë a adhurimin tim dhe m`u afrua. – He profesor si po u shkojnë punët? – Çfarë dreq profesori. – iu përgjigja pak i turbulluar. – Me kohë – më tha – edhe ti do gjesh vendin tënd. S`ke pse mërzitesh. Kjo është Amerika. Edhe shumë të tjerë e kanë filluar nga hiçi. Rëndësi ka shpirti yt i madh, bota e pasur shpirtërore. Ajo lëshonte një erë parfumi që të turbullonte dhe të bënte të ndiheshe i lumtur. Ndofta kjo qe dhe arsyeja që asnjëherë nuk ia përcaktoja dot qartë ngjyrën e syve magjepsës asaj vajze. Edhe pse ajo gati çdo ditë, do ta gjente një shkak të më afrohej. E tërhiqnin bisedat e mia për letërsinë. Nuk i kishte mbushur të njëzetat dhe vazhdonte studimet në Universitet Kejti. Gjatë ditës vinte shumë shpesh në lokalin e të atit që shërbente si piceri. Aty, në të vërtetë, vinte e gjithë familja e tyre që përbëhej nga prindërit e saj dhe gjyshja. Më kishin sistemuar edhe mua me gruan, ku ime shoqe punonte në kuzhinë, kurse unë isha ndihmës i saj. Picave ia morëm dorën shumë shpejt. Punë kishte sa të doje aty dhe kryesisht, nga që ishte buzë rruge, vinin policë nga ata të kontrollit rrugor. Ndalonin makinat e tyre të mëdha në sheshin e shtruar me pllaka përpara lokalit dhe plot zhurmë hynin brenda. Ne tani gati i njihnim me emra të gjithë. Kejti shkonte tavolinë më tavolinë dhe i mbante me muhabet, gjersa në u përgatisnim picat sipas porosive të tyre. Po të ndodhte që ne të vonoheshim, ata çuditërisht, nuk mërziteshin asnjëherë. U pëlqente prania dhe bisedat prej çapkëneje të Kejtit. Në atë lokal kishte shumë zhurmë dhe shumë hare. Vetëm kur ndodhte të mungonte Kejti, binte një hije e zymtë dhe bëhej qetësi. Nuk para flisnin klientët tanë kur nuk qe Kejti. Edhe pse herë pas here shkonte dhe shkëmbente ndonjë fjalë pronari i lokalit, përsëri e shihja që nuk e zëvendësonte dot Kejtin. Ai ishte një mesoburrë që mbante përherë veshur një kostum të zi të ngrirë në hekur dhe këmishë borë të bardhë. Njeri korrekt, ai herë pas here më thoshte se kemi punuar me shqiptarë dhe kemi respekt për ta. – Kurse ti – shtonte – je edhe më i mirë, se ke shkollë. Ke qenë profesor. Por këtu s`do t`ia dijë kush për diploma. Bëj punën dhe të paguajnë mirë. Ndaj dhe unë herë pas here do të ta ngre rrogën, si ty, ashtu dhe sat shoqeje. Unë si e falënderoja, e kuptoja se atij i venin punët mirë. Mirëpo Kejti, pas ca kohe nisi të dukej rrallë e më rrallë në lokal. Ose vinte sa për të ngrënë diçka dhe fluturonte. Mësuam nga gjyshja e saj, se ajo ishte dashuruar me një djalë që e kishte shok shkolle, dhe nuk ia kishte më ngenë as picerisë dhe as picave. Për të qenë i sinqertë, edhe unë, kur ngrihesha e bëhesha gati për të shkuar në punë, nuk e kisha më atë gjendjen e parë e të gëzuar shpirtërore. Me pak fjalë, nuk e di pse ndihesha bosh. Dhe sepse më dukej se mbi ato tavolina e karrige kishte rënë një hije e zezë. Edhe klientët tanë, sidomos ata policët rrugorë, vazhdonin të vinin, por thoshin se nxitonin. Madje edhe picat shpesh herë i merrnin me vete. 
– Nuk kemi kohë, do t`i hamë në makinë.
Pastaj filluan të rrallohen. Kur vinin ndonjëherë, justifikoheshin me lloj lloj arsyesh. 
Si kaluan disa muaj, u kuptua që pronarit nuk po i dilte llogaria. Ai dukej shumë i shqetësuar dhe një ditë na mblodhi të gjithëve dhe me një zë ku dukej dëshpërimi, na tha me keqardhje se biznesi i tij kishte falimentuar. Kuptohet që unë dhe gruaja ime u mërzitëm shumë. Nuk ishte kollaj të gjeje punë në Las Vegas, sidomos kur ishe emigrant si ne. Në fund pronari, më hoqi mënjanë dhe më tha: – Nuk e di përse na u larguan kështu klientët. Ku e kemi problemin s`e kuptoj. Ju gjatë gjithë kohës punuat me ndershmëri dhe e di që e keqja nuk qëndron te ju. S`e kuptoj pse ngjau kështu? Dhe si më pa dhe një herë, sikur donte të më kërkonte mua të falur, por edhe një mendim, shtoi:- Do të të jap edhe pagën e tre muajve, se e di që keni nevojë.- Te faleminderit – i thashë – edhe ne jemi shumë të kënaqur nga ju dhe u mësuam këtu. Nuk do t`ju harrojmë kurrë, por si miq që u bëmë, më lejo të ta them, se si e mendoj unë shkakun e largimit të klientëve. Ai kureshtar, m`i nguli sytë dhe duke më treguar karrigen, më tha: – Ulu! Si u ula, vazhdova: Këtu mungon Kejti. Klientët kishin nevojë për buzëqeshjen e çiltër të saj. Ajo është vajzë e shkëlqyer, por dhe e bukur. Ti duhet të krenohesh me të. Por kjo është e gjithë e vërteta. Edhe ti do ta kesh provuar kur ke shkuar në ndonjë restorant: je ulur pikërisht në atë tavolinë, ku kamerierja të është dukur më e bukur. Kështu jemi ne njerëzit. E duam të bukurën, qoftë edhe duke e parë. Se kështu na shijon më shumë edhe dreka, edhe kafeja, edhe pica. Ishte ajo që i tërhiqte më fort, me hiret, me freskinë dhe sjelljen e saj, ata policët rrugorë që kur panë, se ajo s`po vinte më, thoshin se nuk kemi kohë. Ja përse dikush e ka quajtur bukurinë një enigmë. Pronari uli sytë dhe më përqafoi: Po or mik! E kisha menduar edhe këtë, por sepse me vjen mirë që ma thua ti. S`na mbetej tjetër, veçse të ndaheshim si miq të vjetër. Sido që sa herë kaloja aty pranë, nuk para qëndroja. Kurse Kejtin nuk e pashë më kurrë. 
Sigal