Suplement Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli për librin “Unë dhe unë” të Sokol Olldashi

662
Sigal

Një shkrepëse


Ndizmë, vëlla një shkrepëse
nën qiellin e zi,
Një shkrepesë të brishtë shprese
në errësiren me shi.

Në errësirën e dhjamur si pelte,
Kur ndihet të zbresë acar.
E dini c’do te thotë një shkrepëse,
Një fije e hollë si bar?

 Të shkruaj një vlerësim për një vëllim, siç po më
ndodh sot me libri “Unë dhe ti” të poetit Sokol Olldashi, djalit të studentes
sime të dashur Kozetës dhe nipit të mikut tim të paharruar Dashnor Mamaqit, për
të cilin ruaj shumë kujtime, nuk është gjë e lehtë. Duhet të dini që 83 vjeç sa
jam unë, nuk janë pak. Është një jetë e tërë, me shumë ngjarje të gëzuara apo
të hidhëruara, të stuhishme apo monotone, e megjithatë, e mora këtë dosje me
poezi për ta lexuar. Duke marrë shkas nga kjo poezi, dua ti them se mjeshtëria poetike
e Sokol Olldashit  ka në strukturën e saj një varg të çliruar tonik,
ametrik dhe arimik, por me intonacion muzikor. Vargu në poezi mund të jetë i
rregullt, i çliruar, i lirë, por muzikaliteti nuk duhet të mungojë.

Libri poetik “Unë dhe ti” i Sokol Olldashit do të
jetë një befasi e këndshme për lexuesit. Prej poezive të tij këndonjësi merr
kënaqësi estetike sipas mënyrës së leximit të tekstit poetik dhe shijeve të
tij. Pasuria e mjeteve figurative  poetike është e larmishme, sidomos me
metafora e simbole të ndryshme. Është poezi realiste, ajsbergiane dhe moderne.

Këndonjësi elitar, përtej të dukshmes në shtresat e
tekstit poetik, zbulon edhe të padukshmen në nënshtresat e tij, prej nga
burojnë mendime dhe kumte të vyera e të fuqishme. Autori poetikisht shpreh të
bukurën dhe të shëmtuarën, të mirën dhe të keqen e në të njëjtën kohë
mospajtimin në këtë të fundit dhe kundërshtimin e rebelimin ndaj botës së ndyrë
dhe të pistë, që të vret kur s’e pret dhe të qan me lot krokodili para
arkivolit.

 

Sokol Olldashi

VALSI I MERIMANGAVE

 Ndër rrjedha shtjellore merimangash jetojmë

pa mundur të lëvizim asnjë çast ndër helme

Gjysma në një rrjetë,

Gjysma në një tjetër.

Merimanga

me kokat tona kërcen vals.

I tmerrshëm është valsi i merimangave,

 lëvizje makabre gjymtyrësh plot makthe,

ndrydhje ëndrrash fatkeqe, mes rrjetash

plot vdekje.

I tmerrshëm është valsi i merimangave…

 

 

DIALOG ME PRIFTIN

Prifti i ngratë, që çapitesh kapitur,

 ndalu pak te të them një fjalë:

Unë rrugën e Zotit kurrë se shkela,

prej rrugës së Zotit nuk kam dalë.

Veç një herë e putha, hyjnisht,

më pas ika, renda si i marrë,

mu faneps një tjetër mugëtirë

veshur me vello te bardhe.

Ndaj, mos më shih ashtu ngrysur,

a nuk puthe dhe ti vallë një herë

një çapkënkë të zeshkët ndanë kishës

e këmbanat gjëmove atëherë?!

 Ti, o prift, që çapitesh kapitur,

pse përlotesh, s’ më thua një fjalë,

un’ rrugën e Zotit kurrë se shkela,

ti rrugës së Zotit s’ke dalë.

 

 

FUNERAL

Në kortezh të përmotshëm,grumbuj dykëmbëshash

pas një arkivoli që vrapon,

Ata e vranë.

Ata e përcjellin.

Ata e qajnë.

Në fund të fundit

me dhe

e mbulojnë.

Prifti bën Meshën e Fundit

u uron krimbave oreks.

Jeta është një vdekje në marshim,

një hipokrizi funebër nga pas.

Mbi të… pshurrje në formë shiu,

Njerëzit erektojnë në formë lotësh.

Unë jam një funeral i gjatë, një qefin nga një
maternitet:

Në emër të Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë

(Në emër të tim Ati, tim Biri dhe të Shpirtit të
Mbrapshtë)

 


UNË DHE DIMRI

Dimër i thatë, eja or mik

Për darkë nga unë, raki të pimë,

Pa m’ u në dreq të vejë i ftohti,

Rrebeshi me tërsëllimë.

Thinjoshi shtrembër më kundroi,

Pastaj mëdyshas, nuk u gjegj.

Or mik, nxito, I fola prapë,

Era fytyrën po ma regj!

I marri plak çapiti lehtë:

-Ku të kam parë?-tha nën zë.

-Kur ti nis rrugën, kthehem beftë,

Gjurmëve të tua, zjarrin u vë.

Kur sosem, zjarr të madh ndeza,

Gjer në agim zjarr pa fund,

Iu shkrinë thinjat perandorit

E krejt i dehur u përkund.

Ra, rashë dhe unë mbi

të gjorin dimër babaxhan.

U zgjuam. Dimri, krejt pranverë,

Unë, krejt i ngirë, kallkan.