Suplement Pena Shqiptare/ Asdreni, vjershëtori i patriotizmit dhe dhimbjes për atdheun

691
Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni)
(11 prill 1872-dhjetor 1947)
“… Shqipëri, o mëma ime, … /Shpirt e zemër më gëzohet/… / Në liri të të vështronj /… / Lot po derdh prej zemrës sime /… / Se je tretur si qiri /… / Mos rënko ti me vajtime / … / Dolli drita, dolli dielli /… / Bëhu burrë, bëhu trime /… / Gjith’ sa jemi do të vijmë, / Që të vdesim gjer më një /… / Dëfto botës se do Zoti, / Të rrosh vetë shqipëtarisht…”
Janë këta disa vargje shkëputur nga vjersha “Shqipërisë”, botuar në vitin 1912 tek vëllimi poetik “Ëndrra e lotë”, shkruar prej poetit atdhetar Aleksandër Stavre Drenova, (Asdreni), çka përbën edhe kredon qytetare dhe krijuese të tij.
Në historinë e kombit tonë në fushën e politikës, të publicistikës, të krijimtarisë letrare, të atdhetarizmit, … por edhe në memorien e popullit, ka zënë vend me pseudonimin “Asdreni”. Kështu le ta artikulojmë edhe ne në analizën e veprimtarisë së tij jo vetëm si njeri i penës por edhe si atdhetar patriot.
Po cili është shkurtimisht jetëshkrimi dhe veprimtaria atdhetare e Asdrenit?
U lind më 11 prill 1872 në familjen mjaft të shtuar të Stavres nga fshati Drenovë, fare pranë rrethinave të Korçës. Fëmijërinë e hershme e kaloi në fshat, ku edhe kreu shkollën fillore deri në klasën e gjashtë. Mandej plotësoi mësimet e gjimnazit në Korçë, gjithsesi me profesorë privatë, por për fat të keq pa i përfunduar ato, sepse kur ishte vetëm trembëdhjetëvjeçar, njëherësh kur i ishte ndarë nga jeta edhe i ati, u detyrua të marrë rrugën e gjatë dhe të mundimshme të kurbetit, pra të mërgimtarit “syrgjynosur” larg familjes, miqve, të afërmeve, dhe mbi të gjitha, larg Mëmëdheut, të cilin do ta ketë tërë jetën në thelb të veprimtarisë së tij jo vetëm si politikan e atdhetar, por edhe si krijues. Fillimisht së bashku me vëllezërit punon si qymyrxhi, një zanat ky i trashëguar prej babait, mandej punon edhe si çirak. Më vonë provoi edhe mundimin që shkakton zanati i shitësit ambulant por edhe të atij stacionar në një tregtore ëmbëlsirash, pronë e një bashkatdhetari, njëherësh edhe patriot, i cili, sikurse nënvizon Lasgush Pogradeci, ishte: “… i kuptuar e zemërmirë, dhe nuk ia merrte për të keq fletët me vargje, të përziera nëpër shkresat e llogarisë…”. Pra, poeti letrat me vargje të shkruara kur i vinte muza apo frymëzimi, i përziente me dokumentet e llogarisë së tregtores. Kështu kanë pasur fatin edhe mjaft krijuese të tjerë shqiptarë në kohë e vende të ndryshme. Asdreni kishte dëshirë të pashuar të vazhdonte studimet dhe, si autodidakt i zellshëm e me vullnet të admirueshëm, lexonte gjithçka, por në veçanti lëçitëtte letërsi artistike. Me ndihmesën e vëllezërve mundi të krijojë një mjedis të vogël tregtie, të cilin e mbylli shumë shpejt, sepse do t’i duhej të kryente një kurs specializimi, i cili përgatiste nëpunës të mesëm administrate, profesion të cilin Asdreni nuk do ta ushtronte, sepse i vunë si kusht të parevokueshëm, të merrte nënshtetësi të huaj, veprim që ai askurrë nuk mund ta pranonte dhe jo më ta aplikonte. U regjistrua në Universitetin e Bukureshtit, në fakultetin e shkencave politike, por edhe këtu qëndroi pak kohë. E megjithatë, vetëm nga ato leksione që ndoqi në disiplinat universitare të historisë së përgjithshme, të historisë së diplomacisë dhe të doktrinave politike, ekonomike, e të tjera, përfitoi mjaft për t’u kompletuar me kulturë të mirë të përgjithshme. Në vitin 1890, kur ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeç, ndërmori një udhëtim në Shqipëri, ku edhe u njoh më mirë me gjendjen e mjeruar atje, duke arritur në përfundimin logjik se, baza e kombit qëndron tek masat e popullit, të cilat kanë qenë të gatshme kurdoherë, “… të derdhen atje ku është rreziku më i madh”.
Por Asdreni, njëherësh u përfshi në lëvizjen patriotike të shqiptarëve të organizuar në Koloninë e Bukureshtit, prej të cilëve edhe u epitetua “Vjershëtor Kombëtar i Kolonisë”. Në vitin 1892 u anëtarësua në Shoqërinë “Drita”, e drejtuar kjo prej patriotit në zë Nikolla Naço. Pas shtatë vjetësh, bashkë me disa patriotë të rinj me pikëpamje demokratike, themeloi Shoqërinë “Qarku i Studentëve Shqiptarë”, e cila më 1902, pasi u riorganizua, mori emrin Shoqëria “Shpresa”, por që gjithsesi shpirti i saj do të ishte dhe mbetej Asdreni, i cili ishte ngarkuar edhe me autoritetin e nënkryetarit të saj. Në vitet 1902-1904, u bë i njohur si poet me frymë të qartë e të flakët patriotike, krijime të cilat i përmblodhi në librin e tij të parë të titulluar “Rreze Dielli”.
Më 1908, tashmë tridhjetë e gjashtë vjeç, por edhe i kompletuar plotësisht si intelektual, përkrahu lëvizjen xhonturke, turqit e rinj, gjithsesi me shpresën e mirë se, populli shqiptar do të hynte në rrugën e zhvillimit të lirë e demokratik. Por, ashtu si edhe mjaft patriotë të tjerë, i zhgënjyer e i deziluzionuar, i bëri xhonturqit dhe bashkëpunëtorët e tyre objekt të satirës së tij therëse. 
Tashmë nuk kishte se si poeti patriot të mos bashkohej me gjithçka e për gjithçka me popullin e vet. Përmes shtypit por edhe me protesta merr pjesë aktive për zgjidhjen e problemit themelor që shqetësonte kombin, çlirimi prej sundimit të tejzgjatur e të egër osman si dhe demokratizimi i jetës shoqërore në Shqipëri. Së bashku me patriotë të kolonisë së Bukureshtit, ndërmori një varg veprimtarish jo vetëm të karakterit diplomatik por edhe të aksionit konkret, me synim dhënien dhe garantimin e të drejtave kombit shqiptar, si dhe grumbullimin e të hollave për të mbështetur materialisht kryengritjen e armatosur të popullit të vet në vitet 1909 – 1912. Përmes vjershës “Zëri i kryengritësve”, ai do të lartësonte patriotizmin e masave të gjëra të popullit dhe, veçanërisht të atyre shqiptarëve që ishin pjesëmarrës drejtpërsëdrejti në aksionet e luftimit. Por kjo sensibilizoi edhe njerëzit e kamur (të pasur), të cilët dhuruan brenda një kohe mjaft të shkurtër më shumë se 14 mijë franga ari në ndihmë të kryengritësve për të blerë armatime dhe materiale të tjera të nevojës së parë. E mirëpriti me entuziazëm shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, duke propaganduar jo vetëm këmbënguljen dhe heroizmin e popullit të vet për realizimin e çështjes shqiptare, por edhe aspiratën për të ngritur e fuqizuar një shtet demokratik dhe të begatë. Ishte kjo edhe një aspiratë e rilindësve, mjaft prej të cilëve ai i njohu personalisht, ashtu si idetë e tyre i bëri shumë shpejt edhe të vetat.
Në fillim të vitit 1914, i thirrur nga Kabineti Qeveritar Shqiptar, iu përgjigj ftesës për të punuar si administrator në pozicionin e përfaqësuesit të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, por nuk e filloi detyrën e arshivistit, sepse në Shqipëri filluan të marrin rrugë veprimet anarkike të lokalizuara në Shqipërinë e Mesme, ndërsa pak më vonë troket edhe Lufta e Parë Botërore. Atë çka edhe përjetoi nga ky zhgënjim i hidhur, do ta pohojë pas njëzet e katër vjetësh (1938 S.R), kur edhe do të shprehej edhe sa vijon: ”… Tërë gazi që e ndjejtëm me të shkelur në tokë të Shqipërisë së Lirë, me tepër helm na i treti zemrat më të ikur”.Zhvillimet e Luftës së Parë Botërore dhe, veçanërisht ndikimet e saj në vendlindje, do t’i krijonin shije të keqe poetit atdhetar. Tmerret e saj do t’i përjetonte deri edhe me një depresion të thellë shpirtëror, si dhe me definicione deziluzioniste e deri edhe pacifiste, kur në ndonjë rast u shpreh se, e ardhmja e Shqipërisë do të ishte e pasigurt. Por kjo periudhë e rëndë shpirtërore nuk zgjati shumë, sepse me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, Lëvizja Kombëtare Shqiptare u gjallërua duke pasur një objekt inspirues të qartë: mbrojtjen e tërësisë territoriale nga rreziku i copëtimit, ashtu sikurse në luftën e Vlorës më 1920 u veprua me heroizëm të spikatur për të çliruar territoret e pushtuara nga italianët. Shpirti i trazuar i poetit tashmë riaktivizohet, optimizmi shfaqet hapur, ai tashmë bën edhe thirrje që shqiptarët të mos largohen prej Atdheut për t’ju ndodhur atij kur të jetë nevoja. Kështu tek vjersha “Burri i dheut”, përpos të tjerash shprehet edhe sa vijon:
“…Sesa eshtrat të më kalben, / Larg katundit tem q’u rrita, / M’i kënaqur jam me vdekje, / Për Atdhenë nëpër prita….”
Lëvizja e armatosur e qershorit të vitit 1924 ngjalli mjaft shpresa tek poeti se, vendi i të parëve do të hynte në rrugën e përparimit e të lulëzimit. Por rrëzimi përdhunshëm i qeverisë që doli pas kësaj lëvizjeje, do t’i jepte tone pesimiste, dhe deri edhe fataliste, patriotit Asdren. Tashmë ai iu nënshtrua edhe “hakmarrjes” qeveritare, sepse për shkak të qëndrimeve patriotike që ai kishte shpalosur, u pushua nga puna si sekretar i Konsullatës Shqiptare të Bukureshtit. Në këto kushte të rënda ekonomike, por sidomos shpirtërore, në një letër dërguar një mikut të vet, të cilët i pati jo vetëm të shumtë por sidomos besnikë, do t’i vinte në pah edhe sa vijon: ” Në vend që të kem pak prehje, pas aqë vjet, të jem përkrahur e të rroj duke punuar, qeveritarët e sotëshëm të bijen me shqelma, që t’u bëhet vend gjithë atyre që tërë jetën e tyre kanë rrojtur me mënyra të dyshimta…”. 
Tashmë patrioti Asdren do të tërhiqet tërësisht nga jeta politike e shoqërore, nuk bashkëpunon me asnjë organ shtypi, krijimtaria e tij e hedh shikimin nga e shkuara por duke iu larguar disi realitetit, nuk beson më as tek vlerat morale e shpirtërore, të cilat i pati si idhuj gjithë jetës së mëparshme. Prej zhgënjimit pezmatohet, kjo gjendje mjaft e rëndë arrin deri në përvijimin e një krize të thellë shpirtërore. Por nga viti 1935 shpirti i tij sikur çlirohet nga makthi i keq, realitetin e koncepton më qartë dhe, në krijimtarinë e tij shpërthen me përshkrime objektive dhe realiste gati-gati të tipit migjenian. Kështu, përpos të tjerash, shprehet edhe:
“… të zbathur e të zhveshur ndër vrima e kasolle / … / Një lind, pesë vdesin, me kërrmat mahin tokën, / Fëmijtë si cirua prej ethesh e prej kolle, / Si fiq të thatë fishkur, mezi e shpien kokën /… / Mënjanë sheh të ngopur, të ngjallmë, barkalecë, / Dinakë mu si dhelpra, çdo send me grep ta heqin…”
Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore edhe për Asdrenin do të ngjallte shpresa të reja. Gjithsesi me shpirtin e atdhetarit, i pati ndjekur zhvillimet në vendin e tij. Prandaj edhe u entuziazmua nga veprimet trimërore të luftëtarëve të lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare, duke kujtuar njëherësh edhe lavdinë e kombit të tij nën udhëheqjen e Skënderbeut. Shfaqi hapur gëzimin që ndjeu për popullin e çliruar, ashtu sikurse shpresonte në një të ardhme të tij të integruar në Evropë, parimet morale të së cilës ai i njihte, i pranonte dhe i respektonte aq korrektësisht. Për sa më sipër, natyrshëm do të shpërthente si rrallëkush edhe sa më poshtë:
“… Sot mori fund çdo gjurmë tiranie, / Një diell i ri po ndrit plot shkëlqim, / Për kombin tim një kohë lumturie, / Edhe për bishat e egra një shkatërrim…”.
Me këtë ndjenjë lehtësimi në shpirt, do të mbyllte sytë poeti patriot në dhjetorin e vitit 1947, në moshën e pjekur shtatëdhjetë e pesë vjeçare, i qetë me mendimin se, e kishte përmbushur mirë detyrën ndaj Atdheut dhe popullit të tij.
Vjershëtori i dhimbjes së madhe
Moshën e hershme të formimit si intelektual, patriot dhe krijues e ka rreth vitit 1902, kur i ka mbushur të tridhjetat. Mandej deri në vitin 1932 ai është 50-vjeçar dhe i formuar plotësisht. Në 15 vitet e fundit të jetës (1932-1947) jetoi midis iluzioneve, pesimizmit dhe depresionit psikik, por edhe të shpresës së mirë dhe optimizmit, se vendi dhe populli i tij meritonte të ishte më ndryshe jo vetëm për shkak të historisë së tij, por edhe të mundësive reale për të jetuar në bashkësinë evropiane me të gjitha kërkesat politike, ekonomike, sociale, morale, psikologjike etj. që kërkon ajo.
Në përgjithësi ka qenë i mbisunduar nga ndjenja e atdhedashurisë dhe e dëshirës që populli shqiptar të rrugëtojë në shtratin e rrjedhës së qetë, progresive, në paqe, demokraci dhe mbrothësi. Por realiteti i ofronte në shumicë gati të kundërtën e këtij ideali: luftën e popullit shqiptar për t’u shkëputur nga tirania dhe sundimi i tejzgjatur osman shpesh tradhtohej nga të kamurit (të pasurit); shpallja e pavarësisë, jo vetëm si një ëndërr e mirë, por si një dëshirë dhe domosdoshmëri për të ecur në vijë përpjetë, u sabotua jo vetëm nga elementë antikombëtarë vendas, por edhe nga Fuqitë e Mëdha të Evropës për të joshur orekset shovene të fqinjëve; formimi i Shtetit të Ri Shqiptar pas Kongresit Kombëtar të Lushnjës në janar 1920 dhe Lëvizja Revolucionare në qershor 1924 për një Shqipëri Evropiane, u tradhtua nga Paria e vendit; regjimi mbretëror deri më 1939 tradhtoi investimin e patriotëve dhe sakrificat e popullit duke sjellë në pushtet ata që kanë pasur veprimtari të dyshimtë; Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare i ngjalli shpresa dhe optimizëm, por ai jetoi vetëm pesë vjet në këtë realitet…Për rrjedhojë, të gjitha këto zhvillime në shtratin e vendit dhe të popullit të tij, më shumë i sollën pakënaqësi deri në depresion dhe deziluzion tragjik, duke e parë jetën dhe realitetin si diçka boshe dhe të kotë, që sjell më shumë hidhërim dhe varfëri se sa gëzim dhe begati. Duke e perceptuar kështu realitetin, ai më së shumti gjykoi, krijoi dhe mendoi si një Kasandër ndjellakeqe, por ndoshta shpirtërisht jo ogurzezë. Ishte mbështetës i kryengritjeve shqiptare për t’u çliruar nga sundimi i tejzgjatur osman, por nuk pajtohej me ngjarjet në realitet, në kushtet kur kryengritësit për interesat kombëtare linin “pas shpine” familje e fëmijë, luftonin e jetonin në guva, shpella e male, duke pasur si dëshmi konkrete gjakun e derdhur, ndërsa “të kamurit” (të pasurit), jo vetëm që nuk bënin këtë akt e veprim, por as nuk sakrifikonin “pakëz” nga pasuria e tyre për të blerë armë e municion për luftëtarët e lirisë. Më vonë u arrit shpallja e pavarësisë, por këtij zhvillimi iu kundërvunë stërkëmbësha dhe “shkopinj nën rrota”, sepse më 1914 morën rrugë zhvillime të pazakonta duke krijuar “turbullira politike”, sidomos në Shqipërinë e Mesme. Klasa politike dhe intelektualët nuk u gjendën në vendin dhe misionin e duhur, prandaj vendi nuk eci në përparim e zhvillim. Më 1920 u krijua Shteti i Ri Shqiptar, dhe Asdreni shpresoi e besoi, se vendi do të udhëtonte në shinat e mbrothësisë dhe demokracisë së kombit. Por nuk ngjau kështu, lufta klanore dhe arsyeja e përçarjes u gjend më e udhës se sa bashkimi dhe logjika për të krijuar një shtet për popullin. Kjo e zhgënjeu atdhetarin dhe poetin Asdren, prandaj edhe rrëmbeu “shkopin e satirës dhe sarkazmës”, çka edhe i shkatërroi karrierën politike dhe talentin poetik, por edhe anën ekonomike sepse u pushua nga puna. Këto zhvillime të mbrapshta e trishtuan, e deziluzionuan, e çuan në pesimizëm të pashpresë, çka edhe e hodhi në rrjedhën e gjykimit iluzionist se jeta dhe bota janë boshe, ato të ofrojnë vetëm hidhërime dhe pakënaqësi. Si një Kasandër ndjellakeqe, jashtë natyrës dhe shpirtit të tij, mendon se kjo jetë boshe kapërcehet duke helmuar mendjen me pije alkoolike dhe duke mbytur në kënetën e harresës dertet e jetës.
Zhvillimet e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe përfundimi i Luftës II Botërore e joshën, i ringjallën njëfarë besimi se vendi mund të ndërtohet dhe populli të mbrothësohet. Por tashmë për atdhetarin dhe poetin Asdren është tepër vonë; i kanë mbetur vetëm tre vite jetë në moshën mbi 72 vjeçare, duke u ndjerë i pamundur të ndikonte në ecurinë progresive të vendit dhe të popullit që i donte aq shumë.
Rrugëtimi i tij në jetë më së shumti kaloi nëpër moçalishten dhe baltovinën e një Vendiku shpresa ndihet, në mos e vrarë, të paktën e plagosur rëndë dhe me pak besim se mund të shërohet dhe të mëkëmbet.
Studiuesit e veprës krijuese të Asdrenit, krijimtarinë letrare të tij e periodizojnë në katër faza. Në të parën renditin krijimet deri në vitin 1912, kur, si gjithë rilindësit e tjerë, Ai evokoi të shkuarën heroike të vendit, si dhe evidentoi cilësitë intelektuale dhe dëshirën për të jetuar në liri.
Faza e dytë i përket viteve 1912-1925, në të cilën provoi gëzimin pas daljes nga robëria e gjatë, por edhe hidhërimin kur trungu shqiptar cenohej nga fqinjët nën pëlqimin e Fuqive të Evropës, intelektualët u ndodhën të përçarë në mendime e qëndrime për çështjen kombëtare shqiptare. Kjo gjendje shpirtërore e rënduar shprehet në krijimet që zymtohen, ashpërsohen dhe veniten. 
Në fazën e tretë, në vitet 1925-1939, gjendja psikologjike e poetit është tejet e trazuar dhe e luhatur, krijimtaria letrare rezulton me tone pesimizmi, deri edhe fatalizmi. 
Në fazën e katërt, sidomos pas çlirimit të vendit në fundvitin 1944, shpirti i poetit ringjallet, optimizmi për të ardhmen e kombit merr ngjyra më të qarta, krijimet marrin ngjyra të dukshme realiste. Krijimtaria bëhet më e gjerë e më e gjallë, evokon të kaluarën për t’u transmetuar shembullin se si duhet të veprojnë të organizuar. Në vjershën “Drini”, e kaluara vjen natyrshëm në vargje, atje shpaloset heroizmi i popullit tonë ndër shekuj, por me një motiv nxitës të qartë: “… Shqipërinë të shpëtonin…”. Për kënaqësinë e lexuesit po e sjellim pjesërisht këtë vjershë. 
Drin, o lumë, o i madh lumë, / Që sjell vala, gurë shumë /… / Pse je sot ti i egërsuar, / Vetullvrojtur, zemëruar, / Vallë e ndjen ti robërinë, / Që e ka mbytur Shqiprinë, / Q’ është e shkelur, e copëtuar??? /… / Kur ty pranë kanë shkuar /… / Luanë e trima të pavdirë, / Kryelartë, zemërlirë, / Burrë e grua, plak e djalë, / Gjith me zemër, jo me fjalë, / Si Fatosa që luftonin, / Shqipërinë të shpëtonin /… / Ndë ujë tënde të valuar, / Atje brenda ka pikuar,
Loti i mëmës që ka qarë, / Djem të dashur që i janë vrarë…
Asdreni ka meritën e veçantë se, është autori i tekstit të “Hymnit të Flamurit, Hymnit Kombëtar”. Teksti i tij daton në vitin 1907, kohë kur Kolonia Shqiptare e Bukureshtit kishte krijuar korin dhe, i lutej Asdrenit: “… Ti je poet, bëj një strofë shqip që ta harmonizojmë për korin… Rroftë Asdreni!!!…. Marrshin Asdren!!!….Marrshin Shqiptar!!! Marrshin Shqiptar!!!…”
Prandaj poeti patriot nuk vonoi, shkroi vjershën me titull: “Rreth Flamurit të Përbashkuar!”, e cila do të pushtonte krejt zemrat e shqiptarëve, por dhe këndohet me dëshirë e pathos edhe në ditët tona … Do të këndohet sa të jetë Shqipëria!!!.
Veprën dhe personalitetin e Asdrenit e kanë studiuar e vlerësuar mjaft personalitete të letrave, të politikës dhe të shkencës shqiptare, por edhe të huaj. Midis tyre po veçojmë vetëm dy. I pari është Ҫajupi, i njohur nga shqiptarët jo vetëm për shpirtin e pastër atdhetar, por edhe për penën e mprehtë si krijues në poezi, në dramë, në fabula etj., i cili pasi ka lexuar librin “Rreze djelli”, në vitin 1904 shprehet përmes emocioneve edhe sa vijon: “Nuk mund të them se ç’ndjej në zemër kur marr e këndoj këtë librë shkruar me mend të lartë e me shpyrt shqiptari. Këto vjersha gjithë shqiptarët do t’i duan dhe do t’i thonë gojë për gojë”. Por portretin e tij na e jep bashkëshoku dhe bashkëluftëtari i tij për mjaft kohë, poeti i mirënjohur, Lasgush Pogradeci. Ja sesi e portretizon ai përmes vargjesh:
“… / Burr’ i urtë e i veçuar, / Shqipëtar e shpirtqëruar, / Vjershëtor vjershëkënduar, / Pate shkruar e punuar, / Kombin për ta kombësuar, / Shqipen për ta shqipëzuar…”.
Sigal

Safet Ramolli