Suplement Pena Shqiptare/ Abetarja shqipe është shkruar me gjak

660
Skënder Luarasi

Gjuha shqipe, ky mjet i mrekullueshëm që ka populli për të shprehur mendjen e zemrën e tij fisnike, është thesari më i shtrenjtë që trashëguam nga stërgjyshët tanë të nderuar. Këtë mjet që na ndihmon të kuptohemi e të pasurohemi me idealet më të lartë të njerëzimit, armiqtë e kombit tonë kanë bërë çmos të na e prishin me qëllim që të na varfëronin e të na robëronin më lehtë. Por populli shqiptar u bëri ballë burrërisht orvatjeve të pareshtura të armiqve dinakë dhe në këtë përpjekje gjigante mësonjësit e shqipes kanë qëndruar në krye të luftës. Promethenjtë tanë shkruan Abetaren shqipe me gjak dhe ndërtuan shkollën shqipe me kockat e tyre të shenjta. Karakteristika që ka dalluar shkollën shqipe nga gjithë shkollat e vendeve fqinj është se mësonjëtorja shqipe ka qenë laike që në fillimin e jetës së saj dhe e lirë nga çdo paragjykim fetar e shoqëror. Ajo nuk ka asgjë të përbashkët, as morale, as intelektuale, me shkollat klerike. Dhe është kjo karakteristikë themelore që do t’i japë shkollës shqipe aftësinë për ta shpënë popullin shqiptar më shpejt drejt qëllimeve të larta të njerëzimit. Për këtë shkollë, laike, të pavarur dhe me frymë përparimtare, kanë dhënë jetën me dhjetëra e qindra arsimtarë patriotë të popullit shqiptar. Në krye të kësaj rruge fisnike shquan fytyra e ndritur e rilindësit tonë të parë, Naum Bredhasit nga Vithkuqi, i cili na fali ”Avetarin” dhe që këtë mëkat ndaj ”Megali idhesë” dhe Fanarit e lau me kokë më 1866 brenda mureve të errëta të Patrikanës. Me kokë e pagoi veprimtarinë e tij patriotike edhe mësonjësi i shkollës shqipe të themelua në Korçë më 7 mars 1887 dhe për ta nderuar këtë datë historike ajo u caktua Dita e Mësonjësit. Pandeli Sotiri u vra prej së shoqes e të vjehrrit grek me ndërsimin e Patrikanës. Njerëz të errët në shërbim të armiqve të Abetares shqipe vranë Balil Tahirin, bariun e fshatit Selenicë e Pishës, i cili duke ndjekur me mall të flaktë mësimet e Rilindësve tanë, u bë mësonjës i fëmijëve të fshatit të vet. E vranë kur po kthehej nga Selaniku, pasi kishte kryer një mision patriotik më 1893. Sepse çeli shkollën shqipe në Negovan dhe predikonte për çështjen shqiptare, andartët grekë, të shtyrë prej dhespotit të Kosturit, Karavangjelit, vranë më 12 shkurt 1906 Papa Kristo Harallambin bashkë me të vëllanë Papa Theodhosin dhe pesë patriotë negovanas, përkrahës të shkollës shqipe, që kështu ta tmerronin njerëzinë sa të mos pranonin mësonjës shqiptar e shkollë shqipe. Si yll i madh i bukur ndrinte në qiellin shqiptar të errët të asaj kohe patrioti Koto Hoxhi nga Qesorati, shok besnik i vëllezërve Frashëri dhe i idealit të shoqërisë ”Drita” të Stambollit, në themelin e së cilës ai vuri një nga gurët themeltarë. Trimat e bejlerëve e rrahën dhe shërbëtorët e kishës greke e vranë sepse edukoi, i pari në Shqipëri, falangën e mësonjësve të rilindjes që përhapi dritën në vendin tonë. Mitropolia e Manastirit pasi nuk mundi ta vrasi Gjerasim Qiriazin me plumb a helm, e shtiri me dinakëri në duart e kusarëve, të cilët, dimrin e motit 1889, e mbajtën rob në malet e Lenies, ku u plevitos dhe e lëshuan vetëm kur u pagoi paratë me të cilat do të blinte në Korçë ndërtesën e së parës shkollë shqipe për vajzat. Gjerasim Qiriazi vdiq më 5 janar 1894, por shkolla shqipe e tij, nën udhëheqjen e së motrës Sevasti Qiriazi, lulëzoi për nder e dobi të gruas shqiptare. Kleri grek në bashkëpunim me hyqymetin turk helmuan në Ersekë më 17 gusht 1911 Petro Nini Luarasin. ”Vramëni”, u tha feudalëve shqiptarë ky mësonjës i vjetër i shqipes, ” po mblidhmani gjakun, se do t’u duhet nipërve tuaj të shkruajnë gjuhën shqipe”. Në kolonitë shqiptare të Greqisë, Panajot Kupitori, drejtori i gjimnazit të Varvaqit, dijetar e shkrimtar veprash historike e filologjike për gjuhën shqipe e kombin shqiptar, vdiq i sëmurë në burg të Athinës, ku e shpunë shovinistët grekë, sepse hapi shkollë nate më 1876 për t’u mësuar arbëreshëve të Athinës gjuhën amtare.

I helmuar, po në burg të Athinës, vdiq më 1884 bashkatdhetari i Panajotit, Anastas Kullurioti, redaktor i gazetës shqip-greqisht ”I foni tis Albanias”( Zëri i Shqipërisë), autor abetaresh e librash shqip që i përdori në shkollat e tij arbëreshe. Në mesin e kësaj trumbe dëshmorësh ngrihet si një titan patriarku i gjithë mësonjësve të shqipes, Jeronim de Rada, edukatori i nderuar i rinisë arbëreshe në Shën Dhimitër të Koronës, i cili, i rrahur prej urisë e prej halleve të jetës, punoi pareshtur për lirinë e shpëtimin e Atdheut të bjerrë. Po të kish rrojtur 100 vjet, plaku i nderuar 90 vjeçar i Makijës, i cili duke dhënë frymën e fundit thirri me dëshpërim ”Po më ikën gjaku i Arbrit”, do të kishte parë se djersa dhe mundi i titanit arbëresh nuk vajti kot. Terrori i tërbuar i qeverisë turke, krahas e për ndihmë të inkuizicionit fanariot, pati arrirë kulmin në majin e vitit 1903 kur qeveria turke dhe kleri fanariot i mbyllën gjithë shkollat shqipe dhe i dërguan syrgjyn mësonjësit patriotë ndër të cilët Nuçi Naçin, drejtorin e fundit të mësonjëtores së Korçës. Nuçi vdiq në mjerim gjatë regjimit feudal të Zogut por ditën e 7 marsit emri i tij do të përmendet me nderim nga të gjithë mësonjësit e Shqipërisë. Edhe pas shpalljes së konstitucionit në Turqi, xhonturqit u përpoqën në mënyrat më barbare e më dinake t’ia presin hovin Abetares shqipe që nisi të përhapej në gjithë Shqipërinë dhe vranë sa mundën me shpatë e me tortura. Ata vranë në burgun e Manastirit Sadik Zajmin dhe Idriz Novokazin se patën hapur shkolla shqipe në Shkup, Pejë, Gjakovë, Prizren , Zymë, dhe Janjevë, me aq sa premtonin rrethanat asaj kohe. Në vështirësi rrojtën e punuan Ismail Haxhi Tahiri, shkronjës i Haxhi Zekës, eksponentit të Lidhjes së Prizrenit, Haxhi Bejta nga Janjeva e shokët e tyre pionierë të parë për gjuhën shqipe pas Lidhjes së Prizrenit. Ata u rrahën e u vranë, po prej tokës shqiptare lindën forca të reja . Nxënësit e mësuesve të rënë në luftën e shenjtë për liri dhe kulturë, për ta nxjerrë popullin shqiptar në dritë, e morën pishtarin në dorë në udhën drejt ditës së bukur të 28 Nëntorit 1912. Pas kësaj dite të shenjtë për Shqipërinë, Atdheu ynë vërtet u spastrua prej sulltanëve e patrikëve, por shërbëtorët e tyre, feudalët e klerikët fanatikë mbetën. Këta shërbëtorë të reaksionit na vranë më 1920 Sali Nivicën, më 1924 Avni Rustemin dhe më 1925 Luigj Gurakuqin dhe Sali Çekën. Pothuaj se çdo mot e çdo muaj nëna jonë Shqipëri vajtonte nga një bir mësues, të vrarë prej bejlerëve e fashistëve. Edhe reaksioni i jashtëm kërkoi viktimat e tij në radhët e mësonjësve shqiptarë. Në Kosovë serbomëdhenjtë e nisën plojën e tyre pas çlirimit të Shqipërisë me Pater Paliqin e me Pater Shtjefën Gjeçovin që u mësonin gjuhën amtare kosovarëve të robëruar. Shovinistët serbë mbytën më 1947 në burgun e Prizrenit Bedri Pejanin, ish mësonjësin e gjuhës shqipe në gjimnazin e Shkupit më 1909 dhe e vranë priftin patriot At Dhimitër Bellkamenin, tek po dilte nga shkolla shqipe e Tushemishtit. Me një krim të shëmtuar e nisi Zogu regjimin e tij tradhëtar kur më 1928, për oportunitet politik vari mësonjësin demokrat, Ibrahim Arapin, kryetar i shoqërisë ”Bashkimi” në Durrës. Me një krim po kaq të shëmtuar e vazhdoi fashizmi italian sundimin e tij mbi Shqipërinë kur vari në Shkodër mësuesin e dashur nga gjithë populli shqiptar, Jordan Misjen. Dhe nazistët varën në Prizren Xhevdet Dodën. Me një krim të këtillë mbaruan ekzistencën e tyre të turpshme reaksionarët në Shqipëri kur vranë pas murit, duarlidhur e në sy të nxënësve, mësuesin e lavdishëm Ndrec Ndue Gjoka. Të gjithë këta bij të denjë të Shqipërisë vanë me këngë drejt çastit të fundit të jetës së tyre duke dëshiruar të ishte sa më i gjerë sheshi i ekzekutimit dhe sa më i lartë trikëmbëshi që të shihte mirë populli shqiptar se ç’kurban të madh bënin bijtë e tij për të fituar lirinë. Shkolla shqipe pati edhe nga ata mësonjës patriotë që vërtet nuk u vranë nga reaksioni, porse që të mos i përuleshin tiranisë shkuan të bëjnë një rrojtje plot brengë duke ngrënë bukën e hidhur të mërgimit për të qëndruar besnik ndaj idealeve që kishin predikuar në shkollë. I këtillë mësonjës është patrioti i madh me karakter të fortë Sotir Peci, të këtillë janë Nane Panajot Meksi, Vasil Konomi-Labova, Halim Xhelo, Niman Ferizi, Ferit Imami, Pal Lumëzi: një nga mësuesit e parë të shqipes në Prizren që vdiq në mjerim më 1943 dhe Ibrahim Femiu, i cili gjatë pushtimit të Kosovës prej malazezëve e ktheu shtëpinë e tij në shkollë të fshehtë për djemurinë patriote të Gjakovës. Në mërgim dhe të dëshpëruar që eshtrat nuk do t’u preheshin në mëmëdhenë e dashur, vdiqën mësuesit e shquar Grigor Cilka, Vasil Duro, Llukan Simo, Gjergji Sevo, Hamit Lumi, dhe mësonjësja veterane e shkollës së vajzave në Korçë Fanka Efthimiu që vdiq në Manastir, dhe nxënësja e saj Vasilo Ballkameni e Urani Rumbo. Një njollë e zezë do t’i mbetet në ballë qeverisës plot turp të Ahmet Zogut që la të vdesë të dëshpëruar e në mërgim, pa dhënë as ndihmën më të vogël për ta shëruar në sanatoriumin e Tore Peliçes në Itali, mësonjësin e talentuar, Migjenin, poetin e rinisë shqiptare, në moshën 26 vjeç. Mësues të gjuhës shqipe kanë qenë edhe ata patriotë të cilët vërtet nuk çelën shkollë vetë po predikuan mësimin e gjuhës amtare dhe ndihmuan të tjerët të përhapnin arsimin kombëtar në Shqipëri. Nga më të shquarit e këtyre patriotëve janë: poeti ynë i madh Kombëtar Naim Frashëri e dijetari Sami Frashëri që hartonin aq libra për mësonjës, Jani Vreto, i cili shëtiti pa u lodhur nëpër kolonitë shqiptare për të shtuar shokët, për të botuar libra shqip dhe për të themeluar shoqëri kombëtare, Hoxhë Tahsini, e të tjerë, e të tjerë. Shkolla e gjuhës shqipe mori rrugën e vet, larg turçes e greqishtes, atë ditë kur shqiptarët mësuan se ”perëndia nuk e dinte shqipen”. Një mësonjës shqiptar ka shkruar:

Edhe Krishti ndë na thëntë:
”Unë jam grek, eni pas meje” –
do t’i themi: ”Pa mblidh mendtë,
se shqiptari s’vjen pas teje”.
Tregojnë për Islam Spahinë nga Luma se një ditë e pyeti hoxhën e fshatit pse nuk e bënte duvanë shqip.
”Allahu nuk e njeh shqipen”, iu përgjegj hoxha që ndoshta vetë nuk e dinte turçen.
”Po mirë”, ia ktheu Islami. ”Një zot që s’e njeh shqipen nuk më duhet”. Që atë çast e përzuri hoxhën dhe nisi të hapë shkolla shqipe.

Mësonjës të këtillë të shqipes, më fort shëtitës, me pushkën në njërën dorë për të luftuar armikun dhe me abetaren në tjetrën për t’i ndriçuar bashkëluftëtarët, kanë qenë në radhë të parë Sali Butka dhe Mihal Grameno. Përpara varreve ku prehen dëshmorët e pionierët e përhapjes së arsimit kombëtar, të cilëve populli është zotuar t’ua shkruajë emrat me germa të arta në faqet e historisë së Rilindjes shqiptare, përulemi me nderim e mirënjohje. Me mirënjohje duhet të kthejmë vështrimin edhe drejt atyre, që akoma nuk e kanë mbështjellë lëmshin e jetës së tyre gjer në fund. Përmendim me nderim e mirëdije sot në ditën e 7 Marsit zonjën 80 vjeçare Parashqevi Qiriazi, e cila rron që të shohë se djersa që derdhi 55 vjet me radhë në fushën e arsimit të vajzës shqiptare nuk i vajti kot. Përmendim mësonjësit veteranë Nikolla Lako, Aleksandër Xhuvanin, Musiaf Luçin nga Kuçi i Kurveleshit, baba dy dëshmorësh që edhe në moshë të kaluar drejton shkollën e fshatit të tij, Ilo Mitkë Qafëzezin, Ahmet Gashin, Hysni Bababameton, profesor Sotir Papakriston, të gjithë ata arsimtarë që kanë zgjuar entuziazmin në nxënësit e shkollës shqipe në kushte shumë të vështira dhe rritën brezat që po ndërtojnë Shqipërinë e re.

Skënder Luarasi (Shkrim i vitit 1957)
Sigal