Suplement Letrar/ Gëzim Zilja- Rënia e Prevezës

566
Sigal

Sipas poemës së Haxhi Sheretit.

Nga Gëzim ZILJA

Më 12 tetor
1798, Ali Pasha goditi Prevezën, që gjatë mungesës së tij ishte pushtuar nga
francezët, të cilët e kishin kthyer në bazë 
ushtarake. Me kthimin në Janinë ai u kërkoi francezëve dhe banorëve të
Prevezës t’ia kthenin pa luftë atë, që i kishin marrë,  madje t’i kërkonin falje. Prevezarët, me anë
të një letre iu përgjigjen që jo vetëm Pargën s’ta japim por bëj kujdes së do
të të marrim edhe Janinën. Kjo përgjigje e tërboi, Pashanë e Janinës. Lajmi
se per luftë gati/ ishin bërë në Prevezë/Si murtajë i mbuloi çeren/Si një hije
pis e zezë.
Dhe më tej jepet përmbajtja e letrës së prevezarëve:

Mos të marrim dhe Janinën/Mbaje fort që të
shpëtosh/O harbut o mëkatar/S’është çudi të ngelesh bosh/Prandaj boll na
dërdëllite/nga ku je ik sa më parë/Po e zgjate prit ta shohësh/ do të bëhet tym
e zjarrë./Më mirë çohu Ali Pashë/lufto para se të ndezë/Njeri tjetrin ne do
grijmë/Kjo vërtetë është ditë e zezë./Çohu ik nga këto troje/Më mirë vonë se me
nder/Se do lesh nëpër Prevezë/shpatën kockat 
me të tjerë./Se këtu nuk është Hormova/që ta grish ta bësh thertore/Që
të lidhur dhe përçorin/Kur do ti bien përdore
. Përgjigja e Ali
Pashës do të vijë e menjëhershme, e frikshme dhe e pamëshirshme . Si komandant
ai cakton birin e vet, Myftarin të cilin e porosit: Myftar Pashë o biri im/do vërtetë të më nderosh/N’ballë të luftës ti
të jesh/pa mëshirë kudo të shkosh./Sot na ty kërkon Preveza /Të mësojë se
çështë ndëshkimi/E dëgjove çfarë të them?/Ta provojë kush është trimi.
Porositë
vazhdojnë deri në hollësi të tilla: Udhër
çoi Ali Pashai:/ ‘’Në Prevezë kështu të bëni/Prisni koka, merrni shpirtra/pa
mëshirë ndaj atij qëni
.

Sulmi mbi
Prevezë ishte i ashpër dhe i llogaritur në detaje. Nga njeri krah sulmonte
Myftari dhe nga krahu tjetër vet Ali Pasha. Qëndresa e mbrojtësve sipas Haxhi
Sheretit,  ishte fare e shkurtër, një
orë. Aliu me forcat e tij kryesisht shqiptarë, arriti ta thyeje mbrojtjen e
prevezarëve, të cilët luftonin së bashku me francezët. Ushtarët e tij u derdhën
si stuhi mbi rrugët e Prevezës, duke mos kursyer asgjë. Në përfundim të sulmit
ai  u hakmor egërsisht, duke mos bërë dallim midis robërve të
luftës dhe popullsisë së pambrojtur,
burra gra e fëmijë: Pa fre zbriste ai zjarr/ hynte brenda në
Prevezë/Vdekje, kuje e llahtarë/ ditë e keqe, ditë e zezë.

 Nga garnizoni i francezëve  arritën të shpëtonin vetëm 6 vetë, midis tyre
gjenerali La Solsete i plagosur shumë rëndë. Nga terrori dhe barbaria e
pashoqe, pjesa dërrmuese e popullsisë shqiptare të atyre anëve, u detyrua të
emigrojë në territoret e Peloponezit në Greqi dhe të braktisë përfundimisht
trojet e saj amtare. Haxhi Shereti dëshmitar i ngjarjeve shkruan:

Oh sa lotë u derdhën lumë/ish lëngatë ajo ditë/Gratë
pa burra vetëm mbetën/lumë lotësh rrjedh nga sytë/Nënat me fëmijë të vegjël/
mbetën rrugëve jetimë/ Orë e çast shkretohej vendi/ nëpër rrugë gërmadhat
rrinë/Shumë fëmijë nëpër djepe/ Shumë fëmijë që pinin sisë/Nënat kurrë më s’i
panë//nëpër ëndrra do t’u ndrisë. 
Ashtu si në
Hormovë, urdhrat e Vezirit ishin të shpejta dhe të pamëshirshme. Gjithçka që
reziston, çdo ushtar i kapur rob të ekzekutohet, fëmijët e gratë të kthehen në
skllevër ose të dëbohen larg zotërimeve të tij.

Moj Prevezë çu bë tek ti/Kurrë s’ishte bërë më
parë/Bridhte gjaku nëpër detë/Me tërbim si lumë i marrë/…
Duke qenë
bashkëkohës i Ali Pashës, Haxhi Shereti, poeti-kronikan i tronditur nga sa
ndodhi, i drejtohet Prevezës sikur të ishte njeri: Fajin ty kush s’ta pati/ Koka thonë të mori erë/Ndaj ndëshkimi shkon
për shtati/Vafshi skllevër me të tjerë.

Batërdia që do
të bëhej pas rënies së Prevezës, përshkruhet me ngjyra të gjalla e të
besueshme. Ja si u soll Aliu me robërit francezë e ata shqiptarë: Treqind robërit francezë/nëpër pranga i
shtrëngoi/Në Stamboll dërgoi lajmin/Vetë sulltanit t’ia dhurojë/Njëmijë kokë
(robër shqiptarë) të këputura /larg i çoi në Dovlet/Kartë u nisi të mësonin/Në
Prevezë gjak’u bë det.

Këto vargje
përputhen saktësisht me ç’shkruan Pukëvil-i në librin e tij voluminoz ‘’Ali
Tepelena’’pas rënies së Prevezës: Satrapi
(Ali Pasha) dha urdhër t’’i shpinin në Janinë robërit francezë të ngarkuar me
kokat e shokëve të tyre, të cilave më parë u kishin rrjepur skalpin’’. Faqe 98
 

P.S. Të gjitha vargjet janë marrë nga
dorëshkrimi i Haxhi Sheretit, bashkëkohës i Ali Pashës. Për ripushtimin e
Prevezës nga Ali Pasha, në këngët historike, (ato që kam mundur të gjej) ka
fare pak informacion.