Suplement Letrar/ Gëzim Zilja- Rënia e Prevezës

Sipas poemës së Haxhi Sheretit.

Nga Gëzim ZILJA

Më 12 tetor 1798, Ali Pasha goditi Prevezën, që gjatë mungesës së tij ishte pushtuar nga francezët, të cilët e kishin kthyer në bazë  ushtarake. Me kthimin në Janinë ai u kërkoi francezëve dhe banorëve të Prevezës t’ia kthenin pa luftë atë, që i kishin marrë,  madje t’i kërkonin falje. Prevezarët, me anë të një letre iu përgjigjen që jo vetëm Pargën s’ta japim por bëj kujdes së do të të marrim edhe Janinën. Kjo përgjigje e tërboi, Pashanë e Janinës. Lajmi se per luftë gati/ ishin bërë në Prevezë/Si murtajë i mbuloi çeren/Si një hije pis e zezë. Dhe më tej jepet përmbajtja e letrës së prevezarëve:

Mos të marrim dhe Janinën/Mbaje fort që të shpëtosh/O harbut o mëkatar/S’është çudi të ngelesh bosh/Prandaj boll na dërdëllite/nga ku je ik sa më parë/Po e zgjate prit ta shohësh/ do të bëhet tym e zjarrë./Më mirë çohu Ali Pashë/lufto para se të ndezë/Njeri tjetrin ne do grijmë/Kjo vërtetë është ditë e zezë./Çohu ik nga këto troje/Më mirë vonë se me nder/Se do lesh nëpër Prevezë/shpatën kockat  me të tjerë./Se këtu nuk është Hormova/që ta grish ta bësh thertore/Që të lidhur dhe përçorin/Kur do ti bien përdore. Përgjigja e Ali Pashës do të vijë e menjëhershme, e frikshme dhe e pamëshirshme . Si komandant ai cakton birin e vet, Myftarin të cilin e porosit: Myftar Pashë o biri im/do vërtetë të më nderosh/N’ballë të luftës ti të jesh/pa mëshirë kudo të shkosh./Sot na ty kërkon Preveza /Të mësojë se çështë ndëshkimi/E dëgjove çfarë të them?/Ta provojë kush është trimi. Porositë vazhdojnë deri në hollësi të tilla: Udhër çoi Ali Pashai:/ ‘’Në Prevezë kështu të bëni/Prisni koka, merrni shpirtra/pa mëshirë ndaj atij qëni.

Sulmi mbi Prevezë ishte i ashpër dhe i llogaritur në detaje. Nga njeri krah sulmonte Myftari dhe nga krahu tjetër vet Ali Pasha. Qëndresa e mbrojtësve sipas Haxhi Sheretit,  ishte fare e shkurtër, një orë. Aliu me forcat e tij kryesisht shqiptarë, arriti ta thyeje mbrojtjen e prevezarëve, të cilët luftonin së bashku me francezët. Ushtarët e tij u derdhën si stuhi mbi rrugët e Prevezës, duke mos kursyer asgjë. Në përfundim të sulmit ai  u hakmor egërsisht, duke mos bërë dallim midis robërve të luftës dhe popullsisë së pambrojtur, burra gra e fëmijë: Pa fre zbriste ai zjarr/ hynte brenda në Prevezë/Vdekje, kuje e llahtarë/ ditë e keqe, ditë e zezë.

 Nga garnizoni i francezëve  arritën të shpëtonin vetëm 6 vetë, midis tyre gjenerali La Solsete i plagosur shumë rëndë. Nga terrori dhe barbaria e pashoqe, pjesa dërrmuese e popullsisë shqiptare të atyre anëve, u detyrua të emigrojë në territoret e Peloponezit në Greqi dhe të braktisë përfundimisht trojet e saj amtare. Haxhi Shereti dëshmitar i ngjarjeve shkruan:

Oh sa lotë u derdhën lumë/ish lëngatë ajo ditë/Gratë pa burra vetëm mbetën/lumë lotësh rrjedh nga sytë/Nënat me fëmijë të vegjël/ mbetën rrugëve jetimë/ Orë e çast shkretohej vendi/ nëpër rrugë gërmadhat rrinë/Shumë fëmijë nëpër djepe/ Shumë fëmijë që pinin sisë/Nënat kurrë më s’i panë//nëpër ëndrra do t’u ndrisë.  Ashtu si në Hormovë, urdhrat e Vezirit ishin të shpejta dhe të pamëshirshme. Gjithçka që reziston, çdo ushtar i kapur rob të ekzekutohet, fëmijët e gratë të kthehen në skllevër ose të dëbohen larg zotërimeve të tij.

Moj Prevezë çu bë tek ti/Kurrë s’ishte bërë më parë/Bridhte gjaku nëpër detë/Me tërbim si lumë i marrë/... Duke qenë bashkëkohës i Ali Pashës, Haxhi Shereti, poeti-kronikan i tronditur nga sa ndodhi, i drejtohet Prevezës sikur të ishte njeri: Fajin ty kush s’ta pati/ Koka thonë të mori erë/Ndaj ndëshkimi shkon për shtati/Vafshi skllevër me të tjerë.

Batërdia që do të bëhej pas rënies së Prevezës, përshkruhet me ngjyra të gjalla e të besueshme. Ja si u soll Aliu me robërit francezë e ata shqiptarë: Treqind robërit francezë/nëpër pranga i shtrëngoi/Në Stamboll dërgoi lajmin/Vetë sulltanit t’ia dhurojë/Njëmijë kokë (robër shqiptarë) të këputura /larg i çoi në Dovlet/Kartë u nisi të mësonin/Në Prevezë gjak’u bë det.

Këto vargje përputhen saktësisht me ç’shkruan Pukëvil-i në librin e tij voluminoz ‘’Ali Tepelena’’pas rënies së Prevezës: Satrapi (Ali Pasha) dha urdhër t’’i shpinin në Janinë robërit francezë të ngarkuar me kokat e shokëve të tyre, të cilave më parë u kishin rrjepur skalpin’’. Faqe 98 

P.S. Të gjitha vargjet janë marrë nga dorëshkrimi i Haxhi Sheretit, bashkëkohës i Ali Pashës. Për ripushtimin e Prevezës nga Ali Pasha, në këngët historike, (ato që kam mundur të gjej) ka fare pak informacion.