Suplement Letrar/ Fejton nga Hyskë Borobojka- Një mendje bën kalanë, tjetra bën hatanë

343
Sigal

Fejton
nga Hyskë Borobojka

 Mendja
është gjë e madhe. Mendja bën kalanë, mendja bën hatanë. Njëra ndërton e
zbukuron, tjetra prish e shëmton. Është bela e madhe me disa njerëz kur marrim
pozitë në pushtet e bëjnë si u thotë mendja, Se vetëm mendja e “mençur” e tyre
di të bëjë “kalanë”. Në kooperativën e Zhepovës, në rrethin e Përmetit në vitin
1986 dërguan një kryetar të ri. Ai sa pa rrugën që të shpinte në fshat tha:

            -Unë dua rrugën time, s’mund të eci
në rugën e tjetrit!

Dhe
urdhëroi të ndërtohej një rrugë e re nga Suha ne Zhepovë. Partia shtet, i ndërronte
kryetarët e kooperativave, si mbreti gratë. Kur vajti në Zhepovë kryetari i
tretë, vendosi të ndërtonte rrugën e tij, pasi ata të parët rrugët e tyre i
kishin bërë pa “kompetencë”, ndërsa ai do ta bënte me “shkencë”. Akoma s’ishte
përfunduar rruga e kryetarit të tretë, kur në Zhepovë arriti kryetari i katërt.
Kur pa kooperativistët që po punonin për ndërtimin e rrugës së tretë, në vend
t’i përshëndeste e t’i uronte: “Ju lumshin krahët!”, u tha:

            -Ju bëni rrugën tuaj, unë do bëj
timen!

            Akoma nuk kishte përfunduar rruga e
kryetarit të tretë kur në Zhepovë arriti kryetari i pestë. Kur pa
kooperativistët që po punonin për ndërtimin e rrugës së katërt, në vend t’u
thoshte “Punë e mbarë!”, u tha:

            -Unë s’mund të ec në këtë rrugë, do
bëj rrugën time!

            Pas tij vajti kryetari i gjashtë që
ndërtoi rrugën e gjashtë. Vragat e të tërë rrugëve të kryetarëve, që rrotullohen
brigjeve e kodrave, kanë lënë gjurmët e tyre edhe sot e kësaj dite, si dinosaurë
të vjetër.

            Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit
të kaluar, një kryetar i nderuar i Komitetit Ekzekutiv të një rrethi, vendosi
të ndërtonte unazën e qytetit të tij? Ajo do të kalonte rreth e rrotull
qytetit. Puna për ndërtimin e saj filloi me sukses, por s’pati fat të mbaronte.
Kryetarin e nderuar e larguan dhe vendin e tij e zuri një tjetër. Ky i fundit
sa u ul në karrigen e kryetarit, pa nga dritaret e zyrës ata që po punonin dhe
pyeti:

            -Çfarë po bëjnë ata me kazma e me
lopata?

            -Po ndërtojnë “unazën” e qytetit
tonë, shoku kryetar!

            -Të prishet me njëherë! – urdhëroi
kryetari i ri.

            Pas ca kohësh erdhi përsëri në krye
të rrethit kryetari i parë. Kur pa se s’dukej asnjë shenjë nga punimet për
ndërtimin e unazës, pyeti:

            -Ç’u bë “unaza”?!

            -E prishi kryetari që ju zëvendësoi!
– i thanë

            Atij i erdhi keq e i pikoi, që
gjithë ajo punë që ishte bërë kishte shkuar jabana,
për dhjamë qeni dhe urdhëroi të ndërtohej përsëri, por s’qe e thënë që
qytetarët e tij ta gëzonin, pasi e larguan përsëri. Unaza e qytetit të tij ka
mbetur edhe sot e kësaj dite gjysmake.

            Por refreni “Nreq e prish, prish e
ndreq” prej katër rrokjesh e gjashtë germash, kalon nga një epokë në tjetrën,
nga sistemi monist në atë pluralist. Njëri nga kryetarët e bashkisë së Tiranës,
për t’i ardhur në ndihmë trafikut të rënduar në kryeqytet, vendosi të ndërtonte
një mbikalim te “Zogu i Zi”. Puna filloi sëmbari, me “kompetencë” apo me
“shkencë” (s’e ve dorën në zjarr). Por mbikalimi i gjorë, s’pati fat të priste
shiritin e përurimit, pasi një tjetër, kryetar qeverie, vendosi dhe e prishi.
Se kush e pagoi faturën e shpenzimeve për ndërtimin dhe prishjen e tij, e di
xhepi i taksapaguesve të varfër.

            Fenomeni “Prish e ndreq, ndreq e
prish”, vazhdon të ndodhë me sukses në “Sheshin Skëndërbej”. Një urdhër i
kryetarit të bashkisë bëri që t’i prishnin lulishten e trashëguar ndër vite.
Urdhri është urdhër, nuk diskutohet, por zbatohet. Lulishtja e bukur, me pemë
dekorative e lule u prish dhe në tërë “pronën” e të Madhit Skëndërbe, filluan
të hapen kanale, hendekë, llagëme aq sa. sheshi u kthye në gropa, brigje,
batak, baltë e llucë. Që të kapërceje nga njëra anë e sheshit në anën tjetër,
duhet të ishe njeri me fat, që të mos qorrolliseshe brenda tyre..

            -More, – pyesnin qytetarët, – me
“kompetencë” apo me “shkencë” po pse i kryen këto punë kryetari ynë?!

            -Pyesni kryearkitektin e Tiranë! –
thanë disa.

            Ka apo s’ka kryearkitekt kryeqyteti
i Shqipërisë, nuk dihet, mbase është “inkonjito” (i fshehur). Detyrën dhe të
drejtën e tij e gëzon çdo kryetar i zgjedhur në krye të pushtetit lokal.

Pushteti
i bashkisë nuk është i trashëguar, si puna e fronit mbretëror. Bëhen zgjedhjet
dhe ikin një kryetar e vjen një tjetër. Kështu ndodhi edhe me Bashkinë e
Tiranës. Kryetari i ri, kur pa hendekët e brazdat, që kishte hapur kryetari i
parë, urdhëroi:

            -Të prishen!

            Dhe pasi i mbushi gropat e hendekët,
me “kompetenca” apo me “shkencë”, filloi ta ndërtojë sheshin sipas shijeve të
tij, duke i dhënë një formë të re, jo vetëm me trotuarë e bordura, por edhe me
pemë dekorative. Madje projektoi një parcelë, si govatë, të cilën e mbolli me
bar, për të siguruar ushqim për kalin e Skënderbeut.

Mbaron
mandati i kryetarit të një krahu të politikës dhe vendin e tij e zë  një i zgjedhur nga krahu tjetër. Edhe ky, sa
u ul në karrigen e drejtimit të bashkisë, hodhi sytë nga sheshi e tha:

            -Ç’është ky shesh pa shijë, pa
ngjyrë, pa erë?! Të prishet që nga themeli! E di unë si do t’ia zbukuroj
sheshin të Madhit Skëndërbej?!

            Urdhri i kryetarit, vëth në vesh për
vartësit. Në fillim sheshi u thur nga të katër anët me gardh të lartë. U zunë
rrugët e qarkullimit, aq sa drejtuesit e automjeteve s’dinë nga të kalojnë.

            -Mos keni merak, – premton si
ngaherë bashkia, – Së shpejti gardhet do të hiqen dhe kur ta shikoni bukurinë e
tij, do të lini sytë e mentë.

            Kështu deklaron Bashkia e Tiranë.
Por qytetarët, që janë velur me premtime boshe, zor se do ta përtypin edhe këtë
zotim.

            Zoti
na ruajtë e na shpëtoftë. Por kur të bëhen zgjedhjet e reja për pushtetin lokal
dhe në krye të bashkisë të zgjidhet një kryetar tjetër me fantazi të shfrenuar
dhe e prish përsëri, për të vazhduar nga e para fushatën me katër fjalë “Prish
e ndreq, ndreq e prish”?! Kjo nuk dihet. Vetëm një gjë është e sigurt. Urdhëruesit
e refrenit “Prish e ndreq, ndreq e prish”, kur do ta futin dorën në xhep për të
shlyer faturën e këtyre katrahurave?! Por ata e dinë se investitorët, si për
ndreqjet edhe për prishjet, janë taksapaguesit e varfër, që “ndihmohen” me
rritjen e taksave dita-ditës.