“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Dritëro Agollit

3688
Pas Ismail Kadaresë, Shqipëria na zbulon një autor me përmasa evropiane, Dritëro Agollin me një roman satirik që meriton të krahasohet me të famshmin “Revizor” të Nikolaj Gogolit. Asgjë nuk është më eksituese, më e këndshme, më komike se sa ky portret i një aparatçiku të kënaqur nga vetja dhe që i shtyp njerëzit për të mirën e njerëzimit me humor dhe mirësjellje. 
(Marrë nga gazeta franceze “Le Figaro” datë 20 korrik 1990 dhe shkruar nga Alen Boske)
Shoku Zylo është tepër i zellshëm 
Dominik Fernandez 
(Në revistën franceze “Lë Nuvel Observatër”, datë 12 korrik 1990)387 
Dritëro Agolli, Kryetar i tanishëm i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë botoi në vitin 1972 një roman satirik për absurditetin e burokracisë. Libri pati një triumf në Tiranë dhe i siguroi mos cenimin autorit të tij. 
Jo, Ismail Kadareja nuk është i vetmi shkrimtar shqiptar! Ja një tjetër, pena therëse e të cilit na jep disa ide të çuditshme për jetën e vendit të tij, i cili nuk hiqet si veçanërisht liberal. Shoku Zylo (i quajtur kështu, sipas zakonit e duke u përsëritur shumë merr një ngjyrë shumë ironike), drejton seksionin e problemeve kulturore në administratën e lartë të Tiranës. Ndihmësi i tij, i cili në të njëjtën kohë është sekretar dhe një njeri që vihet në lojë, jep llogari në mënyrë të përpiktë dhe të thatë për bëmat dhe gjestet e tij. Shkëndija komike e ka burimin në paraqitjen me objektivitet të sjelljes së tij. Shoku Zylo, i bindur për rëndësinë e detyrës së vet, është gjithmonë në luftë për një përhapje më të mirë të kulturës: ai e percepton misionin e vet si një luftë e vazhdueshme kundër dembelëve: kur hyn në zyrën e tij, atë e gjen gjithmonë në aktivitet të plotë. Duhet që ai të japë mendimin e tij për gjithçka mbasi “për të nuk ka dukuri që të mos jetë pretekst për lulëzimin e mendimit të tij”. Ai dikton disa dekrete me një frymë të paimitueshme luftënxitëse: “Të studiohet me themel çështja e tragjikes. Koncepti i tragjikes, në jetën e përditshme, nga pikëpamja e filozofisë së sotme socialiste, nuk duhet të ekzistojë në ndërgjegjen e inteligjencies së fshatit. Tragjikja nuk ekziston më, veçse si kategori. Gëzimi për të jetuar, ja cili është koncepti bazë”. 
Dritëro Agolli vërteton se nuk ka shpikur asgjë, veçse ka riprodhuar fragmente nga raporte zyrtare. Episode të shumta me shaka,të cilave nuk mund t’u rezistosh. Duke vizituar një 
kooperativë bujqësore, Zylo është pikëlluar kur ka parë se fshatarët, të përfshirë nga puna, kanë harruar shqetësimet e kulturës, në vend që të vërë midis parantezave manitë e tij, ai këmbëngul të bëjë luftë. Kultura nuk duhet të ndjekë verbërisht grurin dhe misrin. Fshatarët, a nuk duhet të përfitojnë nga banjot publike të vëna në dispozicion të tyre? Ai e porosit sekretarin e tij t’i përgatisë një raport për rëndësinë e higjienës dhe të “dobisë së ujit të ngrohtë për të hapur poret e lëkurës”. 
Një herë tjetër, bëhej fjalë për të gjykuar një pjesë të re teatrale. Shoku Zylo shkoi në teatër dhe dha pastaj mendimin e tij: “Është një dramë e gabuar nga pikëpamja ideologjike. Fillimisht heroi negativ shpreh forcën. A e dalluat se u ngjit në majë të një kodre? Çfarë do të thotë kjo, miqtë e mi? Kjo do të thotë se ai ngjitet në një piedestal, domethënë kodra. Duhet që ai të zbresë nga kodra ose duhet ta fusin në një pus. Është heroi pozitiv ai që duhet të ngjitet në kodër”. Këto, sipas Agollit, janë fjalë të shprehura tekstualisht nga një zyrtar i teatrit shqiptar. Shoku Zylo nuk ka fat: pjesa, të cilën ai e shpalli të ndaluar, u gjykua e shkëlqyer nga hierarkia e tij e lartë. Në këtë mënyrë fillon rënia e kalorësit tepër të zellshëm të kulturës. 
Por para rënies së tij, ai nuk ishte antipatik për ne. Talenti i autorit është se na e tregon atë si një viktimë. Viktimë e absurditetit burokratik dhe ideologjik që bën kërdinë në vendin e tij. Një ingranazh shumë i vogël në makinën tepër të madhe anonime të shtetit. Libri u botua më 1972, pesë vjet pas botimit të librit “Shakaja” të Kunderës. Të dy librat i afron një farë përqasje në satirë. Megjithatë, ndërsa libri i Kunderës u ndalua shpejt në Çekosllovaki, romani i Dritëro Agollit filloi një karrierë të shkëlqyer. Një vit më pas, autori u fut në kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve, post që e mban edhe sot. Romani u botua fillimisht pjesë-pjesë në një revistë satirike: humori shërbeu si rrufepritëse. Për të përligjur ashpërsinë e kritikës thuhet: është humor! Pastaj vetë suksesi i pjesëve siguroi që libri të mos cënohej. Shoku Zylo shpëtoi nga suaza e romanit, për t’u bërë një personazh i jetës shqiptare, një qytetar si të tjerët. Duket se atje thuhet: “Është një Zylo”, për cilindo që nuk shpërblehet keq për besnikërinë ndaj hierarkisë së ashpër, të errët dhe të gjithëfuqishme politike. 
Ç’fat më i shkëlqyer mund t’i caktohet një heroi romani se sa të përdoret në jetën e përditshme, si një emër i përbashkët? Këtë fat të lavdishëm e ka pasur ushtari Shvejk. Tanimë, shoku Zylo do të kompletojë trilogjinë e këtyre groteskëve prekëse që zbulojnë sklerozën dhe budallallëkun e një sistemi. Që ne të rishikojmë shumë mendime që mund të kemi për Shqipërinë, duhet që ai të lihet i lirë në vendin e tij, që herë pas here të nxjerrë tituj të rinj, që të sfidojë, pa u ndëshkuar, nomenklaturën nëpërmjet gazit dhe paturpësisë të së qeshurës së tij. 
Sigal