QSUT, aty ku mungojnë ilaçet dhe pacientët ngelen në mëshirë të fatit

    1366
    Sigal

    VËZHGIM/Pacientët në spitale detyrohen të blejnë ilaçe në farmacitë që i rekomandojnë doktorët

    Njerëz të lodhur dhe me xhepat bosh në të shumtën e rasteve shikon çdo ditë në dyert e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, për probleme të ndryshme shëndetësore. Dikush ka fëmijën, dikush tjetër ka probleme shëndetësore vetë dhe është i detyruar nga halli që ti drejtohet spitaleve në ditët e sotme. Por si janë shërbimet, higjiena, a ka medikamente, a gjejnë zgjidhje qytetarët sot tek sistemi jonë shëndetësor? Për këto probleme më mirë është të mos i pyesësh qytetarët që janë të detyruar që të enden nëpër dyert e spitaleve sot në Shqipëri. Dhe teksa afrohesh për t’i pyetur qytetarët në të shumtën e rasteve thonë është bërë si mos më keq situata në spitale sot. Përkrahë shërbimit jo të mirë dhe kushteve johigjienike që ndeshin pacientët në këto spitale ato tregojnë se u duhet që të ndeshen edhe me një problem tjetër që u rëndon shumë në xhepat e tyre. Mungesa e ilaçeve është problemi më madhor që u duhet të ndeshen çdo ditë pacientët që ndodhen në spitalin “Nënë Tereza”. Në një vëzhgim që ka bërë “Telegraf”, në ambientet e QSUT ka marrë rrëfime nga më të ndryshmet për mungesën e ilaçeve nga pacientët që ndodheshin për probleme të ndryshme shëndetësore. “nuk kam lekë për të blerë ilaçet e vajzës time të vetme, e cila është operuar nga gjëndrat tiroide para dy ditësh. Spitali nuk ka ilaçe për këto ose vdis ose shko dhe bli ilaçet, unë s’kam as të ardhura jetoj me një ndihmë sociale. Doktori më mbushi një recetë dhe më kërkoi që ti blija sa më parë, sepse ishin të nevojshme për vajzën pas ndërhyrjes që ka bërë. Madje as shiringa nuk kishte, më duhet të blija edhe ato” tregon S.I. prindi i vajzës 24- vjeçare nga qyteti i Lushnjës, që ishte e operuar për një problem në gjëndrat tiroide. Ashtu si ky prind nëpër dyert e spitalit “Nënë Tereza” dhe kryesisht në repartin e Kirurgjisë, ndesh njerëz të lodhur dhe të shqetësuar të cilët ankohen se nuk mund të përballojnë çmimet e larta të ilaçeve që janë të detyruar që të blejnë për shkak se Spitali nuk ka madje as shiringa nuk gjen në shumicën e rasteve. Teksa po bisedoja me prindin e vajzës nga Lushnja, më afrohet një zonjë afërsisht tek 60 vjeçët e cila kishte vëllain e saj pacient dhe më thotë: “po si të bëjmë që nuk ka ilaçe në spitale, këto nuk mund të quhen spitale, kur nuk plotësojnë as kushtin më minimal kur nuk kanë as paracetamol edhe atë na thonë që shkoni dhe blijeni në farmaci se janë mbaruar. Pa folur këtu për ndonjë lekë që duhet t’u japësh nën dorë, sepse në të kundërt nuk vijnë që të shohin si je dhe çfarë problemi ke?. Por as kush nuk vë dorë, as media nuk ka çfarë ti bëjë më këtyre, nuk ka shtet në Shqipëri dhe nuk funksionon si duhet sistemi shëndetësor”shprehet zonja E.M nga qyteti i Tiranës.

    Jepet “rekomandim” edhe për farmacinë, ku duhen blerë ilaçet

    Tashmë është bërë e “modës” thonë pacientët që kur merr recetën nga doktori duhet të marrës edhe “rekomandimin” se ku duhet ti blesh ilaçet. Kjo e gjitha bëhet për shkak se doktorët kanë farmacitë e tyre, ose kanë bërë pazare të pista me qëllim ndarjen e përfitimeve që mund të marrin nga shitja e ilaçeve. Abuzivizëm dhe padrejtësi pafund ndeshin pacientët e sëmurë ditët e sotme nëpër dyert e spitaleve ku i dërgon halli që kanë. Një pacient, me iniciale A.S i cili kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikalë para disa kohësh, tregon se: “nuk ka asnjë medikament, që kur ka ardhur ditën e parë këtu jam detyruar që të blej çdo ilaç, sepse spitali nuk të ofron asgjë vetëm emri i ka ngelur si i tillë se funksionin që ka nuk e bën aspak. Aq më tepër që i blejmë ilaçet por duhet ti blejmë dhe në farmaci të caktuara, pasi doktori që me ka dhënë recetën më ka adresuar që të shkoj vetëm në një farmaci. Një zot e di se përse duhet ti marrësh vetëm atje, por halli më ka detyruar që ti marr atje ku më ka adresuar doktori që më ndjek”. Ndërsa të njëjtën gjë na thotë edhe R.M, një paciente që ndodhej e shtruar prej disa ditësh. “bashkë me recetën doktori të jep edhe emrin e farmacisë ku duhet të shkosh për të blerë”. Si këto që biseduam gjatë vëzhgimit tonë, ndesh me dhjetëra raste, të cilët kanë probleme të natyrave të ndryshme, por që të gjithë konvergojnë në një pikë në mungesë të theksuar ilaçesh. Ku janë autoritetet përkatëse që mburren çdo ditë për punën që po bëjnë, ku është ISKSH-ja që duhet të merret me ilaçet? Asgjë nuk dihet, por ajo që dihet dhe që shihet sot në spitalet tona është fakti që nuk ka ilaçe, është fakti që qytetarët nuk kanë lekë që të blejnë ilaçet që u duhen për shëndetin e tyre.