Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Zyhdi Dervishi: “Antologjia e përzgjedhur nga Pandeli Koçi”

694
Sigal

Shënime për antologjinë: “Pena të lirisë” e përgatitur nga shkrimtari dhe kritiku Pandeli Koçi

Vizione idealiste, altruiste dhe përparimtare në krijimtarinë letrare të dëshmorëve

Nga Prof. Dr. Zyhdi Dervishi

Para pak ditësh “Organizata Kombëtare për Dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut” botoi antologjinë “Pena të lirisë” me krijime letrare të autorëve dëshmorë. Kjo antologji është përgatitur nën përkujdesjen e kryetarit të kësaj organizate, doktorit të shkencave Gjergji Velo,në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit të Republikës së Shqipërisë nga pushtuesit fashisto-naziste.

Përgatitja me profesionalizëm të niveleve më të epërme dhe botimi i kësaj antologjie përfaqëson jo vetëm një përkujtim intelektual dinjitoz për krijuesit e dëshmorëve, por edhe një ngjarje kulturore mjaft të rëndësishme për shoqërinë shqiptare.

Leximi i vëmendshëm i kësaj antologjie të ndihmon për rilevuar botën e pasur shpirtëror të atij brezi të ri që u përball me sfidat e rënda të luftës çlirimtare. Mjaft prej poezive, skicave, tregimeve dhe prozave poetike këta i kanë shkruar në moshën e adoleshencës që përkonte me ato vite mjaft të trazuara, kur regjimet totalitare fashisto-nazisto-militariste po e çonin botën drejt kasaphanës së dytë të përbotshme, që ka qenë më rrënimtarja dhe më e përgjakshmja në historinë e shoqërisë njerëzore.

Në moshën e rinisë, kur në një shoqëri të organizuar e të zhvilluar normalisht thuren ëndrrat më të bukura për jetën, për lumturinë vetjake krijuesit dëshmorë, si atdhetarë idealistë u orientuan kah angazhimet e shumanshme për zhvillimin, demokratizimin dhe emancipimin e shpejtë të popullit shqiptar, u bënë zëdhënës të aspiratave të tij për të përparuar sipas modeleve më të arrira të vendeve më të urbanizuara. Duke pasur një formim tëtillë shpirtëror idealist e përparimtar, të rinjtë shqiptarë, veçanërisht krijuesit në fushën e letërsisë nuk mund të mos angazhoheshin tërësisht në luftën për çlirimin e popullit shqiptar nga pushtuesit fashistë e nazistë. Ata ishin të përgatitur shpirtërisht për të përballuar me dinjitet edhe këtë sfidë të rëndë në ballë të përpjekjeve të të popullit shqiptar për liri, në këtë luftë gati gjashtëvjeçare.

Me vargje të thurura me ind poetik modern, avangard edhe për ditët tona Dino Kalenja do të shprehej:

Përmbi përleshjet me jetën

shpirti rrëzohet në çdo hap

në plagë psherëtijnëëndrrat

“Të dua” – jehon liria prapë (f. 59)

Pra një brez që duhej të përballonte çdo dhimbje, fizike e shpirtërore në emër të lirisë së popullit, të cilit i përkiste.

Ideologët e regjimit fashisto-nazist të pushtimit u përpoqën ta paraqesin Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar si “aventurë axhaminjsh që nuk dinin çfarë bënin”, “si lodër adoleshentesh që nuk kuptonin se çfarë rrjedhojash të rënda sjell lufta, për popullin dhe për vetë ata” etj. Studimi i kujdesshëm i krijimtarisë letrare të dëshmorëve, të paraqitur edhe në antologjinë “Pena të lirisë”, dëshmon në mënyrë të pakontestueshme se, megjithëse fare të rinj, ata ishin të vetëdijshëm se lufta çlirimtare ishte, do të ishte një sfidë shumë e rëndë, që kërkonte sakrifica në shumëçka, deri në vetësakrifikim. Në poezinë monolog të përfytyruar të një shoqe ose shoku të rënë në luftë Kristo Isak artikulonte artistikisht:

Dhe kur trupi im të tretet

dhe hiç prapë të mos mbetet

kur lirinë ta fitoni

ejani më lajmëroni (f. 36).

Edhe në botën tjetër dëshmorët, që u vetësakrifikuan për çlirim kombëtar, jetonin me ëndrrën e lirisë, me dëshirën e zjarrtë për realizimin e saj.

Në historinë e kulturës shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore kjo antologji përfaqëson një risi. Është i pari botim që bashkon krijime të dëshmorëve që ranë në luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar përgjatë viteve 1939-1944 me ata që ranë në betejat për çlirimin e Kosovës në fund të viteve 1990. Me gjithë distancën në kohë, krijimet artistike të dëshmorëve formojnë një ansambël letraro-artistik të harmonizuar natyrshëm deri në nivelin e perfeksionit.

Në poezinë me titull “Njeriu për njeriun” Latif Berisha, i rënë në vitin 1999, artikulon altruizmin e paskajshëm të luftëtarëve të lirisë. Pasi ofron me fantazi artistike njërin sy që bashkëkombësit të shohin bukuritë e pasosura të jetës dhe njërin vesh për të dëgjuar orkestrën mahnitëse të ëndrrave ai e përfundon poezinë:

Nëse humb lirinë tënde

prapë mund të ndihmoj:

të jap gjakun tim

që t’i ujisin lulëkuqet e pranverës

e të dehemi n’aromën e tyre

pa mbarim (f. 264).

Mesazhi kryesor që na përcjell krijimtaria letrare e autorëve dëshmorë është: “Për të ruajtur lirinë duhet të punohet çdo ditë dhe sa më shumë të zhvillohet vendi aq më i sigurt është liria”.

Nëse do të shprehesha me artikulimet artistike të Margarita Tutulanit, në këtë tubim do të dëshiroja të citoja nga margaritarët e krijimtarisë letrare të çdo dëshmori diçka “nga shpirti i tyre i kulluar si kristal” (f. 233). Por, në përmasat e këtij shkrimi kjo është e pamundur. Për këtë u kërkoj ndjesë të gjithë krijuesve dëshmorë, krijimet e të cilëve janë përfshirë dhe nuk janë përfshirë në këtë antologji, që nuk mund t’i citoj. Më lejoni që në këtë artikull të shkurtër t’i referohem botës së trazuar poetike të dëshmores më të re, që përfaqësohet në këtë antologji.

Në vitin 1999, pra në prag të mijëvjeçarit të tretë adoleshentja 17-vjeçare gjakovare Yllka Domi, pak ditë para se të binte në shesh-betejë të luftës më të fundit të shqiptarëve për liri shkroi poezinë me titull “Amanet”. Në të ka edhe një varg që shpreh me modesti dhe altruizëm të skajshëm, që trondit çdo zemër shqiptari, që trondit edhe malet: “Përmendore nuk dua…!”. Yllka dhe të gjithë dëshmorët e lirisë kanë dhe do të kenë në shpirtrat e shqiptarëve përmendore kujtimesh e nderimesh të përjetshme. Nderimi për dëshmorët e lirisë është nderimi më vizionar dhe më dinjitoz për popullin shqiptar, për aspiratat e tij për zhvillim dhe emancipim të shumanshëm.

Kjo antologji e realizuar me profesionalizëm të epërm mund të shërbejë edhe si model për të botuar një kolanë disavëllimëshe me krijimtarinë e plotë të anëtarëve dëshmorë. Për këtë kërkohet ndihmesë e veçantë jo vetëm e familjarëve dhe të afërmve të dëshmorëve që të ofrojnë dorëshkrime të pabotuara, por edhe e specialistëve të letërsisë që do t’i përgatisin për botim ata sipas kritereve shkencore të përparuara. Botimi i një kolane të tillë nuk është vetëm nderim për dëshmorët, shkrimtarë e poetë. Veçanërisht vizionet idealiste që shtjellohen në krijimtarinë e tyre letraro-artistike do të shërbejnë për të tejkaluar mjaft dukuri negative problematike, veçanërisht baticën e vulgariteteve korruptiveqë përjeton shoqëria shqiptare e ditëve tona.