Pena Shqiptare/ Fabula nga Gaqo Veshi

710
MESUTI BËRI NJË KRUA
(Fabul)
Ishte mos na ish,
Qe një burrë i shquar,
Donte që emri
Kurrë mos i shuhej.
Pa ndërruar jetë,
Donte të ndërtonte
Një krua të bukur
Kushdo ta kujtonte.
Aty udhëtarët,
Sa herë të kalonin,
Duke u freskuar,
Atë ta uronin.
Duke pirë ujë,
Me shumë lezet
S’kishte si mos thoshin:
“Mesutit rahmet!”
Damarin e ujit,
I doli kismeti,
Ndodhej në përrua
Nuk u lodh i shkreti.
Siguroi çimenton,
Gurët i skaliti,
Dhe kroin e bukur
Në këmbë e ngriti.
Nuk kaloi shumë,
Qielli u nxi sterrë.
Dhe një shi rrebesh,
Filloi që të bjerë.
Vala që sipër
Ish e madhe shumë,
Mori edhe kroin
E shpuri në lumë.
Në mëngjes njerëzit,
Kroin kur s’e panë,
Gjithë me një gojë,
Psherëtin’ e thanë:
“Mesuti bëri një krua,
As sevap, as mut s’u shkrua,
Se e bëri në përrua!?
DY GUNGAÇET
(Fabul)
Ishin dy gungaçë
Të dy për ibret,
Për t’u shëruar,
S’gjenin dot medet.
Na hapet një fjalë,
Në një manastir,
Kush shkon i gjymtuar,
Kthehet si bandill.
Na niset i pari
Dhe hap atë derë,
Shtron rrobat përdhe
Dhe bie të flerë.
Në mesin e natës,
Na vijnë aty,
Engjëjt e shenjtë,
Bënin ty-ty-ty!
Pas tyre gungaçi,
S’vuri gjumë në sy,
Ty-ty-ty ata,
Ty-ty-ty! –dhe ky..
Kur erdhi mëngjesi,
E madhe çudi,
Gungat ishin zhdukur,
Si kur bën magji.
Kur vajti në fshat,
Çfarë mrekulli
S’kishte asnjë gungë,
Shtatin si selvi.
Shoku kur e pa,
Këtë mrekulli,
Për në manastir,
U nis dhe ai.
Në mesin e natës,
Erdhën përsëri,
Engjëjt që këndonin
Tjetër melodi.
Por kësaj here,
Të gjithë ata,
S’bënin ty-ty-ty,
Bënin ta-ta-ta!
Ty-ty-ty! –ata.
Ta-ta-ta! – ai
Ç’të shihte i gjori
Sapo u gdhi.
Xhungat në kurriz,
Ishin për çudi,
S’ishin më dy,
Ishin bërë tri.
Përralla e vjetër,
Na jep një mësim:
Bëj si të gjithë,
Të kesh përfitim.
Se po bërë ndryshe,
Keq do ta pësosh,
Si limon i shtrydhur,
Do të përfundosh!
E DI KALI
Rrëfenjë
Ish një magazinë,
Me mall e stoli,
Po ku vajti gjëja,
Nuk e di njeri.
Roja “vërteton”,
Xhamet nuk u thyen,
Qentë nuk lehën,
Dyert nuk u shqyen.
Unë s’kam dhën’ urdhër!
Betohet drejtori.
-Për kokën e vajzës!
Bën be furnitori.
Doni ta dini
Se ku vajti malli?
Sekretin e tij
E di vetëm kali.
Mbreni në karrocë,
Kalin qime zi.
Ku e shpuri mallin
Veç ai e di..
Sigal