Hyskë Borobojka/ Bashkëjetesa e ujkut me gomarin

574
Sigal

Nga rrëfimet e një gazetari veteran

 

“E kapërceu si ujku gomarin”, është një shprehje e vjetër popullore, që do të thotë se ujku e shijon shumë mishin e gomarit, aq sa kur i del përpara në shteg, përpara se ta “ekzekutojë, e kapërcen dy a tri herë. Por siç kanë ndryshuar e ndryshojnë shumë fenomene në botë, po ndryshon edhe armiqësia shekullore ndërmjet gomarit veshgjatë dhe ujkut murrak. Tani të dy kafshët mund të “bashkëjetojnë”. Kjo që po tregojmë nuk është përrallë për fëmijët, por ndodhi e vërtetë. Ai që ka mundur të bëjë këtë mrekulli, që gomari dhe ujku të gjejnë gjuhën e përbashkët është një fshatar nga zona e Kurbinit. Këtë eksperiment të rrallë ka arritur ta demonstrojë në qershor të vitit 2000. Ai me marifet e me mundim ka mundur ta zërë ujkun në pyll dhe ta mbyllë në një kafaz bashkë me gomarin e tij. “I duruari, i fituari”, thotë një shprehje e urtë. Me mësime e me durim ka mundur, që të dy kafshët, historikisht armiq, të bëhen miq e të bashkëjetojnë. Mbyllja e një kafshe të egër me një të butë në kafaz, vuri në siklet Ministrinë e Mjedisit të asaj kohe në Tiranë, e cila ishte kundër heqjes së lirisë të ujkut e “burgosjes” së tij dhe bashkëjetesës me gomarin, prandaj kërkoi lirimin e menjëhershëm të tij: “Do ia jepni lirinë e mohuar ujkut apo doni të dërgojmë policinë ta lirojë kafshën mishngrënëse të shkojë në pyll, andej nga ka ardhur!” – e kërcënoi fshatarin nga Kurbini drejtori i Faunës dhe Florës në Ministrinë e Mjedisit.

-Kam në plan të krijoj një kopsht zoologjik, ku do grumbulloj edhe kafshë të tjera, të egra e të buta që të marrë përvojë edhe Kopshti Zoologjik i kryeqytetit. E di ti zotni, se për të parë këtë shoqërim e bashkëjetesë të gomarit me ujkun kanë ardhur në Kurbin studiues nga Anglia, Gjermania, Greqia dhe kanë mbetur të habitur e të pataksur, kur kanë parë këtë realitet, që është i vetmi, jo vetëm në Ballkan e në Evropë, por edhe në botë! – e sqaron fshatari, Ministria e Mjedisit ngul këmbë, që fshatari nga Kurbini të mos ia privojë lirinë ujkut, por fshatari nuk tërhiqet e thotë:

-Deri sa arrita të zbus ujkun mishngrënës të rrijë bashkë me gomarin bar e gjemba ngrënës pa e trazuar e ngacmuar njëri tjetri, jam i bindur, po më ftuan në Parlamentin e Shqipërisë mund të zbut edhe maxhorancën dhe opozitën mos grinden e mos shahen njëra me tjetrën, të kthehen në “konsensusin” (ujdinë) e vjetër: “Opozitarë por vëllezër”