Gentur Lleshi: Përralla që më tregonte një plak

731

Gazeta Telegraf/


Pena Shqiptare/


Nga Gentur LLeshi


Tanimë jemi bërë burra. Na thanë se do të na ço¬nin në Oderzo ose në një
fshat aty pranë. Pararoja jonë: Altin Ndreu, Gentian Ndreu dhe Armando
Mballoma, kishte dy javë në Oderzo. Atje vajtëm edhe ne të dy, unë dhe Irfan
Kafazi. Do të ishim pesë shokë. E lamë pas Paluzzën, i lamë Alpet, Tagliamenton.
Tani po i afroheshim detit Adriatik. Fusha e Venetos. Pranë nesh Treviso,
Pordenone dhe Mestre. Më tej Venezia. 

Në Oderzo vajtëm një mbrëmje të butë. Ndo¬nëse frynte erë e rrafshët,
përsëri ishte një mrekulli. Qyteti roman dhe modern ishte i mbuluar me turistë.
Unë nuk e dija, as që e merrja me mend, që do të isha për shumë kohë, një vit,
personazh dhe vë¬zhgues i këtij qyteti. 

Mbrëmjen tjetër kureshtjen time e tërhoqi vizita e qytetit të vjetër romak.
Isha bashkë me Irfan Kafazin. Në shkallët e amfiteatrit antik një plak i moçëm
kishte hapur krahët drejt qiellit të ngarkuar me re dhe diçka
pëshpëriste. 

E përshëndetëm. Ai sikur u tremb. 

«Djem, pse nuk më lini vetëm?»

«Mos kishit ndonjë nevojë?»

«Ah, e kuptova, ju doni të dini ç’i them unë Qiellit?»

Një heshtje e zhurmshme u zvarrit nëpër hapa. Ai u ul në shkallë. Edhe
ne. 

«Hm. E mora vesh. Ju doni të dini diçka. Dhe unë do t’ju tregoj një
përrallë. Joo. Mos i varni buzët, nuk do t’jua dëftej pse jeni boçe, por sepse
më erdhi në mendje dhe ju ma shtrydhët paksa zemrën, më freskuat pak.

… Një mi i vogël po përgatitej të dilte nga vrima e tij. Befas i zuri
syri një mace që priste jashtë te shtegu. Me vrap u kthye në fund të vrimës dhe
ftoi një nga shokët më të ngushtë për të shkuar së bashku te thesi me grurë.
«Do të shkoja vetë, por nuk mund ta mohoj kënaqësinë që më jep shoqëria me ty.»
«Shumë mirë», thotë miu tjetër, «do të vij me ty. Prina.» «Unë?!» thirri i
pari. «Unë do t’i prij një miu të ndritur e të famshëm si ti? Mos qoftë e
thënë! Unë kam për të ndjekur hapat e tu, zotëri!» Miu-kocomiu, i përkëdhelur
në sedër e për t‘u dukur kokorosh priu i pari. Sapo doli nga vrima, duke ecur
me gjoksin përpara, u kap befas nga macja… Miu ynë doli nga vrima i pa
shqetësuar…

Eh, more djem! Në këtë botë të dhjerë ka plot njerëz që të hedhin mbi kokë
një vazo me lule nga kati i pestë e pastaj thonë: – Të pëlqyen trëndafilat që
të dhurova?»

Plaku u ngrit duke rënkuar dhe u zhduk. Mbetëm si të shtangur. Irfani, nuk
e di ku e kishte mendjen, po qeshte me plasat midis gurëve të bardhë të
shkallëve. U ngrita dhe mendja më vajti në amfiteatrin e akropolit të kalasë së
Beratit. Një variant të kësaj përralle, nuk di kush ma kishte treguar atje. Ka
qenë dikush, që ma ka treguar, porse atëherë isha shumë vogël.

 

 

Sigal

Nga libri «Ëndrra e vdekjes sime»