Gaqo Veshi: Rrëfime nga dhoma gjashtë

795
Sigal

Gazeta Telegraf/

Gaqo Veshi

RRËFIME NGA DHOMA GJASHTË

Konvikti i
Gjirokastrës, në vitin e parë kur shkuam Dritëroi e unë, shumicën e tij e bënin
nxënësit e shtatëvjeçares, më pak se njëzetë, ne nxënësit e klasit të parë, dy
në të dytën, katër në të tretën dhe pesë maturantë. Prandaj ne, si më të rritur
“studentë”(si na quanin në atë kohë) kishim zgjedhur një shtëpi të Kokalarëve,
sipër rrugës, që ndante shkollën me bashtën e saj. Ishte një shtëpi dykatëshe, kati
i pari, pothuaj i pabanuar, me stere uji e me qilare të errët, ndërsa kati i
dytë përbëhej nga një korridor i madh me tri dritare, të cilat shikonin nga
kopështi me pemë. Në secilën anë të korridorit ndodheshin tri dhoma.Në njërën
që mbante numrin gjashtë, vendosëm krevatet e drunjta e dyshekët e mbushur me
kashtë, Dritëroi, unë, Llambro Shemko, dy Nikot (njëri nga Kolonja e tjetri nga
Himara) dhe i paharruari Kosta Pantazo nga Peqini.

      
Dhoma, me sa më bie në hatër, kishte përballë dy dritare me hekura, në
mes tyre një oxhak të madh me vatër, tavan me dërrasa ku vareshin disa çengela.

       Nuk kaloi shumë kohë dhe nga vjershat, bejtet
e qyfyret e Dritëroit u bë dhoma më e dëgjuar dhe më e preferuara e konviktit.
Kryefjala dhe kallëzuesi i saj, gjithmonë ishte Dritëro Agolli.. Një nga
cilësitë e ralla të tij ishte humori i hollë. Edhe kur fliste për diçka
serioze, do të fuste ndonjë batutë me kripë, që na bënte të shkuleshim së
qeshuri, kurse ai, jo vetëm që nuk qeshte si disa të tjerë, që vetë flasin e
vetë qeshin, por as buzën nuk e vinte në gaz.

       Në këtë dhomë thureshin “tragjeditë” nga
Dritëroi si “Gjak mbi dysheme” (për grindjet ndërmjet  (A-së dhe L-së), ku rrëfeheshin beteja si në
Iliadën e Homerit, njeri ishte Akili fitimtar dhe tjetri Hektori i mundur, apo
“Bankizmi sëmundja foshnjore e krevatizmit”, që i kushtohej Vasil Banka, i cili
me që ishte pak kambur e anonte nga e majta, hiqte e vinte dërrasat e krevatit
për të drejtuar trupin. Thanas Dh. kishte një merak tjetër, i dukej sikur i
rritej koka çdo ditë e ishte në siklet të madh.

       -E di ç’është, – e këshilloi Dritëroi, –
kur të biesh natën në krevat për të fjetur shtërngoje kokën fort me rrip!

       Dhe s’vonoi të thurte “tragjedinë” “Koka
dhe rripi”.

       Një herë kur kishim dalë poshtë nga Ura
e Lumit, në rrugë pamë një autobus ( në atë kohë e quanin Satë), që po ecte me
të shpejtë. Aty për aty Dritëroi bëri një vjershë për mua, ku thoshte:

                                       Atje në
rrugë një Satë shkonte,

                                       Edhe
buçiste dhe tym lëshonte,

                                       Ahere doli dhe serbes foli

                                       Gaqo
qiklopi, njeri i zoti:

                                       Do vijë
një ditë që dhe njerëzia,

                                       Të ecë
shpejto me këmbët e tija,

                                       Të ecë shpejto sa ajo
Sata,

                                       Se do të
ketë këmbë të gjata  

                                       Dhe
vazhdon rrugën ky mendimtar,

                                        Promethe përparimtar.

      Dritëroi, ne të pestëve të dhomës gjashtë
na kishte ngjitur nga një epitet. Mua më quante Promethe dhe Perëndia e
Fekondimit. Kosta Pantazos, që merrej me hekura e me tela elektrikë, e
thërriste Hefest, Nikos nga Kolonja me që mbiemrin e kishte Lingo, i thoshte
Dingo. Llambro Shemkos “Bishti” ndërsa Nikos nga Himara që thoshte shpesh: “Për
idealë të dhjenë” e quante “Pirati Mimi”, madje i kishte bërë edhe një vjershë,
që fillonte:

                                             
Pranë detit është Himara,

                                              Lulëzojnë vreshta e
ara.

                                             
Gjithë në atë vend të mbarë,

                                              
Jeton Mimi marinar.

                                              
Çallmaxhukun tund në rërë

                                              
Sa çuditet botë e tërë.

       Me Nikon e Himarës patëm edhe një qyfyr
tjetër. Një ditë i kishin dërguar nga shtëpia një thes me portokalle e një pulë
të pjekur.

       -Për idealë, eja të hamë! – na ftoi.

       Mbyllëm derën e dhomës e iu shtruam
vënçe, por Nikoja kishte një zakon, hante shpejt e bëhej ujë me djersë e nuk e
lëshonte shaminë nga dora, duke nxituar në këtë mënyrë i mbeti diçka në fyt e
zgurdulloi sytë. Ne të tjerët u trembëm. Si t`ia bënim, nuk i thoshin shaka.

       -T’ia shtyjmë poshtë me bishtin e penës!
– tha Dritëroi.

       -Ama llaf, – ia ktheva, – t’i çahet
esofagu.

       Me vrap morëm rrugën e spitalit, por për
çudi, sa arritëm atje nuk e morrëm vesh se ajo që i  pati mbetur në grykë kishte kaluar poshtë pa
asnjë zarar… 

       Në dhomën përballë nesh flinin tre shokë
të klasës sonë: Aristidhi, Leonidha dhe Ramazani. Secilit prej tyre Dritëroi i
kishte ngjitur nga një nofkë. Aristidhin nga Poliçani, një nga shokët tanë më
të mirë, që shqipen e fliste si shumë minoritarë grekë, e kishte pagëzuar
“Përcaktimi”, për shkak se Jasoja (si e thërrisnim) i dilte shpesh fjala, se
cili nga ne do të ngrihej në mësim. Sa binte zilja e madhe e xha Eminit (një
plak pak i krrusur me mustaqe të gjata), secili nga ne shpejtonte të pyeste
Jason:

       -Eh, si thua, jam sot?

       Dhe ai duke qeshur, përgjigjej :

      
-Më dukesh se je, vëlla !

       Dhe për të thënë të vërtetën «Përcaktimi »
disa herë i delnin përcaktimet.

       Leonidhën, që rrinte tërë pasditen në
dhomën e errët, e thërriste Hysen Hyslia, sipas një personazhi si biçim
shkencëtari nga filmi «Nastradini në Buhara»

       Ramazani 
herë ishte Nabukodonizore e herë Asubanipali. Këto emërtime kishin një
histori më vete. Për t’i mbajtur mend këta emra faraonësh të Egjiptit të
lashtë, ai vinte vërdallë në kopështin me pemë para konviktit e i shqiptonte me
zë të lartë. Por ç’e do, sa vinte ora e historisë i harronte apo i ngatërronte.
Harriton e brishtë nga Përmeti, që në teatër loste rolin e femrave, e thërriste
«Pinok».

       Kristo Dhima, ishte nja dy vjet më i
madh se ne, ishte njeriu i aksioneve në hekurudhat e rinisë. Për të Dritëroi
kishte shkruar dhe një vjershë që ishte botuar në gazetën «Letrari i Ri». Me sa
mbaj mend, ajo fillonte kështu :

                                       Shihni
Kriston si po ecën,

                                       Fët e
fët e gjithë gas,

                                       Çantën
krahut e ka hedhur,

                                       Batanijen e ka pas.

        Ai ishte zgjedhur kryetar i këshillit
të konviktit dhe ne e thërrisnim «Babai i konviktit», se shpeshherë
zëvendësonte edhe xha Myftarin për t’i rënë ziles.

       Dhimitrit nga Berati që ishte lavrak e i
shpejtë, e quante «Kedhi», sipas një personazhi nga romani «Aisoltana». Rakipin
nga Fterra, i urtë e që nuk zemërohej kurrë, e thërriste «Dervish», madje për
të kishte sajuar edhe një bejte :

                                        Dervish biles, gazel këndes,

                                        I madh goxha,
Dervish baba.

        Dritëroi për të gjithë ne kishte thurur
nga një vjershë, disa prej tyre si për Hulësi Hakon e ndonjë tjetër ishin
botuar edhe në gazetë.

 

 

 

 

                                         
DRITORI DHE DREJTORI

 

       Njëherë ndodhi diçka e veçantë në
konviktin e Gjirokastrës. Ishte viti i parë i shkollës, kur na vjen nga
Menkulasi (fshati i Dritëroit) një gozha burrë. Sa erdhi te dera e konviktit, i
thanë:

       -Kë kërkoni?

       -Dritorin! – foli ai me një devolliçe të
trashë.

       Dritëronë në shtëpi e në rrethin
familjar e thërrisnin Driti dhe si duket ai që pyeti fjalën «dritor» e mori për
«drejtor» dhe e drejtoi te drejtori i konviktit, që kishte qëndruar në
korridorin përpara zyrës së tij. Devolliu eci me hap të qetë drejt tij dhe,
duke e pushtuar fort, i tha :

       -Hajde, o Derka i Derkës, sa qënke
rritur ?!

       Drejtori e pa veten ngushtë në krahët e
devolliut e po përpiqej me të gjitha fuqitë të çlirohej, po ku e lëshonte
tjetri. Pushto e bot duke përsëritur :

       -Hajde, o Derka i xha Rizajt, sa qënke
bërë !

       E vështronte të gjorin drejtor, që
kishte rënë në siklet, nga koka te këmbët dhe sytë i vajtën te mustaqet e holla
të tij

       -Hë, Derka i Derkës, paske lënë dhe
mustaqe pa le! – dhe me gishtat e trashë e tërë kallo filloi  e t’ia dridhte e t’ia përdridhte.

       Drejtori i ngratë hidhu e përdridhu,
ndërsa devolliu shtrëngo e mos e lësho.

       -Hë, më qafsh, – i lutej,- dale të t’i
ze një çikë se jam dorëmbarë, se do të të rriten e do të zgjaten deri te veshi.

       Në një çast të volitshëm drejtori i
shpëtoi nga mengenetë e duarve të tij e iku me vrap nga sytë këmbët. Gati një
javë të tërë nuk e pamë të dukej në konvikt.

       Që nga ajo ditë, Dritëroi sa herë luante
në teatër, mustaqet i ngjiste sa më të gjata, për të plotësuar dëshirën e
devolliut.