Fejton/ Mos na dëgjofshin veshet e mos na pafshin sytë

654
Fejton nga Hyskë Borobojka
Akoma nuk isha ngritur nga gjumi i ëmbël i mëngjesit, kur buçiti zija e celularit tim. Dikush më kishte dërguar një mesazh urgjent. E hapa menjëherë celularin dhe në ekranin e tij lexova: “ Sot për drekë je i ftuar në shtëpinë time, se kam një gëzim të madh! Nure Dermani”. Ftesa e mikut tim për gosti e ziafet, nuk mund të refuzohet, sidomos kur atë ta bën një njeri, që je ngrohur nga një diell e ke baritur në të njëjtën tokë. U ngrita menjëherë, u vesha, u mbatha, u rrojta e u krojta dhe e mbajta frymën në banesën e tij. Nurja e kishte hapur portën e shtëpisë me të dy kanatat. Sa kapërceva pragun e derës së tij e hyra brenda, miku më përqfoi me mall e më puthi në buzë tri herë me radhë, sipas zakonit të vjetër. Që te dera vura re se Nurja e kishte shtruar tavolinën për shtatë palë qejfe, me të ngrëna e të pira, ashtu si ia ka hequr e ia heq dera.
-Ta gëzosh ditëlindjen, o miku im i mirë. Mos t’u shteroftë gëzimi e të jetosh me mend në kokë, me këmbë e duar sa të të dëshirojë e bardha zemë! – e urova.
-Ç’ditëlindje më uron,, o miku im, Hyskë Borobojka! – ma preu ai.- Të paska zënë skleroza. Harrove që dyzet e pesë vjetorin e jetës, e festova tre muaj e shtatë ditë më parë Të kisha vënë si kryemik, në krye të tavolinës dhe s’ngrite një e dy shëndete e dolli, por shtatë me të përmbysur gotat?!
E pashë se e qullosa. E harrova festën e madhe për ditëlindjen e tij dhe po shtrudhja mentë të gjeja arsyen që miku im e kishte shtruar gostinë, si rallëherë. Kur e pashë se me pyetjen e parë e qullosa, u hodha në pyëtjen e dytë, duke i thënë me sguri se këtë ziafet, aheng apo gosti e kishte shtruar për të kujtuar ditën që i tha rri me shëndet beqarisë dhe çveshi rrobat e djalërisë dhe veshi ato të dhëndërrisë. Por edhe kësaj herë kisha lajthitur.. Mallkova e shava me rrënjë e degë viranën sklerozë që më ka zënë për t’u turpëruar përpara miqve e shokëve.
-Përsëri e ngatërrove, o miku im, i shumëdashur. Si e harrove dasmën time, ku ishe kryekrushku i parë kur shkuam të merrnim nusen. Sa mbritëm te shtëpa e saj ia more këngës: “Merr babanë e plas pas murit,/ Eja moj nuse pas burit./ Merr nënën e plas pas dherit,/ Eja moj nuse pas vjerrit!” Dasma ime u bë në mbretin e muajve, në maj kur lulëzojnë lulet, çelin trendafilat, karafilat e këndojnë bilbilat e jo tani në vjeshtë, kur piqen fiqtë e vilen rrushtë?! – vazhdoi sqarimin Nurja.U zura ngushtë, që s’dija përse ta uroja mikun tim, që kishte shtruar këtë ziafet. Më në fnd vendosa të shkrepja fishekun e fundit. Mos vallë e ka shtruar për mbesën Burbuqe, që e ka pikë të dobët, aq sa për të është gati t’ia kthejë themelit shtëpisë nga çatia. Mendova se rashë në të. “Si i thonë” E treta e vërteta, por edhe kësaj herë gabova. Mbesa e mikut tim e kishte parë dritën e diellit në muajin e parë të vitit dhe jo në vjeshtë, kur mblidhen frutat e perimet..
-S’po e gjen dot përsë e kam shtruar këtë gosti të paparë? – më pyeti me shaka, Nuroja.
-Kot e kam. S’e gjej dot, të betohem!
-Thuaj u munda!
-E pranoj disfatën, nuk jam si ai që humbi zgjedhjet më 25 qershor e zgjidhet përsëri kryetar!
-Tani e kam radhën unë të të pyes! – më tha ai.
-Si urdhëron, ke të drejtë, folë e qesh! – i thashë.
-Kur ngrihesh në mëngjes nga shtrati bashkëshotor ?
-Sapo ekrani i televizorit jep sinjalin e tij: “Koha për t’u zgjuar!” dhe pres me padurim gazetarin, që lexon njoftimet e gazetave të përditshme, të “varura” e “ të pavarura”, që kanë mbrritur atë mëngjes në redaksi, duke filluar me “Gazetën shqiptare”, Panorama” e me radhe e duke përfunduar me ”Panorama Sport”- e sqarova 
-Pa më thuaj nga leximi i faqeve të para të leximit të tyre ç’te ka mbetur e pa shlyer në mëndje? – më pyeti ai.
– Lere mos ma kujto, se më prishet gjaku. S’ka ditë të mos ndodhin vrasje, shtypje të qytetarëve, që i thonë rri me shëndet kësaj bote. Njeri vritet për hakmarrje apo motive të dobëta. Tjetri hidhet nga ballkoni. Një qytetar i gjorë mbytet në det, se mungojnë masat e sigurimit Një vajzë në Divjakë. Një tjetë në Shëngjin. Një turiste e huaj goditet nga skafi i një bizesmeni e ndrron jetë. Djali harramsës vret babanë dhe plagos nënën.. Përplasje fatale në Kavajë, vdes 24-vjeçari ngaVlora. U vra për një shuplakë. Përleshje me thika në Borsh, vdes 31-vjeçari, tre në gjëndje të rëndë. Sikut të mos mjaftojnë të gjitha këto kusure, kanë plakosur edhe zjarret, që po zhuritin pyjet. Një e moshuar u përfshi për vdekje nga flakët.., vazhdova unë.
-Por sot në pasqyrën e shtypit, dëgjove ndonjë vrasje, mbytje, shtypje, varje vetëvarje apo varta zjarri?
-E para herë që më shpëtuan veshët nga këto mysybete të shëmtura e të hidhura zeher, që ndodhin çdo ditë në vendin tonë!- i thashë i gëzuar.
-E more vesh se përse kam shtruar gosti e aheng në shtëpi, – vazhdo ai.
Ndërsa unë në vend të përgjigjes ngrita gotën e mbushur me ujë të tërbua e urova:
-Kyç e liga! Mos na dëgjofshin veshët e mos na pafshin sytë, vrasje, varje shtypje, zjarre e gjithë të këqijat, se na turpërjnë përpara botës së qytetërur
Sigal