Studimi në Suedi, ditët e fundit për të aplikuar

    3645
    Çfarë duhet të dini për të ndjekur shkollën e lartë në vendin skandinav prej vjeshtës së ardhshme. Afatet, procedurat, pagesat dhe kërkesat specifike
    Të gjithë nxënësit e vitit të fundit të shkollës së mesme kanë edhe pak ditë mundësi për të aplikuar për ndjekjen e studimeve të larta në Suedi. Sipas informacionit zyrtar, afati i fundit për të aplikuar për vitin shkollor që nis në vjeshtën e ardhshme është data 15 janar 2018. Ndaj të interesuarit duhet të jenë gati për të plotësuar në kohë dhe saktë aplikimin. Nxënësit shqiptarë, të cilët planifikojnë për të studiuar në Suedi, fillimisht duhet të zgjedhin një program të caktuar. Për këtë, ata mund të vizitojnë faqen Universityadmissions.se, ku ndodhet lista e plotë e programeve studimore për të aplikuar. Janë më tepër se 1 mijë programe në Suedi, në gjuhën angleze, që nisin prej vjeshtës së vitit 2018 dhe pothuajse në të gjitha fushat, nga IT, në inxhinieri, fizikë, të drejtat e njeriut, biznes apo media. 

    1 – Gjeni programin/degën që do të studioni
    Hapi i parë për të ndjekur studimet “bachelor” është të gjesh në program të përshtatshëm. Në adresën Universityadmissions.se mund të kërkohet një program i përshtatshëm për secilin student. Gjithashtu, lista e plotë e programeve ndodhet edhe në faqet specifike të secilit universitet. Të interesuarit mund të aplikojnë deri në 8 programe për secilin raund aplikimi. 

    2 – Kontrolloni të dhënat dhe afatet
    Çdo program studimi është subjekt i rregullimeve dhe kushteve të përgjithshme. Gjithashtu, programe të veçantë kanë edhe kërkesa specifike. Në momentin kur të interesuarit kanë vendosur për program që preferojnë të aplikojnë, ata duhet të kontrollojnë me imtësi të gjithë kushtet për të parë nëse janë të kualifikuar për ta përfunduar aplikimin. Të dhënat e përgjithshme për programet “bachelor” janë të mundshme për t’u siguruar në Universityadmissions.se. Ndërsa kërkesat për çdo program specifik janë të publikuara në faqen zyrtare të programit, ku të interesuarit mund të kenë akses ose nëpërmjet Universityadmissions.se. Nëse nxënësit janë duke ndjekur vitin e fundit të shkollës së mesme, duhet të shohin edhe informacionet për këtë kategori. Në të njëjtën kohë, të interesuarit duhet të kontrollojnë afatet e nisjes të secilit semestër. Zakonisht afati i fundit për aplikim për semestrin që nis në vjeshtë është në mes të muajit janar. 

    3 – Aplikoni online
    Të gjithë aplikimet mund të bëhen nëpërmjet portalit Universityadmissions.se, që është një shërbim aplikimi i përqendruar. Secili mund të aplikojë për të studiuar deri në 4 programe të ndryshëm, në universitete të ndryshëm në të gjithë Suedi. Kjo bëhet në një aplikim të vetëm. 

    Aplikimi duhet të përfshijë:
    Formati e aplikimit online (mund të sigurohet në portalin Universityadmissions.se gjatë secilës periudhë të aplikimit).
    Dokumentet e plotësimit të kushteve të përgjithshme.
    Provat për gjuhën angleze.
    Dokumentet se plotësoni kërkesat specifike të pranimit në program.
    Studentët, të cilët nuk janë shtetas të BE-së apo Zvicrës, duhet të paguajnë një tarifë aplikimi prej 900 korona suedeze (rreth 90 euro). 
    4 – Prisni për të marrë njoftimin e pranimit
    Pasi kalon afati për aplikimin, kërkesa do t’i nënshtrohet një procedure përzgjedhëse nga secili universitet, bazuar në kritere të ndryshme, si notat e marra dhe rezultatet e kurseve apo projekteve të mëparshme. Të gjitha këto do të ndikojnë në vendimin për pranimin ose jo të aplikimit. Vendimi për të pranuar apo refuzuar një aplikant mbetet në dorë të vetë institucioneve akademike. Aplikantët do të marrin një rezultat në Universityadmissions.se në datat e parashikuara në raundin e aplikimit. Nëse aplikanti nuk është qytetar i Bashkimit Evropian apo Zvicrës, atij do t’i kërkohet të paguajë në këtë moment pjesën e parë të kostove (pagesën për semestrin e parë). 

    5 – Aplikoni për leje qëndrimi
    Studentët, të cilët janë qytetarë të vendeve jashtë Bashkimit Europian, dhe planifikojnë të studiojnë në Suedi për të paktën 3 muaj kanë nevojë të aplikojnë për një leje qëndrimi për studime në Suedi. Meqë procedurat e aplikimit për lejen e qëndrimit mund të zgjasin, aplikimi duhet bërë sa më parë të jetë e mundur, pas marrjes së njoftimit se jeni pranuar në programet e kërkuara të studimit.

    6 – Udhëtoni drejt Suedisë
    Pasi jeni pranuar në programin e studimit dhe leja e qëndrimit është miratuar, duhet të merreni informacion për jetën në Suedi, në mënyrë që të jeni të përgatitur. Gjithashtu, universiteti mund të ofrojë ndihma të ndryshme në këtë drejtim. 
    Kërkesat specifike
    Pasi një student i ka plotësuar kërkesat e përgjithshme të pranimit për të gjitha programet në “bachelor” ose “master”, ai duhet të kontrollojë kërkesat specifike të nevojshme për kursin apo programin që po aplikon. Për shembull, kurset për inxhinieri mund të kërkojnë që studenti të ketë plotësuar me sukses nivele të larta të matematikës. Mënyra më e saktë për të mësuar kërkesat specifike për secilin kurs ndodhen në Universityadmissions.se. 
    Dy raunde pranimi
    Ka dy raunde pranimi për ata që aplikojnë, me data dhe afate të ndryshme. Në raundin e parë për semestrin e vjeshtës dhe pranverës, studentët marrin vetëm një njoftim pranimi. Për raundin e dytë të semestrave të vjeshtës dhe pranverës, aplikantët do të marrin dy njoftime për rezultatin. Është shumë e rëndësishme që të interesuarit t’i përgjigjen njoftimit të parë për të rezervuar vendin. 
    Sigal