SHQIPËRIA, FITUESJA KRYESORE E LOTARISË AMERIKANE

Shqipëria, në krye të listës së fituesve për Lotarinë Amerikane

Në 10 vite rreth 54 mijë shqiptarë kanë rezultuar fitues, duke e bërë vendin tonë përfituesin më të madh në raport me popullsinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vijojnë të mbeten vendi i ëndrrave të mijërave shqiptarëve, që nuk heqin dorë vit pas viti nga lotaria që të mundëson të fillosh një jetë të re në kontinentin e largët. Shifrat tregojnë se shqiptarët shënojnë rekord në Evropë për marrjen e lejeve të përhershme të banimit (Green Card) në dekadën e fundit, në raport me popullsinë. Instituti i Politikave të Migrimit në SHBA ka përditësuar të dhënat për fluksin e lejeve të reja të përhershme të banimit (Green Card) për të gjithë vendet e botës, nga periudha 1999-2015. Për Shqipërinë, që nga viti 1999 kanë marrë gjithsej leje të përhershme të banimit 77,618 persona, ku numri më i lartë është shënuar në vitin 2006, me 7,916 persona dhe më i ulëti në 2003-n, me 3,362. Pas vitit 2013 shihet se ka sërish një rritje të numrit të shqiptarëve që kanë marrë “Green Card”, për të arritur në 4,653 në 2015-n. Instituti i Politikave të Migrimit sqaron se të dhënat përfshijnë personat që kanë marrë leje ligjore të përhershme të banimit në vitin e dhënë fiskal, pavarësisht nga data aktuale e mbërritjes së tyre. “Monitor” ka përpunuar të dhënat e Institutit të Politikave të Migrimit për dekadën e fundit (2005-2015) për të gjitha shtetet e Evropës. Nga të dhënat e përpunuara rezulton se në një dekadë, kanë marrë “Green Card” në SHBA rreth 54 mijë shqiptarë, duke u renditur në vlerë absolute në vend të gjashtë, pas Mbretërisë së Bashkuar, Ukrainës, Federatës Ruse, Polonisë dhe Gjermanisë. Por, duke pasur parasysh që shtetet e sipërpërmendura kanë një popullsi shumë herë më të lartë sesa të Shqipërisë, vendi ynë mban rekord në numrin e “Green Card” të përfituara në dekadën e fundit, në raport me madhësinë relative. Përfituesit shqiptarë të lejeve të përhershme të qëndrimit në shtetin e ëndrrave në gjithë dekadën e fundit përbënin 1.85% të totalit të popullsisë, që kishte Shqipëria në 2015-n. Kjo përqindje është shumë më e lartë sesa e vendit të dytë që renditen pas nesh, atij të Bosnjë Hercegovinës, me 0.7%. Bosnja ka pasur një fluks të lartë të marrjes së “Green Card” deri në vitin 2005, kur shteti boshnjak po merrte veten nga pasojat e luftës shkatërrimtare, më pas kërkesa ka rënë, për të arritur në vetëm 860 në 2015-n. Në rajon Shqipëria kryeson dukshëm për numrin e “Green Card” që merren çdo vit. Në 2015-n maqedonasit morën 1060 lekë, malazezët 251, serbët 866, shtetasit nga Kosova 814.

Aplikimi për Lotarinë Amerikane këtë vit përfundoi më 22 nëntor, ndërsa pritet që fituesit të shpallen në fillim të muajit maj. Sërish pati një numri të lartë shqiptarësh, të cilët aplikuan për të siguruar një vizë qëndrimi dhe punësimi në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në vitet e fundit është llogaritur se rreth 200 mijë shqiptarë tentojnë të bëhen fitues të Lotarisë së Diversitetit. DV-2019 do të ketë në dispozicion 50 mijë viza emigrimi për fituesit e lotarisë amerikane në mbarë botën. Përzgjedhja është rastësore, përmes një shorti kompjuterik. Departamenti amerikan i Shtetit, krahas njoftimit për datat e nisjes së Lotarisë së Vizave të Emigrimit, ka publikuar edhe këshillat për plotësimin e formularit. Në të përfshihen të dhëna për familjarët që duhet të përfshihen në formular, specifike për foton dhe informacione të vlefshme për aplikantët e interesuar.