Rifillon nga e para Lotaria Amerikane

    760
    Bllokimi, rifillon nga e para Lotaria Amerikane, datat dhe kushtet e reja

    Zyra konsullore e SHBA-së sqaron se çfarë ndodh me aplikimet e plotësuara, fotot e përdorura dhe sa kushton procedura. Kur penalizoheni dhe fati i pagesave të bëra në zyra konsulence apo pika interneti
    Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi rinisjen e procedurave për Lotarinë e Vizave për Emigrimit. “Për shkak të problemeve teknike, periudha e regjistrimit për Lotarinë DV-2019 do të rifillojë nga e para. Të gjitha regjistrimet e bëra përpara datës 18 tetor 2017 do të duhet të ribëhen në mënyrë që të merren në konsideratë”, bëri të ditur ambasada në një njoftim të posaçëm. I hapur në fillim të tetorit 2017, sistemi funksionoi për rreth 1 javë dhe më pas u bllokua. “Ne na vjen keq për shqetësimin e krijuar për aplikantët e vizave të shumëllojshmërisë. Për të siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur integritetin e procesit për të gjithë ata që janë të interesuar, ne duhet ta rifillojmë procesin e regjistrimit për këtë vit (DV-2019)”, deklaroi ambasada e Shteteve të Bashkuara. Njëkohësisht, ajo publikoi edhe afatet e reja brenda të cilave duhet të plotësohen aplikimet. “Periudha e re e regjistrimit për Lotarinë DV-2019 do të hapet të Mërkurën, 18 tetor 2017, në orën 18:00 ora lokale e Shqipërisë dhe mbyllet më 22 nëntor 2017, ora 17:00 ora lokale e Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.
    Njoftimi i ambasadës amerikane, sipas edhe një njoftimi të ngjashëm të Departamentit të Shtetit nga Uashingtoni, shkaktoi një seri pyetjesh në rrjetet sociale nga qytetarët shqiptarë. Ata shprehnin shqetësimin për aplikimet e mëparshme dhe për mundësinë e përdorimit të të njëjtave foto. “Telegraf” po boton edhe përgjigjet përkatëse që Zyra konsullore e SHBA-së në Tiranë ka dhënë për pyetjet e qytetarëve. 
    1 – Po ne që kemi aplikuar një herë, a penalizohemi të aplikojmë përsëri?
    Zyra konsullore: “Askush nga individët që kanë aplikuar përpara 18 tetorit NUK penalizohet, pasi ai aplikim nuk quhet i vlefshëm. Ndaj ju duhet të kryeni një aplikim të ri duke filluar nga data 18 Tetor”.
    2 – Nëse na duhet të aplikojmë përsëri, a duhen foto të tjera apo ato që dolëm?
    Zyra konsullore: “Ju mund të përdorni fotografinë që përdorët gjatë aplikimit të DV-2019 përpara datës 18 tetor, pasi aplikimet e kryera përpara datës 18 tetor për DV-2019 nuk janë të vlefshëm. Ju nuk mund të përdorni fotografinë e përdorur për DV-2018 (nëse keni aplikuar)”.
    3 – Jeni të sigurtë që nuk penalizohemi, pasi nui lejohet dy herë aplikim?
    Zyra konsullore: “Më pëlqen që jeni informuar mbi skualifikimin kur aplikon më shumë se një herë. Askush nga individët që kanë aplikuar përpara 18 tetorit NUK penalizohet nëse kryen një aplikim të ri gjatë periudhës së re të regjistrimeve, pasi ai aplikim i kryer përpara 18 Tetorit 2017 për DV-2019 nuk quhet i vlefshëm. Ndaj ju duhet të kryeni një aplikim të ri duke filluar nga data 18 Tetor”.
    4 – Po unë që kam aplikuar javën e parë duhet të aplikoj prapë?
    Zyra konsullore: “Apliko përsëri”.
    Mbiemri im fillon me “ç”. Si ta shkruaj kur aplikoj? Siç është apo me “c”?
    Zyra konsullore: “Mos vendos ç e ë, por c dhe e. Suksese!”.
    5 – Nëse unë aplikoj për lotarinë normalisht, duke përfshirë edhe bashkëshorten bashkë me djalin, a ka të drejtë të plotësojë edhe bashkëshortja Lotarinë Amerikane?
    “Patjeter që po! Suksese”.
    6 – Aplikova për Lotarinë Amerikane para datës 18 dhe erdhi konfirmimi suksese. Besoj se çdo gjë është në rregull?
    Zyra konsullore: “Nëse e lexon me vëmendje mesazhin tonë, aty thuhet ndryshe. Ti duhet të aplikosh përsëri, pasi ai aplikim nuk quhet i vlefshëm. Ndaj ju duhet të kryeni një aplikim të ri duke filluar nga data 18 Tetor. Ju mund të përdorni fotografinë që përdorët gjatë aplikimit të DV-2019 përpara datës 18 tetor, pasi aplikimet e kryera përpara datës 18 tetor për DV-2019 nuk janë të vlefshëm. Ju nuk mund të përdorni fotografinë e përdorur për DV-2018 (nëse keni aplikuar)”.
    7 – Rreth viteve 1996-1997 me ra lotoja dhe për arsye se dokumentet s’u plotësuan saktë nuk i vazhdova. Më erdhën të treja përgjigjet pozitive atëherë. A mund të kem shans të dytë për të fituar dmth, a mund të aplikoj përsëri për lotarinë?
    Zyra konsullore: “Përzgjedhja është krejtësisht e rastësishme dhe kryhet nga Qendra Konsullore Kentucky, SHBA. Çdo aplikuesi i vendoset një numër dhe kompjuteri në Qendrën Konsullore Kentucky përzgjedh numrat, pa asnjë dallim. Më pas shikohen aplikimet që kanë kryer regjistrim më shumë se një herë dhe skualifikohen. Pasi personi rezulton i përzgjedhur dhe i caktohet data e intervistës, është oficeri konsullor që shqyrton çështjen e tij/saj dhe merr vendimin final për vizën, bazuar në kualifikimin dhe pranueshmërinë për vizë të aplikantit. Dhe mund t’ju jap edhe shembuj, kur një person është përzgjedhur dy vite rresht, apo në një familje tjetër kanë rezultuar të përzgjedhur të dy bashkëshortët në të njëjtin vit. Seksioni Konsullor njoftohet mbi listën e të përzgjedhurve, të cilët kanë intervistën në muajin pasardhës rreth 1 deri 2 muaj para intervistës së tyre”.
    8 – A mund të iki në Itali për një festë familjare 3-4 ditë, 1 muaj para intervistës? A më penalizon kjo për ndonjë gjë?
    Zyra konsullore: “Jo, aspak. Gjithsesi, ki parasysh që duhet të përgatitesh paraprakisht për vizitën mjekësore, por ti prapë je në kohë”.
    9 – Jam në vit të dytë në universitet dhe doja të dija si ta vendos në aplikim? “University degree” apo “some university courses”?
    Zyra konsullore: “Some university courses, pasi nuk je diplomuar akoma”.
    10 – Nëse aplikon dhe nëse të del, sa janë shpenzimet dhe a mund të aplikoj vetëm? A kam të drejtë apo duhet familjarisht?
    Zyra konsullore: “Ti duhet të përfshish bashkëshortin dhe çdo fëmijë nën 21 vjeç e të pamartuar në momentin e aplikimit. E njëjta gjë për bashkëshortin. Nëse përzgjidhesh: 330 dollarë është tarifa e aplikimit për vizë për person, 205 dollarë vizita mjekësore dhe pasi ke marrë vizën, 220 dollarë për lëshimin e ‘green card’. Këto tarifa mund të jenë subjekt i ndryshimeve – pra që nuk varen nga ne”.
    11 – Unë jam në procedurë bashkimi familjar për në SHBA. Ka ndonjë problem nëse aplikoj dhe për lotarinë?
    Zyra konsullore: “Nuk ka asnjë problem”. 
    12 – Foto e bërë më datë 9 tetor dhe që është përdorur në aplikimin e datës 9 tetor (aplikim i pavlefshëm sipas këtij njoftimi) vlen ende për një aplikim pas datës 18 tetor, apo sistemi e përzgjedh si foto të përdorur në aplikime të mëparshme?
    Zyra konsullore: “Askush nga individët që kanë aplikuar përpara 18 tetorit NUK penalizohet nëse kryen një aplikim të ri gjatë periudhës së re të regjistrimeve, pasi ai aplikim i kryer përpara 18 Tetorit 2017 për DV-2019 nuk quhet i vlefshëm. Ndaj ju duhet të kryeni një aplikim të ri duke filluar nga data 18 Tetor. Ju mund të përdorni fotografinë që përdorët gjatë aplikimit të DV-2019 përpara datës 18 tetor, pasi aplikimet e kryera përpara datës 18 tetor për DV-2019 nuk janë të vlefshëm. Ju nuk mund të përdorni fotografinë e përdorur për DV-2018 (nëse keni aplikuar)”.
    13 – Ne që aplikojmë nga jashtë shtetit (Greqia) duhet plotësojmë të njëjtat kushte si në Shqipëri?
    Zyra konsullore: “Kërkesat e kualifikimit janë të njëjta, kudo qofshi. https://al.usembassy.gov/…/immigrant…/diversity-visa-sq/”
    14 – Lekët që kemi paguar një herë apo ato i thithi ambasada?
    Zyra konsullore: “Aplikimi për lotarinë është falas; nëse ju keni paguar ndonjë zyrë apo pikë interneti, kjo është tjetër gjë. Problemi teknik ka qenë mbarëbotëror dhe Ambasada nuk ka asnjë rol në këtë çështje. Ne jemi këtu për t’ju informuar”.
    15 – A mund të përfshij në aplikimin tim djalin 18-vjeçar dhe pastaj ai a mund të aplikojë dhe veçmas që të ketë mundësi, nqse fitoj unë të vijë me mua dhe nqse nuk fitoj unë të ketë mundësi të fitojë vetëm?
    Zyra konsullore: “Ke shumë të drejtë. Tek aplikimi juaj do të përfshini bashkëshorten dhe çdo fëmijë deri në 21 vjeç e të pamartuar në momentin e aplikimit. Edhe fëmijët tuaj kanë të drejtën e aplikimit si aplikantë kryesorë. Pra, fëmijët tuaj deri në 21 vjeç e të pamartuar ka dy herë shance për t’u përzgjedhur, një herë nga ju dhe një herë ai vetë. Edhe bashkëshortja juaj nëse ka arsimin ose punën, mund të aplikojë si aplikante kryesore dhe ju përshin edhe ju e fëmijët deri në 21 vjeç e të pamartuar në momentin e aplikimit në aplikimin e saj”.
    16 – A është vetëm për në Shqipëri apo edhe për në Kosovë?
    Zyra konsullore: “Për të gjitha vendet që marrin pjesë në këtë program, pra edhe për Kosovën”.
    17 – Kam mbaruar fakultetin, 3-vjeçarin bachelor, masterin nuk e kam bërë akoma. Kur plotësohet aplikimi duhet ta shkruaj i përfunduar apo në vazhdim, nderkohe që për master nuk kam plan ta vazhdoj?
    Zyra konsullore: “University degree”.
    18 – Vajza ime është 18 vjeç në vitin e fundit në gjimnaz. Te arsimi si duhet të plotësojë, sepse deri në vitin e ardhshëm ajo e merr diplomën?
    Zyra konsullore: “High school no degree”.
    19 – Unë jetoj në Francë, por jam pa letra dhe mundem të aplikoj nga këtu?
    Zyra konsullore: “Po, ju mundeni”.
    20 – Nqs aplikimi bëhet nga SHBA, personi ndodhet me vizë turistike këtu, çfarë më sugjeron?
    Zyra konsullore: “Kësaj pyetjeje i jemi përgjigjur tek udhëzimet: https://al.usembassy.gov/…/immigrant…/diversity-visa-sq/ Përgjigja është ju mund të aplikoni në çdo cep të botës”.
    21 – Sapo kam filluar universitetin. Tek aplikimi duhet të vendos “some university courses”? Dhe diçka në lidhje me mailing address. Tek “In care of” duhet të vendos emër mbiemër, po tek address line 1 duhet adresa ku banoj?
    Zyra konsullore: “Some university courses. Adresa ku banon”.
    22 – Ku mund ta bëjmë aplikimin që të jetë i vlefshëm se nëpër këto studio e fotove e kemi bërë gjithmonë?
    Zyra konsullore: “Ju mund ta bëni edhe vetë, pasi nuk ka shumë pyetje. Pyetjen 6. Vendi i kualifikueshëm për Programin e Lotarisë lëreni pa plotësuar, pasi Shqipëria është ndër vendet që kualifikohen për programin”.
    23 – A mund ta përfshij vajzën time, e cila ka datëlindjen më 6 janar 1996?
    Zyra konsullore: “Të gjithë fëmijët që janë nën 21 vjeç dhe të pamartuar në momentin që aplikoni duhet t’i përfshini tek aplikimi juaj”.
    24 – Po ata që kanë bërë gjimnaz profesional me kohë të plotë, kanë mbaruar dhe universitetin, mundet të aplikojnë për lotari apo jo?
    Zyra konsullore: “Patjetër që po. Edhe e mesmja profesionale me kohë të plotë vetëm, pra pa patur të lartën mund t’ju kualifikojë; e larta sigurisht që po”.
    25 – E gjitha kjo vlen vetëm për shtetasit shqiptarë apo për të gjitha shtetet, se kam ca shokë italianë që s’kanë kuptuar gjë?
    Zyra konsullore: “Për të gjitha shtetet që marrin pjesë në programin e lotarisë, përfshirë Italinë”.
    26 – Kur je e martuar me fëmijë, lotaria duhet të hidhet familjare? Dmth duhet edhe foto e bashkëshortit dhe fëmijës?
    Zyra konsullore: “Patjetër që po. Ti aplikon si aplikant/e kryesore tek aplikimi yt dhe përfshin bashkëshortin (ose bashkëshorten) dhe fëmijët nën 21 vjeç të pamartuar në momentin e aplikimit. Bashkëshorti ose bashkëshortja juaj aplikon si aplikant/e kryesore tek aplikimi i tij/saj dhe përfshin bashkëshortin (ose bashkëshorten) dhe fëmijët nën 21 vjeç të pamartuar në momentin e aplikimit”.
    27 – Ka rëndësi brouseri nga aplikon, Moxilla, Chome, Explorer?
    Zyra konsullore: “Jo, nuk përbën problem”.
    28 – Aplikimi dy herë që kaq shumë e keni cilësuar që duhet të keni kujdes mos të ndikojë, sepse kam aplikuar një herë?
    Zyra konsullore: “Ja që ndodhi, ndaj edhe po dalim për të sensibilizuar publikun”.
    29 – Personat që kanë kryer master shkencor si duhet ta deklarojnë aty ku është si kusht arsimi? Duhet të zgjedhin master apo ka opsion tjetër?
    Zyra konsullore: “Tek udhëzimet qe i gjeni këtu: https://al.usembassy.gov/…/immigrant…/diversity-visa-sq/ citon: Niveli më i lartë i arsimimit që ju keni arritur, deri më sot: (1) vetëm Shkollë fillore, (2) disa vite shkollë të mesme, pa diplomë (3) Diploma e shkollës së mesme, (4) Shkollë profesionale, (5) Disa kurse universiteti, (6) Diplomë universitare, (7) Disa nivele të kurseve pasuniversitare, (8) Master, (9) Disa Kurse të doktoraturës, dhe (10) doktoraturë”.
    30 – Aty në aplikim pyet per “Qytetin e Lindjes”, mirëpo nëse kam lindur në 1 komunë që nuk është “qytet” por fshat komune, si ta shkruaj, qytetin më të madh që i përket ky fshat komune apo si? Në letërnjoftim ne kemi “vendin e lindjes” dhe vendi i lindjes nuk është qytet, por komunë (dhe është fshat). Emrin në pasaportë e kam në 3 gjuhë. Cili shkruhet, sepse është ndryshe në shqip dhe ndryshe në anglisht?
    Zyra konsullore: “Qyteti i Lindjes: do të vendosësh rrethin ku ke lindur dhe jo fshatin, gjithsesi kjo nuk përbën asnjë problem. Do të vendosësh emrin në pasaportën shqiptare, pasi po aplikon si Shqiptar. Mbretëria e Bashkuar nuk është vend që kualifikohet për lotarinë”.
    Deklarata e Departamentit të Shtetit
    Për shkak të problemeve teknike, periudha e regjistrimit për Lotarinë DV-2019 do të rifillojë nga e para. Të gjitha regjistrimet e bëra përpara datës 18 tetor 2017 do të duhet të ribëhen për t’u marrë në konsideratë.
    Na vjen keq për shqetësimin e krijuar për aplikantët e vizave të shumëllojshmërisë. Për të siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur integritetin e procesit për të gjithë ata që janë të interesuar, ne duhet ta rifillojmë procesin e regjistrimit për këtë vit (DV-2019).
    Periudha e re e regjistrimit për Lotarinë DV-2019 do të hapet të Mërkurën, 18 tetor 2017, në orën 18:00 ora lokale e Shqipërisë dhe mbyllet më 22 nëntor 2017, ora 17:00 ora lokale e Shqipërisë.
    Nëse jeni regjistruar përpara të mërkurës, datë 18 tetor 2017, ky regjistrim nuk do të jetë i vlefshëm. Ju duhet të bëni një regjistrim të ri gjatë periudhës së re të regjistrimit. Individët të cilët bëjnë më shumë se një regjistrim gjatë periudhës së re të regjistrimit do të skualifikohen.
    Aplikantët mund të regjistrohen elektronikisht në faqen zyrtare të E-DV, state.gov, gjatë periudhës së re të regjistrimit. Udhëzimet e DV gjithashtu janë në dispozicion në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit në usvisas.state.gov/dv/instructions ose në faqen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë https://al.usembassy.gov/sq/visas-sq/immigrant-visas-sq/diversity-visa-sq/.
    Duke filluar nga 15 maji 2018, për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2019 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve në state.gov. Kontrolli i Statusit të Regjistruarve do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten dhe anëtarët e tyre të familjes. Departamenti gjithashtu do t’u konfirmojë të përzgjedhurve datat e tyre të intervistave për vizë nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Regjistruarve.
    Sigal